Kranioplastika e parë e suksesshme në Spitalin Memorial Fier: 75-vjeçari i rikthehet jetës pas një goditjeje të rëndë në tru

Në Spitalin Memorial në Fier është realizuar me sukses kranioplastika e parë, një ndërhyrje e avancuar neurokirurgjikale që i ka kthyer shpresën për jetë një pacienti 75-vjeçar, i cili kishte pësuar një goditje të rëndë cerebrale

Pas një periudhe 6-mujore pritjeje dhe përkujdesjeje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu rivendos pacientit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt rikuperimit. Tashmë ai është lëshuar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore, duke i hapur rrugën një jete më cilësore dhe të pavarur.

Ndërhyrja u realizua nga një ekip mjekësor multidisiplinar, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim bënë të mundur suksesin e operacionit:

Dr. Egemen Nursoy

Dr. Klaudio Disha

Dr. Hasan Bayindir

Dr. Holta Kraja

Dr. Xhesika Hoxha

Infermierja Fjorida Ago

Ky operacion shënon një arritje të re për neurokirurgjinë shqiptare dhe rrit kapacitetet e trajtimit të pacientëve brenda vendit, duke sjellë shpresë dhe besim tek sistemi shëndetësor publik 

Kodi i ri penal, burg kush bën komente kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dënohen edhe gazetarët që publikojnë të dhëna sekrete

Gavel And Scales Of Justice On Desk In Law Office

Parlamenti i ri i cili do të nisë punën në shtator do të fillojë me shqyrtimin e draftit të ri të kodit penal, i cili u prezantua pak ditë më parë nga krerët më të lartë të Drejtësisë në vend.Ky draft pritet të shoqërohet me debate të forta për shkak të përmbajtjes së disa prej neneve të tij.

Konkretisht në nenin 516 të draftit parashikohet dënimi për ata që zbulojnë të dhëna sekrete, përfshi këtu edhe gazetarët.Në pikën 1 të këtij neni thuhet se “Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”.

Ndërkohë që pika 3 i referohet publikimit të të dhënave konfidenciale. “Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi”.

Një tjetër nen i debatueshëm është 536 që ka të bëjë me ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit. Komentet që kanë për qëllim ndikimin e gjykatës gjatë vendimmarrjes pritet të dënohen me burgim deri në 3 vjet, sipas kodit të ri penal.

Neni 516

Zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë

  1. Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
  2. Zbulimi që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre dënohet sipas dispozitës penale të posaçme bazuar në llojin e pasojës së ardhur dhe, konkurron me paragrafin një të këtij neni.
  3. Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.

Neni 536

Ndikimi në pavarësinë e gjykatës

Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Balluku: Dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit.

Gjatë një deklarate nga Bulqiza, Balluku theksoi se autorët e zjarrvënieve do të përballen me dënime maksimale dhe se identiteti i tyre do të bëhet publik për të dekurajuar raste të tilla në të ardhmen.

“Është e patolerueshme kjo që po ndodh. Nuk është vetëm në Bulqizë, por në të gjithë Shqipërinë,” – tha Balluku.

Situatë kritike në jug, por pa humbje në jetë njerëzish

Ministrja nënvizoi se situata mbetet veçanërisht e rënduar në jug të vendit, ku disa vatra zjarri janë ende aktive, por theksoi se nuk janë regjistruar humbje në jetë njerëzish, çka është një arritje falë angazhimit të strukturave shtetërore.

“Është bërë një punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura. Ata kanë qenë në vijën e parë të kësaj beteje me flakët,” – u shpreh ajo.

Thirrje për ndërgjegjësim dhe vlerësim për strukturat e shtetit

Balluku shprehu mirënjohje për të gjithë personelin e angazhuar në terren dhe bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, ndërsa u shpreh optimiste se ulja e temperaturave ditët në vijim do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve dhe rikuperimin e dëmeve.

Edi Rama: Polici që dhunoi qytetarin në Vlorë do të përjashtohet nga Policia dhe do të përballet me drejtësinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ne platformen X ndaj ngjarjes së ndodhur në Vlorë, ku një efektiv i Policisë së Shtetit është përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit. Sipas Kryeministrit, pezullimi nga detyra është vetëm masa e parë, dhe duhet të pasohet nga përjashtimi pa të drejtë rikthimi në polici, si edhe nga dorëzimi i menjëhershëm në duart e drejtësisë sapo efektivi të dalë nga spitali.

Postimi i Edi Rames ne X

Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali. 

Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë  komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit. 

*Shembull: Çdo punonjës apo zyrtar i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh

Policia Fier ka ndërhyrë në disa incidente që kanë përfunduar me arrestime dhe procedime penale.

Fier

•Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në rrjetet sociale ku në ambientet e Spitalit Rajonal Fier shfaqen disa shtetas duke u konfliktuar, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestun në flagrancë shtetasit O. O., 18 vjeç dhe P. O., 22 vjeç, banues në Levan, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. O., 28 vjeç dhe R. H., 50 vjeç, banues në Levan, pasi ditën e djeshme, në ambientet e Spitalit Rajonal Fier janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, duke u goditur me grushte, dhe nuk i janë bindur urdhrit të Punonjësve të Patrullës së Përgjithshme për tu shoqëruar në Komisariatin e Policisë.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin I. J., 27 vjeç, banues në Fier si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin U. J., 51 vjeç, banues në Fier dhe për një shtetas të mitur 15 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lokalin në pronësi të shtetasit B. S., 50 vjeç, banues në Fier, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, si edhe kanë thyer sende të ndryshme në lokal.

•Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. Z., 35 banues në Mallakastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Zjarret kërcënojnë rrjetin energjetik, stakohet linja 35 kV për arsye sigurie

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar lidhur me ndikimin e situatës së zjarreve në sistemin energjetik të vendit. Ajo bëri me dije se për arsye sigurie, janë ndërmarrë masa të menjëhershme për të shkëputur nga rrjeti disa nënstacione dhe linja transmetimi që ndodhen në afërsi të vatrave aktive të zjarrit.

Rasti më i fundit është regjistruar në zonën e Bulqizës, ku flakët i janë afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, kjo linjë është stakuar, duke lënë pa energji elektrike nënstacionet Krastë, Batër si dhe hidrocentralet e zonës përreth.

“Dëmet në sistemin energjetik si pasojë e zjarreve janë të konsiderueshme, por ende të përballueshme nga operatorët, duke garantuar vijimësinë e shërbimit për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i jetës dhe infrastrukturës, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.

Dh*noi kamarierin për një shishe ujë, pezullohet oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:
-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar Ardian Isufi, jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.
Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.

Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Skandal në Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Një incident i rëndë ka ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” të Vlorës, ku ish-shefi i qarkullimit rrugor në këtë qytet, aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, Ardian Isufi, është përfshirë në një përplasje fizike me një 18-vjeçar, kamerier në lokal. Ngjarja ndodhi jashtë orarit të shërbimit, dhe si pasojë, Isufi është pezulluar menjëherë nga detyra.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, gjithçka nisi për një konflikt banal: porosia që u shërbye kishte një shishe ujë më shumë se ç’ishte kërkuar. Isufi dhe një person me precedent penalë, L. B., 57 vjeç, kanë goditur kamerierin e ri, A. B.

Por situata mori përmasa të tjera kur pronari i lokalit, V. B., 53 vjeç, ndërhyri për të mbrojtur punonjësin e tij dhe sulmoi fizikisht vetë oficerin e policisë, duke e lënë këtë të fundit të plagosur dhe të shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Policia ka nisur menjëherë një procedurë disiplinore të rëndë ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi sjellja e tij konsiderohet si një akt që dëmton rëndë figurën e policisë dhe besimin e qytetarëve tek institucioni.

Për ngjarjen janë përfshirë në hetim edhe shtetasi E. M. dhe të tjerë persona të pranishëm në përplasjen fizike.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijojnë procedurat ligjore për të sqaruar të gjitha rrethanat e konfliktit.

Policia e Shtetit ka reaguar duke dënuar ngjarjen dhe ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga ana e efektivëve të saj.