Shqipëria, “pushtohet” nga makinat aziatike 

Nëse ka një gjë që shqiptarët duket se nuk e negociojnë, ajo është dëshira për makinat dhe siç po rezulton, edhe për makinat koreane. Sipas të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vetëm 8 muaj janë regjistruar plot 66,521 mjete të reja në Shqipëri.

Autoveturat përbëjnë thelbin e këtij “fluksi rrugor” me 54,624 regjistrime, ndërsa pjesa tjetër përfshin gjithçka nga motorrë e traktorë, deri te kamionët e automjetet për transport, duke sjellë një mozaik prej 31 llojesh mjetesh dhe 603 markash të ndryshme.

Muaji më “i ngarkuar” për regjistrimet ka qenë pikërisht korriku, jo vetëm për temperaturat e larta, por edhe për numrin rekord të mjeteve të regjistruara, mbi 10 mijë. Në anën tjetër të medaljes, shkurti është treguar më i kursyer, me “vetëm” 6 mijë regjistrime.

Në pistën e qarkut më të motorizuar, Tirana lë prapa të gjithë rivalët, duke regjistruar 27,870 mjete vetëm në këtë periudhë. Durrësi ndjek nga larg me 10,348, ndërsa Gjirokastra “frenon” e fundit, me një numër modest prej 805 mjeteve të regjistruara.

Po kush i zotëron këto mjete?
Shifrat tregojnë se shqiptarët i qëndrojnë besnikë pronësisë individuale, me 77.5% të regjistrimeve që vijnë nga qytetarë të thjeshtë, ndërsa vetëm 22.5% janë nga biznese apo subjekte të tjera.

Plot 14 mijë mjete të regjistruara vijnë nga Korea, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të besueshmërisë dhe popullaritetit të markave si Hyundai apo Kia.
Italia dhe Gjermania janë pothuajse baraz, me një diferencë të vogël prej rreth 300 automjetesh, ndërsa Zvicra dhe SHBA plotësojnë pesëshen e parë, me mbi 5 mijë mjete secila.

Të gjitha këto shifra janë tregues i një parku mjetesh që po rritet shpejt, por edhe i një vendi që gjithnjë e më shumë po kërkon komoditet, lëvizshmëri dhe ndoshta edhe stil rrugor.

Sa vlen ekonomia shqiptare në një ditë? 

Bazuar në të dhënat më të fundit të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit për vitin 2024 është vlerësuar në rreth 2.51 trilionë lekë ose afërsisht 25.2 miliardë euro. Shifra të thata në letër të cilat shpesh nuk arrijnë të përkthehen qartë në kuptimin e përditshëm. Në këtë kuadër, ideja është që ta shohim ekonominë shqiptare në një mënyrë ndryshe, pra sa vlen ajo në një ditë. Duke e thjeshtuar përllogaritjen, rezulton se ekonomia shqiptare prodhon rreth 69 milionë euro në ditë. Pra, në çdo 24 orë të një viti, kjo është vlera monetare që gjeneron ekonomia e vendit.

Brenda kësaj panorame, Tirana mban peshën kryesore të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave mbi shpërndarjen e PBB-së sipas qarqeve, kryeqyteti gjeneron 43% të ekonomisë kombëtare. Përkthyer në shifra, kjo do të thotë se vetëm ekonomia e Tiranës prodhon rreth 10.8 miliardë euro në vit. Ose, në terma të përditshëm, Tirana vlen rreth 29.6 milionë euro në ditë. Pra, gati gjysmën e prodhimit të gjithë vendit e përqendron një qytet i vetëm, duke e bërë kryeqytetin jo vetëm qendër administrative e politike, por edhe motorin real të ekonomisë shqiptare.

Kur analizojmë aktivitetet ekonomike që mbajnë peshën më të madhe në ekonominë shqiptare, del në pah se tregtia, transporti dhe shërbimet ushqimore janë motorët kryesorë. Ndërtimi është gjithashtu një sektor kyç, duke gjeneruar rreth 300 miliardë lekë, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi japin po ashtu një shtysë të forte.

E vendosur në një kontekst rajonal, kjo shifër merr një tjetër kuptim. Shqipëria, me 69 milionë euro prodhim në ditë qëndron në një nivel më të lartë se disa nga fqinjët e saj të afërt. Maqedonia e Veriut prodhon rreth 16.7 miliardë euro në vit, çka përkthehet në rreth 46 milionë euro në ditë. Kosova, me një ekonomi rreth 11.2 miliardë euro, arrin të prodhojë 31 milionë euro në ditë. Ndërkohë, Mali i Zi, me një PBB rreth 8.1 miliardë euro, gjeneron rreth 22 milionë euro në ditë. Në këtë grup, Shqipëria jo vetëm që del përpara, por edhe e zgjeron ndjeshëm diferencën me kalimin e viteve.

Por më tej në rajon, përballë ekonomive më të mëdha, panorama ndryshon. Bosnja Hercegovina prodhon rreth 28.3 miliardë euro në vit ose 78 milionë euro në ditë, duke u pozicionuar mbi Shqipërinë. Serbia mbetet në një kategori tjetër, me një ekonomi që arrin mbi 81 miliardë euro, çka i jep një prodhim të përditshëm prej 224 milionë euro.

Naftëtarët e ‘Bankers Petrolium ‘në protestë: kërkojnë rritje page, kushte më të mira pune dhe statusin e naftëtarit

Sot, më 5 Shtator, përpara zyrave të kompanisë Bankers Petroleum në Marinëz, Sindikata e Naftëtarëve zhvilloi një tubim proteste me pjesëmarrjen e qindra punëtorëve.

Në këtë tubim, naftëtarët përcollën kërkesat e tyre kryesore:

  • respektimin e të drejtave të punëtorëve;
  • rritjen e pagave;
  • zbatimin e kontratës kolektive të punës;
  • përmirësimin e kushteve të punës;
  • miratimin e statusit të naftëtarit.

Protestuesit deklaruan se nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre legjitime.

📢 Ata njoftuan se nesër, më 6 Shtator, në orën 12:00, do të rikthehen sërish në protestë përpara zyrave të kompanisë. Paralelisht, sindikata do të nisë edhe procedurat për grevë, të cilën e konsideron një hap të domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Fier – Arrestime, procedime penale dhe një vajzë 15-vjeçare e shpallur në kërkim nga policia

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka njoftuar për disa raste të evidentuara në 24 orët e fundit, ku janë marrë masa ligjore ndaj disa shtetasve:

  • Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi R. T., 61 vjeç, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
  • Po në Fier, u procedua penalisht G. T., 22 vjeç, nga fshati Ferras, pasi dyshohet se ka kanosur një 35-vjeçar.
  • Në Lushnjë, u procedua penalisht G. N., 61 vjeç, nga fshati Kashtbardhë, pas kallëzimit të shtetasit Gj. Sh., 69 vjeç, se nuk ka likuiduar të gjithë pagesën për mallrat e blera në subjektin e tij.
  • Në fshatin Kolonjë, Lushnjë, u procedua G. C., 56 vjeç, banues në Itali, pasi dyshohet se ka tentuar të hyjë me forcë në banesën e një 72-vjeçari.
  • Po në Lushnjë, u procedua N. Zh., 53 vjeç, nga fshati Zhamë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
  • Në Mallakastër, një 17-vjeçar u procedua penalisht pasi akuzohet se ka goditur me send të fortë një 10-vjeçar, për motive të dobëta.

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Lushnjë u paraqit shtetasja M. V., e cila denoncoi se vajza e saj 15-vjeçare është larguar nga banesa më datë 31.08.2025. Policia po punon për gjetjen e saj.

👉 Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Jo më veprime cash mbi 1 mln lekë, miratohet rregullorja e re për zyrat e këmbimit valutor

Banka e Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”.Sipas BSH, ndryshimet e propozuara në rregullore synojnë të përmirësojnë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së zyrave të këmbimit valutor. Ato forcojnë kërkesat për reputacionin, integritetin dhe qëndrueshmërinë financiare të subjekteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e kapitalit fillestar, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesat për ushtrimin e aktivitetit, me qëllim forcimin e kërkesave rregullative që ndër të tjera adresojnë edhe hyrjen dhe operimin në treg të subjekteve që plotësojnë kushtet e nevojshme të qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë dhe integritetit të strukturave të zotërimit të kapitalit, drejtimit të përgjegjshëm, si dhe zbatimit të kuadrit rregullativ.

Subjektet që kërkojnë licencë do të duhet gjithashtu të justifikojnë origjinën e kapitalit, përfshirë edhe deklaratë noteriale për mungesën e huazimeve.

Futja e konceptit të “pronarëve përfitues”në rregulloren e re kërkon identifikimin e pronarëve përfitues dhe regjistrimin e tyre në sistemin përkatës, si pjesë e dokumentacionit të licencimit.

Rregullorja vendos kriter arsimor minimal për administratorët: diploma master ose ekuivalente në fushën e arsimit. Gjithashtu, parashikohet verifikimi i reputacionit të mirë si kusht për miratimin e licencës.

Sistemi ERRS (Elektronik i Raportimit Rregullator) përmendet si kanali i ri për raportimet. Rregullorja përcakton gjithashtu bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadër të analizës së aplikimeve dhe veprimtarive të subjekteve.

Për të frenuar qarkullimin informal të parasë, transaksionet cash mbi 1 milion lekë do të lejohen vetëm nëpërmjet llogarive bankare. Gjithashtu, ndalohet mbajtja ditore e shumave cash mbi nivelin e kapitalit fillestar.

Gjithashtu sipas ndryshimeve rriten gjobat maksimale nga 100 mijë në 1 milion lekë për shkelje të ndryshme. Pezullimi i licencës zgjatet në tre muaj, me ndalim të plotë të aktivitetit gjatë kësaj periudhe.

Po kështu, subjektet që ndërpresin aktivitetin për periudha 1–3 mujore do të duhet të njoftojnë zyrtarisht dhe të ndjekin një procedurë të veçantë dokumentacioni. Është parashikuar edhe mundësia për rifillim të shqyrtimit të licencës me dokumente të reja brenda 30 ditëve.

Tarifat për licencim dhe pajisje me kartë kambisti dyfishohen, duke shkuar në 3,000 lekë dhe 1,000 lekë përkatësisht.

Sot hapet rruga Qukës–Qafa e Plloçës, shkurton distancën me Korçën

Projekti për ndërtimin e kësaj rruge ka nisur që në vitin 2008 dhe është ndryshuar disa herë.

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një arterie me rëndësi jetike për Juglindjen e vendit, që pritet të çlirojë flukset e qarkullimit dhe potencialin turistik të disa zonave, do të jetë i aksesueshëm për qytetarët nga e premtja e 5 shtatorit.

Lajmin për përfundimin e punimeve dhe nisjen normal të qarkullimit në këtë aks e ka dhënë Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Teksa foli për një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në vendin tonë në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, Balluku deklaroi se, “jemi duke përfunduar edhe projektet që kanë qëndruar gjatë në duart e ndërtuesve, si ai i Qukës – Qafë-Plloçë, por që nesër bëhet i aksesueshëm për automjetet”.

Një ndër kantieret e reja që do të hapet në vend sipas Ballukut është ai për Bypass-in e Elbasanit, që do të çlirojë nga trafiku nyjen e Bradasheshit, në autostradën Tiranë-Elbasan.

“Gjithashtu një Bypass 3 kilometërsh nga Bradasheshi në Lekaj do të lehtësojë trafikun në aksin Tiranë–Elbasan vitin e ardhshëm. Për rrugën Milot–Balldren, më 3 tetor do të shpallet fituesi i kontratës koncesionare”, u shpreh Balluku.

Ajo tha se, Shqipëria sot gumëzhin si një kantier ndërtimi dhe shumë prej projekteve po përfundojnë para afatit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit.

Balluku foli edhe për zhvillimet në sektorin e aviacionit, duke e cilësuar atë “një tjetër shtyllë të rëndësishme të turizmit”.

“Më 25 maj 2023, gjatë një ndeshjeje futbolli ndërkombëtare, Aeroporti i Rinasit menaxhoi me sukses 23 mijë pasagjerë në një ditë. Ndërkohë, më 11 gusht 2025, Rinasi regjistroi një rekord të ri, me 50 mijë vizitorë të ulur në një ditë”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Balluku e cilësoi turizmin si një nga sektorët me potencialin më të madh për ekonominë shqiptare, ndërsa theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional, zhvillimi i qëndrueshëm dhe përfshirja e komuniteteve lokale do të jenë shtyllat e strategjisë “Shqipëria Turistike 2030”.

“Green Coast” vendos Shqipërinë në hartën e investitorëve edhe përtej kufijëve

Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë në hartën ndërkombëtare të turizmit dhe investimeve, duke tërhequr vëmendjen e aktorëve globalë. Përveç bukurive natyrore, vendi po ndjek një vizion i cili përfshin zhvillimin e një ekonomie të turizmit të integruar dhe projekteve real estate me standarde europiane.

Gjithnjë e më shumë, investitorët nga vende përtej kufijëve janë në kërkim të destinacioneve të reja që kombinojnë turizmin e qëndrueshëm me kthime afatgjata financiare dhe oferta e Green Coast ka qenë prej vitesh përfaqësuese e Shqipërisë në hartën mesdhetare. Me një investim prej 1 miliard eurosh, ky projekt ka shënuar një pikë kthese për zhvillimin e pasurive të paluajtshme në zonat bregdetare, duke u kthyer në katalizator të zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investitorëve të huaj.

Një treg në rritje të vazhdueshme 

Me mbi 1.5 km vijë bregdetare dhe 70,000 m² gjelbërim, konceptuar nga studio prestigjioze arkitekturore Emre Arolat, Green Coast ka vendosur standarde të reja në një treg ku kërkesa për prona buzë detit po rritet ndjeshëm. Gjatë viteve të fundit, 40% e blerësve në këtë projekt kanë qenë jo rezidentë duke e bërë atë një magnet për kapital ndërkombëtar dhe një garanci të diversifikimit të bazës së investitorëve, kjo edhe falë lehtësisë së financimit, për jo rezidentët.

Përtej sezonit turistik, një model i ri jetese 

Ndryshe nga resortet tradicionale që qëndrojnë të hapur vetëm në verë, Green Coast është duke zgjatur ndjeshëm sezonin në ofrimin e shërbimeve të shumta gjatë gjithë vitit. Afërsia me tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, që pritet të hapet së shpejti, janë faktorë kyç që i japin projektit qasje të shpejtë dhe të qëndrueshme, duke e bërë atë një destinacion të aksesueshëm në çdo stinë të vitit. Ky model shënon një ndryshim të rëndësishëm për Shqipërinë, që kalon nga turizmi sezonal, drejt një ekonomie të qëndrueshme në sektorin e turizimit, për rrjedhojë edhe të pasurive të paluajtshme. 

Zhvillim me ritme të qëndrueshme

Që nga faza e parë, e përfunduar dhe e banueshme prej vitit 2019, Green Coast ka dëshmuar një histori suksesi, jo vetëm në konceptin që ka sjellë duke krijuar një komunitet aktiv dhe duke zgjatur sezonin veror, por edhe në rritjen e konsiderueshme të çmimeve nga momenti që ka filluar ndërtimi e deri tani.

Faza e dytë e Green Coast ka nisur në vitin 2022 dhe tashmë punimet kanë avancuar në të gjitha zonat, duke shënuar ecuri të qëndrueshme. Lifestyle Center La Vista dhe qendra tregtare Galeria By TEG janë dy pika shumë të rëndësishme të kësaj faze, funksionale prej vitit 2024 ku operojnë brande vendase dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë gjatë 6 -mujorit të parë të vitit 2025, u përurua me sukses edhe Green Coast Hotel MGallery Collection, pjesë e Accor Group, hoteli i parë me 5+ yje në Rivierën Shqiptare, që solli një standard të ri mikpritjeje dhe i dha vendit një vulë besueshmërie në hartën e destinacioneve premium.

Nga suksesi drejt një kapitulli të ri

Ritmi i shitjeve ka qenë në rritje, si tregues i fortë i besimit të tregut në këtë projekt. Me hapjen e fazës së tretë, oferta është zgjeruar me më shumë tipologji, nga apartamente funksionale për investitorë të rinj, deri tek vilat ekskluzive që synojnë klientelën me kërkesa më të sofistikuara. Këto kërkesa plotësohen edhe me paketat e mobilimit të personalizuara të cilat përshpejtojnë procesin e banimit dhe e bëjnë eksperiencën më të lehtë, duke nxitur edhe më tej interesin e tregut ndërkombëtar. 

Një ekosistem i mbyllur 

Përtej arkitekturës, Green Coast po ndërton një ekosistem të vërtetë shërbimesh, me sheshe dhe qendra rekreative që nxisin ndërveprimin mes banorëve dhe vizitorëve, si Shëtitorja buzë detit, Lifestyle Center La Vista dhe qendra tregtare Galeria By TEG. Gama e larmishme e shërbimeve plotësohet me pishina publike, krahas atyre të hoteleve, një plazh me certifikimin prestigjioz “Blue Flag”, i pari dhe i vetmi në Shqipëri, si dhe një qendër shërbimesh të integruara me stacion policie, qendër shëndetësore, zjarrfikëse, si dhe siguri 24/7 e mirëmbajtje gjatë gjithë vitit të hapësirave të përbashkëta. Nëpërmjet kësaj oferte gjithëpërfshirëse, projekti i afrohet modelit të “mini-qyteteve të integruara” që tashmë kanë revolucionarizuar tregje si Mali i Zi, Greqia, Spanja apo Dubai.

Rritja e qëndrueshme e vlerës dhe kthimi i investimit

Treguesit financiarë të Green Coast dëshmojnë qartë se ky projekt ka sjellë një rritje të qëndrueshme dhe të matshme në kohë, me një rritje totale të vlerës së pronës që arrin deri në 3-4 herë më shumë krahasuar me momentin kur ka nisur shitja. I pozicionuar në një nga zonat më të bukura të Rivierës Shqiptare, Green Coast përfaqëson një mundësi investimi unike që ofron të ashtuquajturat “triple benefits”. Këto përfshijnë përdorimin personal të pronës si rezidencë moderne dhe vendpushim elitar, fitimin përmes programit të qiradhënies të menaxhuar nga operatorë të specializuar dhe rritjen e qëndrueshme të vlerës së pronës me kalimin e kohës.

Projekti është konceptuar si një destinacion i integruar që ofron jo vetëm rezidenca bashkëkohore dhe hotele me pesë yje, por edhe shërbime gjatë gjithë vitit, qendrën e vetme tregtare dhe lifestyle center në Rivierën shqiptare, hapësira të dedikuara për argëtim e relaks si dhe organizimin e eventeve të ndryshme me emra të njohur në vend dhe ndërkombëtarisht. Përmes një arkitekture që respekton dhe i përgjigjet natyrës në mënyrë organike, ky projekt synon të sjellë inovacion ku parashikohen korridore dhe tarraca të gjelbëruara.

Të gjithë këta elementë e pozicionojnë Green Coast si një destinacion elitar, duke e kthyer atë në një mundësi investimi të garantuar me kthim të lartë dhe të qëndrueshëm.

Dogji makinën e 43-vjeçares , arrestohet autori

Një 34-vjeçar akuzohet për zjarrvënien e qëllimshme të një makine në Tiranë.Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 43-vjeçare, për motive të dobëta.Menjëherë pas njoftimit se me datë

Ngjarja ndodhi në 03 shtator, rreth orës 23:50, në rrugën “Frang Bardhi”, kur u dogj automjeti tip “Citroen” në pronësi të një 43-vjeçareje.

Pas hetimeve, rezultoi se shtetasi me iniciale D.B. i ka vënë flakën automjetit. Nga hetimet, dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta.