Berisha tha se mund të udhëtojë drejt SHBA, në faqen zyrtare të DASH vijon të jetë vendimi ‘non grata’ i vitit 2021

Në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit vijon të jetë vendimi i vitit 2021, ndërkohë që kryedemokrati Sali Berisha thotë se mund të udhëtojë drejt SHBA dhe u dënua vendimi i firmosur nga ish sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.Ndërsa u shpreh se për momentin nuk do të udhëtojë drejt SHBA pasi këto ditë ishte kulmi i fushatës elektorale para zgjedhjeve të 11 majit, ai theksoi se “non grata është konsideruar vendim politik, është dënuar, ky është dënim i atij vendimi. Se është tjetër kur shqyrtohet dhe kjo apo ai qëndrim, por është shpallur; vendime të politizuara të administratës Biden, është paekuivok. Pra është e pashpresë”.

Ende nuk ka një reagim zyrtar të Departamentit të Shteti në lidhje me vendimin.Blinken në 19 maj 2021 shpalli ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjen e tij non grata “për korrupsion madhor”.

Në një njoftim për shtyp, Blinken deklaroi: “Sot unë po shpall publikisht Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”

Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”

Bashkë me Berishën u shpallën ‘non grata’ bashkëshortja e tij Liri Berisha, i biri, Shkëlzen Berisha dhe vajza e tij, Argita Berisha Malltezi.

Vendimi i DASH në vitin 2021

Elektricisti humb jetën gjatë punimeve në një qendër votimi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Kodër Rrëshen të Mirditës, ku një elektricist ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë punimeve për të siguruar furnizimin me energji elektrike në një qendër votimi.Bëhet me dije se viktima është identifikuar si Emiljano Bunga, punonjës i OSHEE-së, ndërsa dy kolegët e tij janë dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur te godina e ish-shkollës së mbyllur në Kodër Rrëshen, ku po punohej për të mundësuar energjinë elektrike për qendrën e votimit.

Mirditë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, në Rrëshen, shtetasi E. B., rreth 37 vjeç, elektricist, gjatë punës në një shtyllë elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, dhe për pasojë ka humbur jetën. Gjatë punës janë dëmtuar lehtë edhe shtetasit Z. P., 60 vjeç, dhe T. D., 58 vjeç, elektricistë. 

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Cfare ka ndodhur ne Fier ne 24 oret e fundit, njoftim i policise

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-J. T., 64 vjeç, banues në Skrapar, pasi dje, autoambulanca që drejtonte ky shtetas, u përplas me kamionin që drejtonte shtetasi I. S.. Si pasojë, vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, pacienti që po transportohej me autoambulacë dhe punonjësi i Policisë që e shoqëronte;
-Xh. B., 35 vjeç, banues në Fier, pasi ditën e djeshme, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, goditi një pemë. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. B., 35 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë:
-shpallën në kërkim shtetasin L. M., 48 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje. Punohet për kapjen e 48-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi E. Y., 40 vjeç, se për motive të dobëta, është goditur me grushte, nga shtetasi S. V., 58 vjeç, banues në Lushnjë;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi D. M., 24 vjeç, se për motive të dobëta, është goditur me grushte, nga shtetasi E. D., 27 vjeç, banues në Kolonjë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. Sh., 59 vjeç, banues në fshatin Hekal, pasi dyshohet se ka shfrytëzuar tokën në pronësi të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Pyetja 6 milionë dollarëshe: A mund të udhëtojë Sali Berisha në SHBA dhe çfarë do të thotë kjo sot?

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, debati mbi statusin “non grata” të Sali Berishës në SHBA është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë pas një postimi në Twitter nga gazetari amerikan Mark Caputo.Caputo pretendon se ka komunikuar me një përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se ka marrë një përgjigje që lë të kuptohet se, në disa raste, udhëtimi i Berishës në SHBA nuk përjashtohet plotësisht. Ai nuk ka publikuar emra, tituj zyrtarë apo dokumente që e mbështesin këtë pohim. Komenti i tij u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare, duke ngjallur diskutim mbi vlefshmërinë dhe kohën e kësaj deklarate.

Kjo vjen në një moment kur Partia Demokratike ka lidhur një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh me strategun politik amerikan Chris LaCivita, një emër i njohur në fushatat konservatore në SHBA. Qëllimi: të ndikojë në rishikimin e statusit të Berishës nga institucionet amerikane.

Pyetjet që dalin janë disa:
• A përbën deklarata e Caputo-s një komunikim real institucional, apo një interpretim personal?
• A ka ndryshuar qëndrimi i SHBA lidhur me Berishën?
• Dhe nëse po, çfarë ndikimi mund të ketë një zhvillim i tillë në këtë fazë të fushatës?

Në të kaluarën, figura të shpallura “non grata” nga SHBA — si Nicolás Maduro apo Robert Mugabe — janë lejuar të udhëtojnë për arsye të veçanta, si pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por këto janë raste të kufizuara dhe të lidhura ngushtë me protokolle ndërkombëtare, jo me angazhime politike dypalëshe.

Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në prag të një vendimi kombëtar, ku fjalët peshojnë po aq sa veprat, mbetet për t’u parë nëse ky është një sinjal real politik apo një tentativë e minutës së fundit për të ndryshuar narrativën. Por një gjë është e qartë:

Statusi “non grata” nuk zgjidhet me status në Twitter. Dhe një pyetje që kushton 6 milionë dollarë meriton një përgjigje më shumë se gjysmë të thënë.

SPAK publikon të dhënat për krimin elektoral: Janë administruar 123 materiale kallëzuese, 35 kaluan për hetim

Prokuroria e Posaçme ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me krimet zgjedhore.
Bëhet me dije se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit, pra janë regjistruar si procedime penale.

22 janë vendime për mosfillim të hetimit penal, ndërsa 16 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

SPAK njofton se 10 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë për informacion shtesë ose për kryerje të veprimeve të para, ndërsa 1 material është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese.

Në lidhje me 35 procedimet, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK. Vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. Dy të tjera kanë nisur nga kallëzimet e subjekteve politike dhe dy të fundit janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

“29 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje).
4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje).
1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike).
1 procedim është regjistruar për nenin 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenin 248 (shpërdorimi i detyrës)”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Rama jep lajmin e mire : U miratua hapja e 8 grup-kapitujve të tjerë. Fati europian është në duart tona më 11 maj

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy”, me gjasë e fundit deri në zgjedhje në serinë e komunikimeve me komentuesit mëngjeset e së martave dhe të enjteve.

Rama njoftoi sot se është aprovuar hapja e grup-kapitullit tjetër në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërsa theksoi se deri më tani janë hapur 16 grupkapituj dhe së shpejti do të hapen edhe 8 të tjerë, duke e çuar numrin total në 24 nga 35 gjithsej.

Ai theksoi se ky progres i shpejtë është tregues i angazhimit të Shqipërisë dhe vullnetit politik për të përmbushur standardet europiane.

“Grupkapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u haur. Kemi hapur 16, hapim edhe 8 të tjerë tani, bëjnë 24, mbeten edhe 11 për t’u hapur. Kam besim dhe shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 majit hapim edhe të tjerat brenda këtij viti. Ky do të ishte një rekord sepse asnjë vend nuk i ka hapur të gjitha për një vit. Fati europian është në duart tona”, tha ai.

LaCivita i përgjigjet etiketimeve të Ramës me imazhin e miut në kthetra

Kryestrategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita ka vijuar “thumbimet” e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter).

Vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, LaCivita ka publikuar një foto simbolike që tregon një buf që ka kapur një mi, duke e shoqëruar me etiketimin e adresës zyrtare të kreut të qeverisë, Edi Rama, pa asnjë koment tjetër.

@ediramaal pic.twitter.com/qaAiOhhreU

— Chris LaCivita (@ChrisLaCivita) May 8, 2025

Kjo nuk është hera e parë që LaCivita përdor llogarinë e tij personale në X për të sulmuar Ramën, të cilin e ka krahasuar me një mi, në përgjigje të etiketimit të kryedemokratit Sali Berisha si “bufi i kënetës” nga ana e kryeministrit.

Megjithatë këto replika në distancë janë vijuar edhe nga vetë Rama, që përveç cilësimeve ndaj Berishës, nuk ka ngurruar të quajë LaCivita me tone ironike si “Latifi”.

Incident në mitingun e PD në Elbasan, pl*goset në kokë djali i Luçiano Boçit

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme gjatë mitingut elektoral të PD ku nga informacionet në terren mësohet se djali i deputetit Luçiano Boçi ka mbetur i plagosur në kokë.

Burimet në terren, konfirmojnë se Parid Boçi ndodhet ne Spitalin Rajonal te Elbasanit për mjekim.

Ai ka një çarje në kokë, por pa pasoja serioze.

Policia e Elbasanit po kryen veprimet proceduriale dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.