Mjeku i spitalit te FIERIT perfundon ne prokurori pasi mori nje shume parash nga nje pacient

DVP Fier

•Pas transmetimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, të rastit ku shfaqet një mjek duke marrë një shumë parash për një operacion që kishte kryer, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. S., 64 vjeç, banues në Fier (mjek në Spitalin Rajonal Fier), për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Modeli ekonomik, Shqipëria kampione e Europës në ndërtim

Shqipëria është karakterizuar nga një zhvillim ekonomik i paqëndrueshëm, për të mos thënë kaotik, pas viteve ’90. Rritja ishte e shpejtë deri në ‘96-n, e ndikuar nga privatizimet, tregtia, hapësirat e mëdha për biznes, si dhe nga konsumi i nxitur nga skemat piramidale.

Rënia e këtyre të fundit çoi në krizën e ‘97-s, me tkurrje ekonomike në gati 12%. Rikuperimi ishte i shpejtë, një tipar ky që e ka karakterizuar ekonominë gjatë këtyre dekadave, me bizneset e konsumatorët që përshtaten shpejt, si nëpërmjet vetëpunësimit ashtu edhe hapësirave të tjera për të bërë biznes.

Ekonomia informale dhe prurjet e vazhdueshme të emigrantëve janë gjithashtu një tjetër faktor pothuajse i përhershëm. Deri në 2008-n, ekonomia u rrit me shpejtësi, ku dy faktorë kryesorë që ndikuan ishin zhvillimi i telekomunikacioneve dhe sistemit financiar, kryesisht atij bankar, me norma që arritën deri në 9% në 2001.

Pas krizës financiare të 2008-s u kalua në normalitetin e ri, ku normat e rritjes nuk ishin më të larta se 3-4%, një tendencë kjo për gjithë rajonin në zhvillim. Goditja e radhës ishte pandemia e 2020-2021, rikuperimi pas së cilës sërish ishte i shpejtë. Ndërsa shifrat e rritjes ekonomike kanë qenë përgjithësisht të kënaqshme, faktorët që e kanë nxitur atë kanë qenë të paqëndrueshëm

Tendenca normale ishte rënia graduale e peshës së bujqësisë, nga 32% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 1995, në 15.5% në fund të vitit 2024. Pavarësisht rënies, Shqipëria vijon të mbetet shteti më bujqësor në Europë, me rreth 18.6% në Vlerën e Shtuar Bruto (VSB) në 2023-n, sipas Eurostat, teksa mesatarja e BE-së është 1.8% dhe shteti i dytë me peshën më të lartë është Kosova me 9%.

Kjo varësi nga bujqësia nuk e ka ndihmuar këtë sektor të jetë konkurrues, teksa një pjesë të madhe të produkteve ushqimore sot po i sigurojmë nga importi. Ndërtimi ka qenë gjithnjë bashkëshoqërues i ekonomisë, me dy cikle. I pari ishte pas vitit 1999, arriti maturimin në 2011-n dhe filloi më pas rënien deri në vitin 2015. Nga viti 2017 nisi cikli i ri, i nxitur fillimisht nga ndërtimet në kryeqytet, e më pas në bregdet.

Cikli i dytë nuk ka arritur ende maturimin dhe nuk dihet se kur do të ndodhë teksa lejet e ndërtimit, sidomos në kryeqytet, çdo vit po arrijnë një rekord, ku çdo ditë prezantohen projekte të reja të ndërtesave shumëkatëshe.

Shqipëria mban rekord në Europë për peshën e ndërtimit në ekonomi. Në vitin 2023, ky sektor sillte 13.8% të vlerës së shtuar bruto, sipas Eurostat, nga 5.6% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Shteti i dytë pas Shqipërisë është Kosova (10.1%), ndërsa në vendet e tjera të Europës, ndërtimi kontribuon mesatarisht 2-7% në ekonomi. (shiko grafikun: Pesha e ndërtimit në vlerën e shtuar bruto, Europa).

Të dhënat e kryqëzuara mes rritjes së të ardhurave (pagave), aktivitetit real të ekonomisë, kredisë në banka, strukturës së bizneseve e kërkesës reale sugjerojnë se një pjesë e këtij sektori financohet nga burime informale.

P.sh., që nga viti 2014, çmimet e apartamenteve janë rritur 10 herë më shumë se paga mesatare, duke e bërë pothuajse të pamundur për shtresën e mesme blerjen e një apartamenti, që sot kushton minimalisht 1500-2000 euro/m², teksa paga mesatare mujore është rreth 770 euro/muaj.

Shqipërisë i mungojnë dhe bizneset e mëdha, që do të kishin kërkesë për hapësira zyrash. Sipas INSTAT (për vitin 2023), vetëm rreth 1454 biznese në vend kanë më shumë se 50 punonjës dhe 168 më shumë sesa 250 punonjës.

Pjesa më e madhe e tyre janë në sektorë me vlerë të shtuar të ulët, si fason, që shfrytëzon kahun e lirë të fuqisë punëtore. Forcimi i ndjeshëm i Lekut është një tjetër faktor që tregon praninë e lartë të parave informale.

Nga fundi i 2016-s, kur filloi vala e dytë e ndërtimeve, Euro është zhvlerësuar me rreth 27% (monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë në vitin 2024, nga 137.4 lekë në 2016).

Për të njëjtën periudhë, deficiti i llogarisë korente (që mat hyrje-daljet e valutës nga vendi) nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm, si rrjedhojë e nivelit të lartë të importeve në një vend që pothuajse nuk prodhon më asgjë.

Industria është një sektor që historikisht ka shfrytëzuar krahun e lirë të fuqisë punëtore, apo nxjerrjen e pasurive natyrore, që Shqipëria i ka me shumicë. Sektori nuk ka arritur të bëhet konkurrues dhe të rrisë vlerën e shtuar.

Industria me material porositësi, që kontribuon në gati një të tretën e eksporteve, po rrezikon falimentin përballë rritjes së pashmangshme të kostos së lirë të fuqisë punëtore. Agropërpunimi nuk po i bën ballë hapjes së tregjeve dhe një pjesë e madhe e sipërmarrjeve po kthehen në importuese apo thjesht ambalazhuese.

Në vitin 2024, Shqipëria arriti një deficit tregtar rekord prej 5.7 miliardë eurosh, ndërsa raporti i mbulimit të importeve ishte 41.7%, më i ulëti që nga viti 2012. Të dhënat e Eurostat e rendisin Shqipërinë ndër të fundit në Europë sa i përket peshës së industrisë (përveç ndërtimit) në ekonomi. Në vitin 2023, kjo peshë ishte 12.6%, duke lënë pas vetëm Malin e Zi, Maltën, Qipron dhe Luksemburgun.

Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 20%, ndërsa në Kosovë, Serbi e Bosnjë-Hercegovinë, industria kontribuon në rreth 22% të vlerës së shtuar në ekonomi e në Maqedoninë e Veriut, rreth 20%. (shiko grafikun: Pesha e industrisë në vlerën e shtuar bruto, Europa).

Aktivitetet profesionale dhe shërbimet mbështetëse janë një dëshmi e shpirtit sipërmarrës të shqiptarëve. Nga më pak se 1% e vlerës së shtuar bruto në 1995-n, ky sektor kontribuon sot në 8.3% të ekonomisë.

Profesionet e lira dhe shërbimet për të tretët janë zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, teksa vetëpunësimi në Shqipëri është ndër më të lartët në Europë, me mbi 30%. Serbia (9.1%) dhe Shqipëria kanë peshën më të lartë të këtij aktiviteti në rajon dhe të krahasueshëm me mesataren europiane prej 12%.

Nëse ka një sektor që nuk është zhvilluar është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimeve, që duket se është penguar nga niveli i lartë i informalitetit në vend. Në fillim të viteve 2000, sektori financiar mori hov të shpejtë dhe tërhoqi investime nga bankat e mëdha perëndimore.

Një pjesë e tyre u tërhoqën pas krizës financiare të vitit 2008. Shqipëria është sot e nënkredituar në raport me rajonin dhe ka përdorim më të ulët të shërbimeve financiare, sipas FMN-së. Sigurimet dhe alternativat e tjera financiare të investimeve mbeten edhe më pak të zhvilluara.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet e fundit në Europë për peshën e aktiviteteve financiare e të sigurimeve në vlerën e shtuar bruto, me vetëm 1.8%, nga 4.5% që është mesatarja e BE-së. Kosova kryeson në rajon me 6.4%, e ndihmuar dhe nga Trusti i Pensioneve.

Investimet e Huaja Direkte arritën rekord, por kompanitë mungojnë

Investimet e Huaja Direkte kanë qenë historikisht të larta në shifra, por kanë pasur pak ndikim real në rritjen e vlerës së shtuar të ekonomisë në dekadën e fundit.

Për periudhën 2009-2021, ato u luhatën në rreth 1 miliard euro në vit. Nga viti 2022, prurjet e huaja kërcyen, duke arritur në rekordin e 1.58 miliardë eurove në 2024-n, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Deri në vitin 2018, IHD-të ishin të larta si rrjedhojë e investimeve në industrinë nxjerrëse, kryesisht atë të naftës (Bankers Petroleum), që është shitje e pasurive bruto natyrore të vendit. Më pas IHD-të u zhvendosën në energji, teksa vendi kishte shansin që në tokën e tij të ndërtohej gazsjellësi TAP.

Këto investime ishin tuba që u futën nën tokë, ndërsa Shqipëria ende nuk mund ta shfrytëzojë gazin që kalon nën të, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Investime të tjera ishin në fushën e prodhimit të energjisë hidro (Devolli, Ashta), që sot kanë ndikuar në rritjen e prodhimit të energjisë e eksporteve.

Nga viti 2022, IHD-të u mbajtën në këmbë nga blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sërish një investim që solli valutë, por jo vlerë të shtuar dhe njohuri në ekonomi. Në vitin 2024, blerjet e pasurive të paluajtshme sollën 24% të IHD-ve në vend.

Në dekadën e fundit kanë munguar investimet e huaja cilësore në ekonomi, teksa ka pak hyrje të kompanive të huaja. Sektori që solli më shumë prurje është industria mbështetëse automotive, që u zhvendos në Shqipëri (Yura, Swisscabind, Delmon, Forschner), teksa kompanitë në Europën Lindore, si Çeki, apo Poloni kaluan në një fazë më të lartë automatizimi.

Interes ka pasur dhe për energjinë, kryesisht atë të diellit (Voltalia).

Një pjesë e madhe e flukseve janë fitime të riinvestuara të investitorëve ekzistues, jo hyrje të reja. Për vitin 2024, fitimi i riinvestuar arriti në 853 milionë euro, ose pothuajse sa 54% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte.

Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të Investimeve të Huaja Direkte. Në një pjesë të madhe këto janë rritje e kapitalit të bankave, si rrjedhojë e kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë./ Monitor

Raporti i OSBE/ODIHR-it për “11 majin”: Situata tejet e polarizuar

Eksperte e çështjeve zgjedhore KRIIK, Antuela Male, theksoi se raporti i pak ditëve më parë i OSBE/ODIHR-it është një raport paraprak dhe përshkrues.

Sa i përket situatës politike në vend, Male shprehet se kemi një situatë politike të polarizuar.Pra kjo situatë e polarizuar, gjuha denigruese e palëve në fushatë dhe mungesa e programeve ka sjellë këtë situatë.

Dhe kjo situatë do të intensifikohet edhe më shumë deri në ditën e zgjedhjeve”, u shpreh ndër të tjera ekspertja e KRIIK, Antuela Male.

4.3 mld euro qarkullojnë në duart e shqiptarëve

Në Shqipëri qarkullojnë rreth 4.3 miliardë euro jashtë bankave. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se paraja fizike që gjendet jashtë sistemit bankar ka vijuar të rritet me një ritëm të shpejtë edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.

Në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, ku paraja që qarkullonte jashtë bankave ishte gati 3.9 miliardë euro, tashmë kemi një rritje me 397 milionë euro ose 10.2% të parasë që qarkullon në duart e shqiptarëve. Ndërkohë, rikujtojmë se në fund të vitit 2024, paraja jashtë korporatave depozituese ishte 4.2 miliardë euro nga 3.9 miliardë në 2023, dëshmi e trendit të shpejtë rritës.

Këto shifra tregojnë një prani më të madhe të parasë fizike në ekonomi, e cila mund të vijë për një sërë arsyesh që përfshijnë kulturën e shqiptarëve për të kryer pagesa me para në dorë, normat e ulëta të interesit për depozitat që i shtyn individët të mos i mbajnë kursimet në bankë, niveli i lartë i ekonomisë informale, paraja nga burime të paligjshme dhe të tjera.

Në drejtim të uljes së përdorimit të parasë “cash” në ekonomi, në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave parashikohej që gjatë 2025 të vendosej një limit për pagesat cash mes individëve, të reduktoheshin më shumë pagesat me para në dorë mes bizneseve nga 150.000 lekë që është aktualisht, apo të krijoheshin rregulla të riskut, të cilat evidentonin tatimpaguesit që fragmentizonin faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji.

Ndërkohë, pritet që të ulen edhe komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve.

Gjithashtu, për të nxitur edhe më tepër kryerjen e pagesave elektronike, kompania amerikane Mastercard pati njoftuar më herët se duke filluar nga 1 maji 2025 do të shpërndante 4750 terminale POS falas për tregtarët shqiptare. Ky program do t’i vinte në ndihmë shumë bizneseve të cilët nuk kanë instaluar akoma një terminal POS, për shkak të kostos së lartë me të cilin shoqërohej ky i fundit, por në të njëjtën kohë do të ofrojë një mundësi më shumë për qytetarët që të kryejnë pagesa me kartë.

Qeveria miraton ndërtimin e dy centraleve fotovoltaike në Fier dhe në Kolonjë

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 30 MW në fshatin Povelçë, në Fier.

Projekti do të realizohet nga shoqëria “EZ-5 ENERGY” sh.p.k dhe centrali duhet të ndërtohet dhe të vihet në punë brenda 36 muajve.’Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave. Vendosi: 1.

‘Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave. Vendosi: 1.

Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë , njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “EZ-5 ENERGY” , sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon: a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k.; b) NIPT/NUIS: L91325503D; c) Tipi i centralit: Fotovoltaik; ç)   Kapaciteti i instaluar: 30MË; d)  Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;

e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi; f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit’, thuhet në vendim. 

Sipas VKM, shoqëria ka detyrimin të raportojë çdo 3 muaj për progresin, të zbatojë të gjitha kushtet mjedisore dhe të sigurojë kontratën me një garanci prej 5% të investimit.

Gjithashtu, ajo do t’i japë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë 2% të energjisë së prodhuar çdo vit si kontribut falas. Mbikëqyrja do të kryhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

‘Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që: i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik; ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;

iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;

iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit; v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi’, thuhet në vendim.

Ndërkohë, qeveria ka miratuar edhe një ndërtimin e një centrali tjetër në fshatin Rehovë të Kolonjës.

‘MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3164, FSHATI REHOVË, NJËSIA ADMINISTRATIVE QENDËR, BASHKIA KOLONJË, QARKU KORÇË, NGA SHOQËRIA “GET SOLAR SOLUTION”, SH.P.K’, thuhet në vendim. 

Prokuroria e Fierit sekuestron 5000m2 tokë arë të përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi 5000 m2 tokë e llojit ‘arë’, e dyshuar e përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. 

Në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.215, datë 28.02.2023, për veprën penale, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i filluar mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, rezultoi se shtetasi D.F., me anë të dokumentit të falsifikuar “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, ka përfituar 5000 m2 tokë arë, në fshatin Bishan, Fier, të cilën e ka regjistrur në vitin 2002. 

Më pas, në vitin 2010, mbi bazën e një plan relevimi dhe aplikimit të shtetasit D.F., është kryer ndarja pasurisë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe 4250 m2 dhe 750 m2.

Në funksion të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumenti i falsifikuar:

– Pasuri e paluajtshme llojit “are” me sipërfaqe 5000 m2, e ndarë në dy pasuri me sipërfaqe 4250 m2 dhe 750 m2, zona kadastrale 1192, fshatin Bishan, Levan, Fier. 

Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminal, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale.

Rama inspekton punimet për fazen e 3-te në rehabilitimin e lumit Gjanica

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet për rehabilitimin e lumit Gjanica, duke vlerësuar përmirësimet e mëdha që po bëhen në këtë projekt.

Ai ka theksuar se deri para pak kohësh, lumit Gjanica i mungonte një trajtim adekuat, duke u shndërruar në një “gangrenë mjedisore” që ndoste të gjithë rajonin.

Sipas Ramës, ndërkohë që puna është në vazhdim, sot ky lum ka ndryshuar drastikisht, duke u bërë një shëtitore e bukur dhe një oaz i gjelbër për qytetin e Fierit, që kontribuon në transformimin urbanistik të kësaj zone.

“Në kantierin e punimeve të lotit 3, të rehabilitimit të lumit Gjanica, deri dje një gangrenë mjedisore e mbindotur në tërë gjatësinë e lumit, ndërsa sot një nga shëtitoret më të bukura, e gjitha një oaz i gjelbër për qytetin që plotëson më tej mozaikun e transformimit urbanistik që po ndodh në Fierin e rilindur”, shkruan Rama.

“Shqipëria në BE brenda vitit 2027”/ Komisionerja për zgjerimin, Marta Kos: Dështim nëse nuk anëtarësohen brenda mandatit tim

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, shprehet e bindur se gjatë mandatit të saj do të ketë anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.E kundërta për të do të ishte dështim, ndërsa mendon se anëtarët e rinj do të jenë Shqipëria dhe Mali i Zi. “Mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026, dhe me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, komisionerja e BE për Zgjerim vë në pikëpyetje rrugëtimin e Serbisë në union, teksa shprehet se “Më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së, atëherë do të duhet të japin rezultate”.

Në fokus të intervistës ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, si parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.

Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha komisionerja Kos.

E pyetur nëse Bashkimi Evropian do të heqë masat ndaj Kosovës, Marta Kos u shpreh se “Jemi duke e diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”.