Turqi! Flakët dhe zjarri ‘pushtojnë’ tokën dhe qiellin në Izmir

Turqia po përballet me një valë shkatërruese zjarresh pyjore që kanë përfshirë rajonet Izmir, Denizli, Aydın dhe Manisa gjatë 24 orëve të fundit.
Në qytetin bregdetar të Izmirit, flakët shpërthyen në kufijtë e rajoneve Menderes dhe Seferihisar, duke arritur deri në zonat e banuara. Autoritetet kanë evakuuar të paktën 10 lagje, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve të nxitura nga erërat që arritën deri në 120 km/h.

Në zonën Omur në Seferihisar, një burrë i moshuar në karrocë u shpëtua në çastin kur shtëpia e tij filloi të digjej. Pas ngjarjes ai u dërgua në spital ku fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.Prokuroria e Izmirit ka nisur hetime për zjarrvënie të qëllimshme. Një person është arrestuar për përdorim të benzinës për ndezjen e zjarrit, ndërsa 17 të dyshuar të tjerë janë ndaluar për lidhje me zjarret që shpërthyen gjatë dy ditëve të fundit.

Zjarr masiv ne zonen e Margellicit ne Patos

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme zonën e Rërës, pranë Margëlliçit në Patos. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, ndërsa për shkak të përhapjes së shpejtë kanë rrezikuar një depo nafte, një kabinë elektrike si dhe disa banesa të afërta.Në vendngjarje kanë ndërhyrë me urgjencë forcat zjarrfikëse të Patosit, Roskovecit dhe Lushnjës, të cilat po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer dhe erës që favorizon përhapjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, zjarri është lokalizuar pranë zonave më të rrezikuara, duke shmangur për momentin dëme të mëdha në infrastrukturën kritike dhe banesa.Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë ende të paqarta. Autoritetet lokale dhe emergjencat civile ndodhen në gatishmëri të plotë, ndërsa banorët janë të shqetësuar për afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.

Rama i përgjigjet deputetit britanik me foto AI: Të pres me padurim në Shqipëri siç të premtova

Kryeministri Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe i është përgjigjur deputetit britanik Nigel Farage, pasi ky i fundit pretendoi më herët se e fitoi bastin për emigrantët.Vetëm pak orë pas reagimit të Farage ku thoshte se 1 në 48 shqiptarë në Britani janë në  burg, Rama thotë se “të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh në gabim, është djallëzore.

Rama thotë se nuk janë 53,000 shqiptarë  sa pretendon ligjvënësi britanik, por shumëfishi i kësaj shifre.Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – që do të thotë se më pak se një në 100 janë në burg”-thotë Rama në përgjigje të deklaratës së deputetit britanik.

Rama ka edhe një përgjigje për deklaratën e Farage, se do t’i kërkonte Sekretarit të Brendshëm t’i përzërë shqiptarët e burgosur.

“Në vend që ta shqetësoni Sekretarin e Brendshëm, tashmë të zënë, ndoshta duhet të më njoftoni kur mund t’ju mirëpres në Tiranë, si mysafirin tim të nderit”-shkruan Rama, ashtu sikurse e kishte premtuar se nëse shifra 1 në 50 shqiptarë janë në burg do ishte e gabuar, atëherë do e ftonte Farage në Tiranë, madje reagimin e shoqëron me një foto nga AI, buzë detit.

Reagimi i kryeministrit Rama:

I nderuar z. Nigel Farage, Gjyshja ime katolike, Zoti e mëshiroftë, më kujtonte shpesh një proverbë latine: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum.” Që e përkthyer do të ishte: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Ndaj, në vend që të shqetësoni Sekretaren e Brendshme, e cila ka më se mjaftueshëm përgjegjësi, ndoshta do të ishte më e udhës të më njoftoni mua se kur mund t’ju pres në Tiranë si i ftuar nderi. Sepse, i dashur Nigel duket se numrat nuk janë pika juaj e fortë ndaj le t’i bëjmë gjërat të qarta: JU HUMBËT.

“Censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh. Por të qëndrojmë tek burimi juaj: The Telegraph, i cili i pari shpalli teorinë e “një në 50” dhe më pas pranoi vetë:

“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk përfshin migrantët e paligjshëm, përfshirë mbi 12,000 që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhen në burg.”

Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit?

Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.

Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.

Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit.

Pres me kënaqësi të ju mirëpres në Shqipëri, siç është premtuar, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta.

Bypass-i i Tiranës përmbyll autostradën Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian

Hapja e procedurës tenderuese për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës nga Autoriteti Rrugor Shqiptar shënon përmbylljen e të gjitha segmenteve të aksit Milot–Fier, pjesë e Autostradës Adriatiko – Joniane.Kjo, pasi një nga lotet e kësaj autostrade përfshin një pjesë të këtij bypass-i.

Ndërtimi i Autostradës Milot–Fier, një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në vend, po ecën me ritme të ndryshme në pesë lotet e saj. Me një gjatësi totale prej 114 kilometrash, kjo autostradë është pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian dhe përfshin lidhjen e një sërë segmentesh, që aktualisht ndodhen në faza të ndryshme ndërtimi apo tenderimi.

Segmenti më i avancuar është ai Thumanë–Kashar, me një gjatësi prej 21 kilometrash, ku punimet kanë përfunduar dhe është hapur për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, tre segmentet e tjerë: Milot – Thumanë, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier janë gjithashtu të kontraktuara për ndërtim dhe kompanitë ndodhen në procesin e sigurimit të lejeve për nisjen e punimeve. Të katër këto segmente do të realizohen përmes kontratave koncesionare.

Ndryshe paraqitet rasti i bypass-it të Tiranës, i cili do të ndërtohet me financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Ky bypass do të ketë një gjatësi totale prej 21.6 kilometrash, nga të cilat 7 kilometra përkojnë me seksionin Kashar – Lekaj. Kjo pjesë e përbashkët nuk do të ndërtohet nga koncesionari i segmentit, por nga kompania që do të realizojë punimet për bypass-in e Tiranës.

Si rezultat, gjurma totale që do të përfshijë ky segment arrin në 33.6 kilometra, por vetëm një pjesë e saj është objekt i kontratës koncesionare.  Për ndërtimin e bypass-it të Tiranës, ARRSH ka hapur pak ditë më parë dy procedura tenderimi, me një fond total limit prej 6 mld lekësh. Bëhet fjalë për fazën e parë dhe të dytë të ndërtimit të segmentit Kashar – Nyja Vaqarr, që përfaqëson një pjesë të gjurmës së bypass-it.

/Scan/

Ministria e Shëndetësisë: Kujdes gjatë valës së të nxehtit, ja këshillat për qytetarët

Në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin dhe të ndjekin disa këshilla praktike për të përballuar nxehtësinë.

Mjekët rekomandojnë konsum të bollshëm të ujit gjatë ditës, edhe në mungesë të ndjesisë së etjes, për të shmangur dehidratimin.Qytetarët këshillohen gjithashtu të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00.

Ushqimi duhet të jetë i lehtë dhe i pasur me lëngje, si fruta dhe perime të freskëta.
Rekomandohet gjithashtu përdorimi i kremrave mbrojtës për lëkurën dhe veshja me rroba të lehta, me ngjyra të çelura.

Ministria thekson rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga nxehtësia ekstreme.
Ministrja e Shëndetësisë deklaron se ekipet mjekësore janë në terren për të garantuar ndihmën e nevojshme dhe u bën thirrje qytetarëve që të kërkojnë asistencë në çdo rast nevoje.

Makina përplas 82-vjeçarin me biçikletë

Një aksident rrugor është shënuar këtë të diele në lagjen “4 Shtatori” të qytetit të Dimalit, ku një automjet ka përplasur një 82-vjeçar që po udhëtonte me biçikletë dhe më pas është larguar nga vendngjarja pa dhënë ndihmë.

I moshuari, Sotir Koraqe, banues në të njëjtën lagje, është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Mjekët konfirmojnë se ai është jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrugore ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Nëpërmjet verifikimit të kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave përreth, si dhe dëshmive të qytetarëve, është bërë i mundur identifikimi i mjetit dhe i drejtuesit që shkaktoi aksidentin.

Autori është shoqëruar në komisariat dhe pritet të japë shpjegime të hollësishme në lidhje me ngjarjen. Policia ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Lajm i mirë për pasagjerët: Bagazhi i dorës falas në të gjitha fluturimet në BE

Parlamenti Europian miratoi ndalimin e tarifave për bagazhin e dorës në të gjitha fluturimet brenda BE-së.Ditët kur pasagjerët në Europë duhet të paguanin tarifa shtesë për bagazhin e dorës (carry-on) duket se po marrin fund. Parlamenti Europian ka votuar pro ndalimit të tarifave për bagazhin dorës në të gjitha linjat ajrore, që operojnë brenda Bashkimit Europian.

Sipas propozimit të ri, udhëtarët do të mund të marrin me vete në kabinë një bagazh dore deri në 7 kilogramë pa pagesë shtesë, përveç çantës që vendoset poshtë sediljes që të gjitha linjat ajrore e lejojnë falas.

Në një deklaratë zyrtare të Komitetit për Transport dhe Turizëm në Parlamentin Europian, nënkryetari Matteo Ricci e cilësoi këtë vendim si “një hap të rëndësishëm drejt një udhëtimi më të drejtë dhe më transparent” dhe theksoi se “bagazhi i dorës falas deri në madhësinë maksimale 100 cm është një e drejtë themelore, që shmang kostot e pajustifikuara.”

Ky vendim është një fitore e madhe për pasagjerët, por jo të gjithë janë të kënaqur. Linjat ajrore me kosto të ulët, si Ryanair, e cila vitin e kaluar fitoi 4.7 miliardë euro nga tarifat shtesë për vendet, bagazhet dhe shërbime të tjera, pritet të preken më shumë nga kjo masë.

Shoqatat e industrisë ajrore kanë paralajmëruar se kjo reformë mund t’i detyrojë kompanitë të rrisin çmimet e biletave për të kompensuar të ardhurat e humbura. Megjithatë, ndalimi i tarifave për bagazhin dorës është pjesë e një pakete më të gjerë reformash për të drejtat e pasagjerëve të udhëhequr nga Parlamenti Europian.

Ndër masat e tjera të propozuara përfshihen: sigurimi i vendit falas pranë të rriturit shoqërues për fëmijët nën 12 vjeç, ulëse falas për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara dhe detyrimi i linjave ajrore për të shfaqur koston e plotë të biletës, që në fillim të procesit të rezervimit.

Megjithëse vendimi është pranuar në parim, ende nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi, pasi pritet një votim përfundimtar në Parlamentin Europian. /Monitor

Shqipëria drejt hartës së luksit global në turizëm

Shqipëria i bashkohet vendeve si SHBA-ja, Japonia, Zvicra, Arabia Saudite, Tajlanda, Italia dhe Egjipti në ambicien për t’u kthyer në një destinacion udhëtimi ultra-luksoz për turistët elitarë.

Ky pozicionim vjen si pjesë e një kuadri 10-vjeçar që synon të transformojë fatin ekonomik të vendit, përmes tërheqjes së turizmit të qëndrueshëm dhe me vlerë të lartë, duke lëvizur përtej vizitorëve të tregut masiv.

Projektet e reja qëndrojnë ndër investimet më të mëdha të huaja në vend, dhe sinjalizojnë qartë një zhvendosje strategjike të Shqipërisë drejt luksit dhe përvojave të personalizuara.

Në këtë valë të re zhvillimi, Shqipëria po ndjek trendet globale të turizmit, ku udhëtarët e nivelit të lartë kërkojnë autenticitet, privatësi dhe destinacione unike. Ishulli i Sazanit, për shembull, ofron një përzierje të natyrës së paprekur dhe afërsisë me qendrat evropiane.

Për më tepër, përvoja është kthyer në monedhë më vlerë në industrinë e turizmit – që nga ankorimet e jahteve private, darkat gurme me shefa të njohur botërisht, e deri te projektet e luksit të personalizuar që synojnë të krijojnë kujtime dhe ndikim në mediat sociale.