Procedime penale në Fier dhe Divjakë, një i shpallur në kërkim për vjedhje

Policia e Fierit ka referuar materiale në Prokurori për disa raste penale të regjistruara në qytetin e Fierit dhe në Divjakë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier nisën procedim penal ndaj shtetasit A. P., 59 vjeç, banues në Fier, ndërsa shpallën në kërkim shtetasin E. S., 45 vjeç, gjithashtu banues në Fier. Dyshohet se më 17 shkurt 2026, ata kanë vjedhur një portofol me një shumë parash në një dyqan të lagjes Apollonia. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 45-vjeçarit.

Në një rast tjetër, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë kanë nisur procedim penal ndaj shtetasit A. K., 34 vjeç, banues në fshatin Çermë Proshkë, i dyshuar se ka goditur me grushte një shtetas. Po ashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasi A. R., 36 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait të tij.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Rritje e përgjithshme në tregun valutor 

Dollari amerikan pas dobësimit të ndjeshëm që pësoi ditën e djeshme ka regjistruar një rritje të lehtë të vlerës mëngjesin e sotëm teksa është blerë me 81.3 lekë dhe është shitur me 82.3 lekë.

Monedha europiane ndërkaq nuk ka shënuar luhatje të konsiderueshme të kuotës këtë të martë në raport me ditën e hënë teksa është blerë sot me 96 lekë dhe është shitur me 96.6 lekë sipas kursit të këmbimit lokal.

Franga zvicerane sakaq ka pasur një rritje të ndjeshme të vlerës këtë mëngjes pasi krahasuar me një ditë më parë është blerë sot me 104.8 lekë dhe është shitur me 105.8 lekë.

Paundi britanik referuar tregut të brendshëm valutor ka pasur edhe ai një rritje të kuotës ditën e sotme duke u blerë me 109.6 lekë dhe duke u shitur me 110.6 lekë në raport me ditën që lamë pas.

Tregu imobiliar në Tiranë , “boom” kërkesash nga të huajt dhe emigrantëve të rikthyer

Tirana po përjeton një rritje të fortë të interesit për blerjen e pronave, duke u kthyer në një pikë tërheqëse jo vetëm për shqiptarët, por edhe për investitorë dhe rezidentë të huaj. Kryeqyteti po përthith një numër gjithnjë e më të madh emigrantësh të rikthyer, profesionistësh ndërkombëtarë dhe nomadësh digjitalë, të cilët po zgjedhin Shqipërinë si bazë jetese dhe pune.

Të dhënat nga tregu imobiliar tregojnë se zonat elitare të qytetit po mbeten në krye të preferencave. Ish-Blloku vijon të dominojë kërkesën për shkak të pozicionit qendror dhe aksesit në shërbime, me çmime që arrijnë deri në qindra mijëra euro për një apartament. Paralelisht, lagje të reja urbane si Komuna e Parisit po kthehen në alternativa të forta për familje dhe të huaj që kërkojnë standarde moderne me kosto më të kontrolluara.

Interes i lartë po shënohet edhe në zonën përreth Liqenit Artificial, ku kërkesa për prona banimi po rritet nga blerës që synojnë cilësi jete dhe hapësira rekreative pranë qytetit. Në këto zona, prania e shtetasve amerikanë, gjermanë, italianë dhe britanikë është bërë gjithnjë e më e dukshme, ndërsa po shtohet edhe numri i profesionistëve që punojnë në distancë.

Edhe sektori i qirave po shfaq shenja të një tregu të tendosur. Pronat po qëndrojnë më pak kohë të lira, ndërsa kërkesa ndahet mes familjeve, rezidentëve të huaj dhe qiramarrësve afatshkurtër. Ky zhvillim po ushtron presion mbi çmimet dhe po e bën gjithnjë e më të vështirë gjetjen e një banese të lirë në kryeqytet.

Të enjten mblidhet Grupi Parlamentar i PS, diskutohet vendimi për Ballukun

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë mbledhjen e tij mujore të enjten, më 26 shkurt, në orën 11:00, në Pallatin e Brigadave. 

Nga burime thuhet se në mledhje do të diskutohet qëndrimi për  zv.kryeministren Belinda Balluku lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.

Në takim do të marrin pjesë edhe ministrat, të cilët do të raportojnë sipas fushave të tyre të përgjegjësisë. Agjenda e detajuar e mbledhjes pritet të shpërndahet në orët në vijim.

Detyrimi për deklarim në doganë: Çfarë duhet të dinë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri

Udhëtarët që hyjnë në territorin shqiptar duhet të deklarojnë mallrat nëse vlera e tyre tejkalon kufijtë e lejuar nga ligji. Konkretisht, çdo mall me vlerë mbi 430 euro që ndodhet në bagazhin personal duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, duke specifikuar nëse është për përdorim personal apo për qëllime tregtare.

Sipas rregullave doganore, mallrat që ndodhen në bagazhin personal të udhëtarëve përjashtohen nga detyrimet e importit, vetëm nëse nuk përdoren për tregti. Kufiri maksimal i përjashtimit ndryshon sipas mënyrës së udhëtimit: për hyrjet tokësore është 300 euro, ndërsa për udhëtimet ajrore dhe detare arrin në 430 euro për person, pa përfshirë produktet e duhanit dhe alkoolit.

Në rast se këto kufij tejkalohen ose mallrat janë të destinuara për aktivitet tregtar, udhëtari është i detyruar t’i deklarojë ato. Autoritetet doganore kanë gjithashtu të drejtën të kërkojnë verifikimin e çdo malli që transportohet gjatë hyrjes në vend.

Për mallrat jo tregtare që kalojnë pragun e pataksueshëm, zbatohet procedura e deklarimit të thjeshtuar doganor. Ky informacion synon të informojë qytetarët dhe të shmangë shkeljet ligjore, si dhe të parandalojë futjen e mallrave pa taksim për qëllime tregtare.

Rivlerësimi i pronave ,hyn në fuqi nga sot

Ka hyrë në fuqi udhëzimi i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Udhëzimi i Ministrisë së Financave sapo është publikuar në Fletoren Zyrtare. 

Deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.

Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Për herë të parë në rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do të njihet edhe amortizimi i pronave, pra vjetërsia e pronës, sa më e vjetër të jetë prona aq më pak do të paguhet tatim pas procesit të rivlerësimit.

Po ashtu këtë vit, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronës në të gjithë vendin do të rritet, pasi hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës, që janë konsultuar gjatë këtij vit

I fundit rivlerësim u bë në periudhën 2020-2022, që pati normë tatimore 3%, dhe në total u afruan me çmimet e tregut 94 mijë pasuri të paluajtshme, të qytetarëve shqiptar apo bizneseve.

Nga kjo fushatë e fundit buxheti i shtetit përfitoi 138.6 milionë euro, pasi edhe tatimi ishte më i lartë, por për shkak se edhe çmimet në treg ishin rritur ndjeshëm.


Prokuroria Fier konfiskon 10 pasuri të një shtetasi

Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit u konfiskuan 10 pasuri të një shtetasi. Konkretisht u konfiskuan pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit S.T. dhe personave të lidhur me të.

Kërkesa e Prokurorisë u bë bazuar në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe u pranua nga gjykata.

Për rrjedhojë, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:

1. Pasuria nr. 4/1, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “Godinë ekonomike 2 kate, karburant dhe ambiente shërbimi;

2. Pasuria nr. 4/2, z.k. 8572,  në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “truall+ndërtesë”, me vlerë 9,724,582 lekë;

3. Pasuria nr. 1/527, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “Godinë e kombinuar 5 kate + karburant”, me vlerë 22,330,105 lekë;

4. Pasuria nr. 3/1, z.k. 8572, në Plug, Lushnjë, e llojit “godinë ekonomike 1 kt + podrum”, me vlerë 2,297,520 lekë.

5. Pasuria nr. 1/450, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “njësi shërbimi 3 kate + rikonstruksion karburanti ekzistues + pikë gazi”.

6. Pasuria nr. 104/44, z.k. 3268, në Savër, Lushnjë, e llojit “arë”, me sipërfaqe totale 15.323 m2;

7. Pasuria nr. 857/28, z.k. 2087, në Karbunarë të Poshtme, Lushnjë, e llojit “arë”;

8. Pasuria nr. 151/2+1-10, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 128 m2;

9. Pasuria nr. 102/22+1-6, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 96.17 m2;

10. Pasuria nr. 104/81+2-21, z.k. 3292, në Selitë, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 105.57 m2.

Rruga Prrenjas-Librazhd e bllokuar per shkak te shkarjes masive te dherave/ Rama nxjerr foto nga helikopteri

Postimi i plotë në “X”:

Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!

Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë!

Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:

E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.

Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten.