Gati garancia sovrane për bujqësinë/ Qeveria, 3 miliardë lekë mbështetje për fermerët

Gati garancia sovrane e cila siguron financime me kushte te favorshme për sektorin e  bujqësisë.Fondi prej 3 miliard lekësh i vënë në dispozicion të këtij sektori nga buxheti i shtetit  është një instrument financiar i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare i cili do të përdoret për të ofruar kredi me interesa të ulta për sektorin bujqësor.

Garancia Sovrane, e kombinuar me Kredinë e Butë të Bankës së Shqipërisë për sektorin bujqësor , ul normën e interesit për kreditë  në vetëm 2% nga 3.5% dhe mbulon deri në 70% të kolateralit për kredi, me vlerë deri në 25 milionë lekë për subjekt, duke krijuar lehtësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në prodhim bujqësor, agropërpunim, turizëm rural dhe akuakulturë.Ministrja e bujqësië së bashku me ministrin e financave kanë nisur tashmë diskutimet  me

drejtues të bankave të nivelit të dytë, mbi zbatimin teknik të Garancisë së re Sovrane për sektorin bujqësor.Kjo është Garancia e 5-të Sovrane që qeveria shqiptare vë në dispozicion të sipërmarrjeve, një mekanizëm që forcon kapitalin qarkullues dhe shton sigurinë për kreditim, me shtetin si garantues.

në fokus të saj  është rritja e aksesit në financë, por edhe ruajtja e parametrave që garantojnë qëndrueshmërinë e borxhit publik.Me heret qeveria rishikoi për herë të dytë buxhetin ku rialokoi disa fonde dhe vuri në dispozicion të mbështetjes për sektorin bujqësor  fondin prej 1 mld lekësh i cili plotësoi skemën e re e Garancisë Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.

Rama në 34-vjetorin e PS vlereson fitoren e 11 majit

Kryeministri Edi Rama, në një fjalim të mbajtur gjatë ceremonisë së 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, vlerësoi fitoren e fundit të PS në zgjedhjet e 11 majit si një “fitore domethënëse” që ngarkon forcën politike me një përgjegjësi më të madhe se kurrë më parë.

“Ne nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që sjellin fitoret – përkundrazi, nuk lodhemi së fituari sepse nuk lodhemi së reflektuari dhe ngarkuari me detyra,” deklaroi Rama. Ai e cilësoi këtë fitore si një mandat të jashtëzakonshëm besimi nga qytetarët, duke e lidhur atë me objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te përbërja e re e grupit parlamentar të PS, i cili përfshin 83 deputetë. Ai theksoi se më shumë se numrat, vlen cilësia dhe shpërndarja e tyre në territor, duke e cilësuar grupin si “skuadër të re” me një ekuilibër mes përvojës dhe përfaqësimit që mund të përballojë sfidat që vijnë përpara.

“Parlamenti do të jetë shtylla kryesore e procesit të integrimit në BE,” theksoi Rama, duke e bërë të qartë se suksesi në këtë drejtim do të varet nga përmbushja e reformave të brendshme.

Izraeli në pritje të SHBA-ve për t’iu bashkuar ofensivës kunder Iranit

Izraeli pret një vendim nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme nëse do t’i bashkohet sulmeve kundër Iranit, tha një zyrtar izraelit për The Times of Israel të enjten pasdite.

“Pritet që ata do të bashkohen, por askush nuk po i shtyn”, tha zyrtari. “Ata duhet të marrin vendimin e tyre.”

“Do ta dimë brenda 24-48 orëve të ardhshme”, shtoi zyrtari.

PD dhe PS “përplasen” në Strasburg, dështon miratimi i deklaratës së përbashkët në mbledhjen e Komisionit të Stabilizim-Asociimit

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, por pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe asaj të mazhorancës socialiste.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, deklaroi se opozita ngriti në këtë takim shqetësimet serioze që lidhen me procesin zgjedhor, mungesën e sundimit të ligjit, korrupsionin e përhapur dhe abuzimet me tenderat publikë.

“Nuk jemi në Strasburg për të firmosur deklarata sa për sy e faqe, por për të kërkuar ndryshime reale që prekin jetën e qytetarëve,” u shpreh Tabaku pas mbledhjes.

Ajo theksoi se shqiptarët kanë nevojë që procesi i integrimit të ndihet në jetën e përditshme dhe jo të mbetet një slogan politik në tavolinat e qeverisë.

“S’ka integrim të vërtetë pa zgjedhje të lira, pa demokraci funksionale dhe pa reforma të thella që luftojnë korrupsionin,” – nënvizoi Tabaku, duke shtuar se rruga europiane nuk është një destinacion formal, por një betejë për standarde dhe ndryshim të prekshëm për çdo qytetar shqiptar.

Për opozitën, bashkëpunimi me BE-në duhet të bazohet mbi angazhime të sinqerta dhe reforma të vërteta, jo në fasada dhe retorikë boshe.

“Do të fus djalin në punë si inspektor në Fier”, SPAK kërkon dënimin me burg per mashtruesin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka paraqitur konkluzionet përfundimtare para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në ngarkim të të pandehurit: Dritan Lleshi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.Në bazë të kësaj dispozite, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e tij me një vit burg, por  sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale u propozua ulja e dënimit me 1/3, në 8 (tetë muaj).

Gjykimi i të pandehurit vjen pas vendimit me nr.717, i datës 14.10.2024, për shpalljen e moskompetencës lëndore të procedimit penal nr.586, të vitit 2020, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier si dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se shtetasi A.N, i punësuar në një njësi të shitjes së karburantit, është paraqitur më datën 8.10.2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë, në fshatin Gorre të Lushnjës dhe ka bërë një kallëzim.

Sipas këtij kallëzimi, në vitin 2019, i pandehuri Dritan Lleshi, i njohur prej tij me emrin Dritan Ndreca, me origjinë nga Puka, ose Laçi, banues në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë i ka premtuar A.M, bashkëshortes së A.N, punësimin e djalit të tyre, E.N si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt shumës prej 400.000 lekësh.

I pandehuri i ka thënë se kishte një vëlla në Tiranë, me emrin P.N, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme dhe përmes tij do të ndërhynte që djali i kallëzuesit të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose Lushnjë. Sipas planit të prezantuar prej të pandehurit Dritan Lleshi, , kjo do të realizohej në muajin qershor të 2019, kohë kur A.N i ka dorëzuar edhe një kapar prej 200.000 lekësh Dritan Lleshit, i cili më pas e shtyu mundësinë për punësim në shtator të të njëjtit vit.

Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lleshi, me lidhje familjare me P.N (djali i xhaxhait), ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur procedimin penal 16/2025, në ngarkim të shtetasit A.N për veprën penale : Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Ngjarjet ne 24 ore ne FIER, njoftim i Policise

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit V. A., 50 vjeç, banues në Patos dhe S. D., 55 vjeç, banues në Tepelenë, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin R. H., 32 vjeç, banues në Fier, pasi u kap jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. Xh., 28 vjeç, banues në fshatin Çermë, pasi dyshohet se ka postuar në rrjete sociale, foto intime të një shtetaseje 26 vjeçe.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. K., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një shtetas 64 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 43 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Rama prezanton skuadrën fituese të Fierit për Shqipërinë 2030 në BE

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot skuadrën fituese të qarkut Fierit në zgjedhjet e 11 majit, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Përmes një videoje në rrjetet sociale, Rama prezantoi deputetët fitues të PS-së në qarkun Fier, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme.

Për deputetë e rinj të cilët ulen për herë të parë në sallën e Kuvendit, Partia Socialiste rikthen në një format të veçantë Akademinë Politike, të ndërtuar posaçërisht për gjeneratën më të re të Kuvendit të Shqipërisë.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste mori 12 deputetë në qarkun e Fierit.

Deputetët e Partisë Socialiste, qarku Fier

Belinda Balluku mandati i dytë

Petrit Malaj mandati i parë

Kiduina Zaka mandati i parë

Erjo Mile mandati i parë

Ana Nako mandati i parë

Antoneta Dhimo mandati i parë

Asfloral Haxhiu mandati i parë

Ceno Klosi mandati i parë

Elton Korreshi mandati i parë

Klevis Jahaj mandati i parë

Zegjine Caushi mandati i parë

Ramion Kurti mandati i parë

Izraeli godet mbi 1100 objektiva në Iran, Fordow mbetet i paprekur

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa të dyja palët shkëmbejnë sulme ajrore dhe raketore që kanë prekur objekte strategjike dhe zona të populluara.Ushtria izraelite (IDF) ka sinjalizuar se fushata e saj do të vazhdojë për të paktën dy javë të tjera, ndërkohë që Irani ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra, duke aktivizuar pjesë të arsenaleve të tij raketorë dhe me dronë.

Një artikull investigativ i gazetës Haaretz hedh dritë mbi përgatitjet e Izraelit, të cilat nisën me një takim paraprak në nëntor, ku 120 oficerë hartuan një listë provizore objektivash. Situata ndryshoi ndjeshëm në shkurt, kur Tel Avivi mori informacion të rëndësishëm të inteligjencës dhe nisi projektin “Rising Lion”.

Operacionet u koordinuan mes inteligjencës ushtarake (Aman) dhe forcave ajrore, ndërkohë që Mossadi aktivizoi rrjetin e tij të spiunazhit për sabotime dhe vrasje të synuara.

Sipas burimeve izraelite, deri tani janë shkatërruar mbi 1,100 objektiva, përfshirë: 70 bateri kundërajrore; 200 pika lëshimi raketash; 100 oficerë të lartë të vrarë; 14 shkencëtarë iranianë të eliminuar.

Goditje të rënda janë raportuar në Natanz, Karaj, Isfahan dhe Teheran, ku dëmtime serioze janë shkaktuar në centrifugat bërthamore, gjë që është konfirmuar nga IAEA. Megjithatë, impianti i Fordow mbetet funksional, duke forcuar bindjen se vetëm bombat amerikane GBU-57 të lëshuara nga bombarduesit B-2 mund ta shkatërrojnë plotësisht.

Pavarësisht goditjeve, programi bërthamor iranian nuk konsiderohet i kompromentuar, ndërsa në qarqet e inteligjencës vazhdojnë debatet mbi afërsinë e Iranit me ndërtimin e një bombe atomike.

Irani ka lëshuar rreth 400 raketa nga arsenali i tij që përfshin rreth 2,000 njësi, duke shënjestruar zonat qendrore dhe veriore të Izraelit, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, selinë e inteligjencës dhe rafinerinë e Haifës. Të paktën 35 raketa kanë depërtuar në sistemin mbrojtës.

Gjithashtu, janë përdorur mbi 1,000 dronë kamikazë (Shahed 136, Arshad 2), shumica e të cilëve janë rrëzuar. Megjithatë, një dron Hermes 900 i Izraelit, me vlerë 5 milionë dollarë, është goditur.

Sipas analistëve, intensiteti i sulmeve iraniane ka qenë më i ulët se një vit më parë, çka lidhet si me problemet logjistike, ashtu edhe me strategjinë e “durimit heroik” të përmendur nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, që përjashton dorëzimin.

Një nga shqetësimet më të mëdha për Izraelin është mungesa e raketave interceptuese “Arrow” që ndalojnë kërcënimet në lartësi të mëdha. Mediat amerikane raportojnë se rezervat mund të shterojnë brenda 10 ditësh, nëse nuk ndërhyjnë furnizimet nga SHBA.

Sipas vëzhguesve të trafikut ajror, është vënë re një fluks i lartë avionësh transportues të Pentagonit, që mund të sinjalizojnë dorëzimin e ngarkesave urgjente ushtarake në Izrael.

Ndërsa viktimat mes ushtarëve dhe civilëve rriten, propaganda nga të dy palët vazhdon të ndërtojë narrativa të kundërta. Me një bilanc humanitar të rëndë dhe pa shenja qartësie për një rrugë diplomatike, rreziku për përshkallëzim rajonal mbetet i lartë.