Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë: Humbet 6.4% të meshkujve 25-29 vjeç brenda një viti

Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë: Humbet 6.4% të meshkujve 25-29 vjeç brenda një viti

Tiranë, 7 gusht 2025 – Shqipëria po përballet me një çekuilibër demografik alarmant, që po thellohet nga viti në vit. Sipas një analize të publikuar nga “Scan Intel”, e cila krahasoi të dhënat nga viti 2024 me ato të vitit 2025, vendi po humbet me shpejtësi popullsinë e re – veçanërisht meshkujt në moshën më produktive, ndërkohë që popullsia e të moshuarve po rritet ndjeshëm.

Valë e fortë emigracioni te të rinjtë, veçanërisht meshkujt

Të dhënat tregojnë se grupmosha 25-29 vjeç ka pësuar një tkurrje me 6.4% te meshkujt dhe me 4.1% te femrat – një tregues i qartë i emigracionit masiv. Ky është një numër i paprecedentë për një grupmoshë që përfaqëson zemrën e fuqisë punëtore.

Edhe grupmosha 20-24 vjeç ndjek të njëjtin trend, me një peshë më të madhe të largimeve te meshkujt. Ky fenomen lidhet kryesisht me largimin për arsim, punësim apo mungesë perspektive brenda vendit.

Rriten të moshuarit, bien lindjet: Shqipëria po plaket

Nga ana tjetër, grupmoshat mbi 65 vjeç po rriten me ritme të shpejta. Veçanërisht grupmosha 75-79 vjeç ka shënuar rritje me 9.5% për gratë dhe 8.0% për burrat, ndërsa edhe grupmosha 85+ ka njohur rritje dyshifrore.

Paralelisht me këtë plakje, po bie edhe lindshmëria. Grupmosha 0-4 vjeç ka rënë me 2.9% për meshkujt dhe 2.1% për femrat, duke konfirmuar se jo vetëm që lindin më pak fëmijë, por edhe shumë familje të reja po largohen jashtë vendit, duke marrë me vete fëmijët.

Ndryshime të çuditshme në moshat e mesme

Një zhvillim interesant është rritja e meshkujve në grupmoshën 40-44 vjeç me 2.0%, ndërkohë që numri i femrave në këtë kategori mbetet i pandryshuar. Ky fenomen mund të lidhet me kthimin e përkohshëm të emigrantëve të hershëm, ose me migrim të brendshëm drejt zonave më urbane.

Bilanci: më pak të rinj, më shumë të moshuar

Në terma absolutë, Shqipëria ka humbur rreth 18 mijë të rinj (15-29 vjeç) brenda një viti, ndërsa ka fituar rreth 21 mijë persona mbi 65 vjeç. Ky është një bilanc që ngre shqetësime serioze për të ardhmen e tregut të punës, sistemit të pensioneve dhe qëndrueshmërisë demografike të vendit.

Pse është ky një alarm kombëtar?

Ky trend i dyfishtë – emigracioni i të rinjve dhe plakja e popullsisë – paralajmëron një të ardhme të vështirë për Shqipërinë. Me më pak të rinj për të punuar, paguar taksa dhe mbështetur sistemin social, dhe me më shumë të moshuar që kërkojnë përkujdesje, sfidat ekonomike dhe sociale do të rriten në mënyrë të pashmangshme.

Tirana në epokën digjitale: Qytetarët mund të ndjekin në kohë reale lëvizjen e autobusëve urbanë

Transporti publik në kryeqytet ka hyrë zyrtarisht në një epokë të re teknologjike. Qytetarët tashmë kanë mundësinë të ndjekin në kohë reale lëvizjen e autobusëve urbanë, nga nisja, ndalesat në stacione dhe deri në mbërritjen në destinacionin final.

Kjo risi u bë e mundur falë bashkëpunimit mes atd.albania, GIZ Shqipëri dhe Bashkisë së Tiranës, me mbështetjen e partnerëve të tyre teknikë. Të dhënat janë integruar sipas standardit ndërkombëtar GTFS-RT (General Transit Feed Specification – Realtime), duke u bërë pjesë e platformave digjitale të transportit publik.

Lehtësi për udhëtarët dhe planifikim më i mirë

Përdoruesit e transportit publik mund të:

  • shohin në hartë vendndodhjen aktuale të autobusëve,
  • planifikojnë më saktë udhëtimet e tyre,
  • shmangin pritjet e gjata në stacione,
  • njohin paraprakisht itineraret dhe oraret.

Edhe Google Transit ka filluar të përdorë këto të dhëna në aplikacionet e tij, duke sjellë një përvojë më të thjeshtë dhe më të qasshme për të gjithë.

Përfitime edhe për menaxhimin e shërbimit

Përveç udhëtarëve, kjo teknologji do të ndihmojë në monitorimin dhe optimizimin e rrjetit të autobusëve, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit, menaxhimin e flotës dhe planifikimin e orareve në kohë reale.

Rezultati? Më pak pritje, më shumë efikasitet dhe një transport publik më i përshtatshëm për nevojat e një qyteti në rritje si Tirana.

Fushës së mbetjeve ne Vlore i vihet zjarri për herë të tretë, tymi mbulon qytetin

Një tjetër zjarr ka përfshirë vendgrumbullimin e mbeturinave në Vlore, duke shkaktuar përhapjen e një reje të dendur tymi mbi qytet. Era dhe temperatura e lartë kanë favorizuar shpërndarjen e tymit në të gjitha lagjet e Vlorës, duke rritur shqetësimin tek banorët.

tymi është i dukshëm me sy të lirë edhe nga zona të largëta të qytetit. Kjo është hera e tretë që mbeturinat në këtë landfill përfshihen nga flakët, çka ka shtuar dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.

Autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa nuk dihet nëse zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë plotësisht vatrën e zjarrit.

Banorët e zonës apelojnë për ndërhyrje urgjente dhe për zgjidhje të qëndrueshme, pasi ngjarje të tilla jo vetëm që ndotin rëndë ajrin, por përbëjnë edhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.

Ish-ministri Lefter Koka lë përkohësisht burgun e FIERIT

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka lënë përkohësisht qelinë në institucionin e paraburgimit në Durrës. Kokës i është miratuar leje e kufizuar që zgjat nga ora 11:00 deri në orën 17.00.

Lefter Koka ka marrë lejen për arsye familjare, pasi e ëma është sëmurë, ndërsa do të jetë gjithë kohën i shoqëruar nga policia e burgjeve.

Garancia 15 mijë dollarë për vizën amerikane/ Nis nga 20 gushti, Shqipëria nuk preket

Shqipëria nuk është në listën e vendeve që shtetasit duhet të paguajnë një garanci deri në 15 mijë dollarë për të aplikuar për vizën amerikane.Deri më tani për vendin tonë ende nuk ka njoftim për programin pilot të SHBA-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisin nga 20 gushti zbatimin e një projekti pilot, në kuadër të të cilit personat që kërkojnë të marrin vizë do të duhet të kenë një garanci deri në 15 mijë euro.Projekti do të nisë fillimisht për shtetasit nga Malaui dhe Zambia.

Aplikantët e vizave turistike dhe vizave të biznesit janë subjek i projekt-pilotit të SHBA-së, ku do të përfshihen tre nivele garancish, 5, 10 dhe 15 mijë dollarë.

Arrestohet shoferi 56 vjecar qe shkaktoi aksidentin në Levan

Aksident me pasojë vdekjen në Levan

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin I. P., 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrethrrotullimin e fshatit Levan, me automjetin që drejtonte, përplasi një tjetër automjet që drejtohej nga shtetasi K. B., 51 vjeç, banues në Peqin, i cili humbi jetën. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe vetë drejtuesi I. P. dhe 4 pasagjerë të dy mjeteve, ku dy prej tyre, pas marrjes së ndihmës mje

Përmbyset kamioni me inerte në aksin Levan–Tepelenë, në Poçem të Mallakastrës 

Një kamion që transportonte inerte është përmbysur paraditen e sotme në aksin nacional Levan–Tepelenë, pranë fshatit Poçem, në Mallakastër. Ngjarja ka ndodhur në mes të rrugës, duke shkaktuar bllokim të pjesshëm të qarkullimit për disa minuta. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa drejtuesi i mjetit ka mundur të dalë pa pasoja nga kabina.

Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, por dyshohet se mund të ketë qenë një manovër e gabuar ose mbingarkesa me inerte që ka çuar në humbjen e ekuilibrit të mjetit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe të emergjencës, të cilat po punojnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e trafikut.

Zjarr masiv në Patos, digjen 4 hektarë pyll me pisha – rrezikohen banesat në Gjinoqar

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh pyll me pisha në zonën e Gjinoqarit, në bashkinë e Patosit. Sipas kryeplakut të fshatit, Nuri Gllava, terreni është tejet i vështirë për shkak se pylli nuk është pastruar prej më shumë se 50 vitesh, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete të specializuara.

Në vendngjarje ndodhen katër mjete zjarrfikëse, forca të bashkisë dhe banorë të zonës që po përpiqen të mbajnë flakët nën kontroll me mjete rrethanore. Era e fortë po përhap zjarrin në disa drejtime, duke rrezikuar zonat e banuara përreth.

Për natën janë vendosur në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse, ndërsa për nesër është parashikuar një ndërhyrje nga ajri nëse situata përkeqësohet. Autoritetet apelojnë për veprime të shpejta për të shmangur një katastrofë të mundshme mjedisore dhe njerëzore.