Sot afati i fundit per listat e kandidateve. PS mbledh Kryesinë, PD Këshillin Kombëtar

Ora 24;00 e ditës së sotme është edhe afati i fundit i dorëzimit të listave që përcaktojnë ekipet me të cilat partitë politike do të garojnë më 11 maj për përbërjen e parlamentit të ri.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme sot, mbledhja e Kryesisë së PD do të zhvillohet në orën 16:00, ndërsa mbledhja e Këshillit Kombëtar do të nisë në orën 19:00.

Gjatë këtyre mbledhjeve, do të shqyrtohen çështje të rëndësishme që lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve për deputet për zgjedhjet dhe strategjinë e fushatës elektorale. Pritet që, pas diskutimeve, të shpallen emrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë PD-në në zonat zgjedhore në gjithë vendin.

Burime të brendshme nga Partia Demokratike theksuan se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është duke u zhvilluar në mënyrë të kujdesshme dhe me një vëmendje të shtuar për të pasur përfaqësim të duhur në çdo nivel të vendit. Kjo është një fazë e rëndësishme për PD-në, pasi po punon për të rritur mbështetjen e elektoratit dhe për të arritur një rezultat të suksesshëm.

Këto mbledhje do të jenë një mundësi për anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të diskutojnë dhe miratojnë listat e kandidatëve, të cilët do të paraqiten për votim dhe do të udhëhiqen nga Partia Demokratike në këtë proces elektoral.
Ndërkohë edhe Partia Socialiste do të mbledhë Kryesinë, ku do të “vulosen” emrat që do të përzgjidhen nga listat paraprake të dorëzuara nga drejtuesit politikë.

Ende nuk është e qartë nëse kryeministri Edi Rama do të jetë pjesë e garës, pasi në mbledhjen e grupit të zhvilluar ditën e djeshme ai la të hapur mundësinë që edhe mund të mos jetë pjesë e listave.

Sipas Ramës, listat do të jenë një ndërthurje e eksperiencës të të “vjetërve’ dhe energjisë të të rinjtë që do të çoje në krijimin e një ekipi fitues për PS më 11 maj.

Ai paralajmëroi se të gjithë deputetët përveç drejtuesve politikë do të jenë në listë të hapur. Sa i përket listës së mbyllur Kryeministri deklaroi se do t’u takojë grave, të rinjve dhe të rejave.

Liderët europianë reagojnë pas arritjes së marrëveshjes mes SHBA-së dhe Ukrainës

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen thotë se blloku e mirëpret lajmin, duke e quajtur atë një “zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”.

“Ne mirëpresim lajmet e sotme nga Jeddah në lidhje me bisedimet SHBA-Ukrainë, duke përfshirë propozimin për një marrëveshje armëpushimi dhe rifillimin e shkëmbimit të inteligjencës dhe ndihmën e SHBA-së për sigurinë.

Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.

Topi tani është në fushën e Rusisë.

BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes.”, tha Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen

“BE është gati të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes,” shton António Costa, president i Këshillit të BE-së.

Udhëheqësi i Lituanisë, Gitanas Nausėda, thotë se “Ukraina ka treguar sërish gatishmërinë e saj për të kërkuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” dhe thotë se Rusia “duhet të përgjigjet”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron i është bashkuar liderëve të tjerë evropianë për të mirëpritur planin 30-ditor të armëpushimit të hartuar midis SHBA-së dhe Ukrainës në Arabinë Saudite duke postuar në X:

“Topi tani është në fushën e Rusisë. Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme, e cila mbështetet nga garanci të forta sigurie për Ukrainën”

Ukraina pranon propozimin e SHBA/ Kievi i gatshëm për armëpushim 30-ditor me Rusinë

Ukraina tha se do të pranonte një armëpushim 30-ditor me Rusinë pas bisedimeve me SHBA-në në Arabinë Saudite që synonin t’i jepnin fund luftimeve të martën, sipas një deklarate të lëshuar nga SHBA dhe Ukraina.

Marrëveshja erdhi pas më shumë se tetë orë negociatash midis zyrtarëve ukrainas dhe një delegacioni amerikan të kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio në qytetin saudit të Jeddah.

“Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve, dhe që është subjekt i pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe Ukraina të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, thuhet në deklaratë.

Deklarata tha po ashtu se SHBA “do të heqë menjëherë pauzën për ndarjen e informacioneve të shërbimeve inteligjente dhe do të rifillojë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”.

Apeli i GJKKO-Shtyhet per nesër vendimi për Erion Veliaj

Seanca per Erion Veliaj do te zhvillohet ne diten e neserme ne oren 12:30 .

Pas më shumë se 7 orësh, Apeli i Posaçëm nuk ka dalë me një vendim për Erion Veliajn. Kryebashkiaku i Tiranës, së bashku me 4 biznesmenë të tjerë të dosjes së tij, kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjykata vendosi që ta shtyjë seancën për ditën e mërkurë në orën 12:30. Mësohet se avokatët do të njihen me provat e reja te paraqitura nga SPAK

Veliaj, për më shumë se një muaj qëndron në paraburgimin e Durrësit, nën akuzën e korrupsionit dhe të pastrimit të parave.

Gjykata nuk ka pranuar avokatin amerikan, i cili kishte deklaruar më herët se kishte ardhur me statusin e vëzhguesit

4 vajza 18 vjece ,konfliktohen me gruan 37-vjeçare, përfundojnë në polici

Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet për procedim penal në gjendje të lirë ndaj katër vajzave të reja, të cilat u përfshinë në një konflikt në Rrugën e Kavajës.

Sipas njoftimit zyrtar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 3, bëhet fjalë për shtetaset J. D. (18 vjeçe), J. Sh. (19 vjeçe), H. K. (19 vjeçe) dhe A. K. (18 vjeçe), të cilat janë konfliktuar për motive të dobëta me një grua 37-vjeçare.

Policia ka nisur hetimet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset J. D., 18 vjeçe, J. Sh., 19 vjeçe, H. K., 19 vjeçe dhe A. K., 18 vjeçe, pasi në Rrugën e Kavajës janë konfliktuar për motive të dobëta me një shtetase 37-vjeçare.

Jep dorëheqjen dhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, ka dhënë dorëheqjen.
 Demo ka konfirmuar se ka dorëzuar dorëheqjen në Këshillin Bashkiak.

Ai do të jetë në listat e PS për deputet, së bashku me Agron Malajn dhe Tërmet Peçit, të cilët gjithashtu dhanë dorëheqjen nga bashkitë e tyre.








Kryebashkiaku socialist Tërmet Peçi jep doreheqjen ,do të garojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit

Kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi ka dhënë dorëheqjen nga ky pozicion, pasi pritet të garojë si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës.

Peçi bëhet i dyti kryebashkiak socialist që ndërmerr këtë veprim pas Agron Malajt, i cili po ashtu dha dorëheqjen nga pozicioni i kryebashkiakut në Mat.

Në listën e Fierit Ceno Klosi nën hetim nga SPAK-Petro Koçi: Kush ka probleme me drejtësinë të mos kandidojë

Në një intervistë për News 24, deputeti i PS-së, Petro Koçi, ka komentuar kandidimin e Ceno Klosit në listën e Fierit për zgjedhjet e 11 majit, duke u shprehur se nuk është e përshtatshme që personat nën hetim nga SPAK të kandidojnë.

Koçi ka theksuar se një individ që ka një hetim serioz nga SPAK, që mund ta çojë në statusin e të pandehurit, duhet të shmangë kandidaturën për t’i hapur rrugë fushatës më të pastër dhe për të mos i dhënë mundësi opozitës për ta sulmuar.

Ai ka bërë thirrje që këta individë të mos paraqiten si kandidatë në zgjedhje, pasi një gjë e tillë mund të dëmtojë fushatën dhe imazhin e Partisë Socialiste.

Petro Koçi: Do ishte në nderin e çdo kandidati, që nëse ka hetim serioz nga SPAK (kur është proces që mund të të çojë në statusin e të pandehurit), duhet që vetë personi të mos kandidojë. Nuk është e mirë për fushatën. Kjo, sepse i jep mundësi Koalicionit të Shëmtisë Madhështore që të thotë që ky individ kështu e ashtu. Megjithëse aty ka njerëz që kanë probleme me drejtësinë. Nuk i duhet dhënë mundësi këtij grupimi që të na sulmojë qoftë dhe me kandidatë aty-këtu. Unë iu bëj thirrje personave të tillë mos të kandidojnë.