Sot eklips hënor, “Hëna e përgjakur”

Një hënë e përgjakur pritet të zbukurojë sot qiellin, pasojë e një eklipsi hënor që do të ndodhë mbrëmjen e sotme. 

Eklipsi do të mund të shihet me sy të lirë, pa pasur nevojë për syze speciale. 

Azia dhe Australia Perëndimore do jenë në ‘rreshtin e parë|” të shfaqjes, ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës dhe Afrikës do ta shohin hënën tashmë të plotë ndërsa ajo lind. 

Eklipsi nuk do të jetë i dukshëm në Amerikë. Gjithsej, mbi 7 miliardë njerëz do të jenë në rrezen e të paktën një pjese të eklipsit, sipas Time and Date,

Ky eklips ndodh vetëm 2.7 ditë para se hëna të arrijë pikën e saj më të afërt me Tokën. Kjo e bën hënën të duket pak më e madhe se zakonisht, duke shtuar spektaklin.

Makina del nga rruga dhe rrokulliset 100 m në greminë, shoferi niset me urgjencë drejt Traumës

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e kësaj të diele në një zonë rurale të bashkisë Librazhd, ku një drejtues automjeti ka mbetur i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1300 në fshatin Zdrajsh, që bën pjesë në Njësinë Administrative Orenjë.

Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe më pas është rrokullisur për rreth 100 metra në një terren të thepisur. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka pësuar plagë të shumta dhe fraktura. Ai është nxjerrë nga automjeti i shkatërruar dhe është nisur me autoambulancë me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Paraprakisht i aksidentuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia rrugore dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit për shkak të shpejtësisë ose gjendjes së rrugës së amortizuar mund të ketë çuar në këtë ngjarje të rëndë.

Punimet në rrugën Elbasan-Papër / Pjesë e Korridorit VIII, realizohet 46% e projektit

Përshpejtohen punimet në segmentin Elbasan-Papër, pjesë e Korridorit VIII. Shumë shpejt, pritet që autostrada të bëhet funksionale për qarkullim. Punimet në këtë kantier sipas ARRSH, po vijojnë me ritme të mira, realizimi fizik i projektit ka arritur në masen 46%.

Ky autoritet njofton se kanë përfunduar punimet për gërmimin e trupit të rrugës dhe janë drejt përfundimit punimet për veprat e artit, si: mure gabion, tombino dhe box-e. Paralelisht po punohet edhe me mbrojtjen lumore (pilota).

Ky investim pjesë e Korridorit VIII, do të përmirësojë qarkullimin rrugor me kushte e standarde të larta sigurie. Në përfundim të punimeve kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A që plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret europiane të lëvizjes.

Korridori VIII është një nga korridoret e rëndësishme PanEuropiane që përshkon Shqipërinë dhe konsiderohet si investim strategjik në infrastrukturë.

Sllovenia kthen specat shqiptarë me pesticide, Kroacia e Bosnja pezullojnë pjeshkët

Produktet shqiptare me probleme në tregjet e rajonit dhe BE – Sllovenia kthen mbrapsht specat, Kroacia e Bosnja pezullojnë pjeshkët

Alarmi për sigurinë ushqimore ka prekur sërish produktet shqiptare në tregjet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Në Slloveni, kompania “Geaprodukt” ka tërhequr nga tregu specat e kuq me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta të pesticideve acetamiprid, format dhe flonicamid. Specat ishin paketuar fillimisht në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.

“Kompania u ka kërkuar klientëve t’i kthejnë produktet në vendin e blerjes ose, nëse kjo nuk është e mundur, t’i hedhin në mbeturinat biologjike. Për shkak të pesticideve të tepërta, produkti nuk duhet të konsumohet,” thuhet në njoftimin zyrtar. Gjithashtu, këshillohet që konsumatorët që kanë pasur kontakt me specat e kontaminuar të dezinfektojnë duart.

Ndërkohë, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë pezulluar dërgesat e pjeshkave nga Shqipëria për shkak të substancave të rrezikshme. Në Kroaci, analizat zbuluan përmbajtje të shtuar nikeli, ndërsa në Bosnjë u gjetën nivele të larta të klorpirifos, një pesticid që mund të dëmtojë seriozisht shëndetin e njeriut.

Ekspertët boshnjakë paralajmëruan se pjeshkat nga këto dërgesa tashmë kanë hyrë në treg, duke rritur rrezikun për konsumatorët. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar Sistemin e Sigurisë Ushqimore të Komisionit Evropian, duke sinjalizuar shqetësimin mbi standardet e produkteve bujqësore shqiptare.

Fier – Arrestime, procedime penale ne 24 oret e fundit

Fier – Arrestime, procedime penale dhe një ngjarje tragjike në qark

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton për disa raste të evidentuara gjatë orëve të fundit:

  • Në Patos, u arrestua në flagrancë shtetasi O. B., 43 vjeç, pasi kishte vjedhur një automjet të parkuar në pikën e bllokimit të ruajtjes së mjeteve. Ai u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
  • Në Fier, nisi procedimi penal për shtetasen M. K., 35 vjeçe, banuese në fshatin Povelçë, pasi kishte parkuar automjetin në mënyrë të parregullt në lagjen “Konferenca e Pezës”, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të tjera.
  • Në Mallakastër, u procedua penalisht shtetasi F. D., 28 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
  • Në Divjakë, në fshatin Mërtish, u gjet i vetëvarur në makazinën pranë banesës shtetasi S. Q., 81 vjeç. Nga hetimet paraprake dyshohet se i moshuari vuante dhe kurohej nga depresioni.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Lirimi i hapësirave publike, vijon aksioni në Vlorë, hiqen tendat dhe karriget në rrugë

Autoritetet vendore në Vlorë kanë vijuar edhe sot aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke ndërhyrë në disa nga rrugët dytësore të qytetit ku bizneset kishin vendosur tenda, karrige dhe struktura të tjera pa leje.

Inspektorët e IMT në bashkëpunim me policinë bashkiake, kanë ndërhyrë për heqjen e elementëve që pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zinin hapësirat publike në mënyrë të paligjshme.

Ky aksion është pjesë e një fushate më të gjerë që synon të rikthejë rendin urban dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës në qytet. Përfaqësues të bashkisë theksojnë se nuk do të ketë tolerime për ata që shkelin rregullat.

Aksione të ngjashme pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë zona të tjera problematike të qytetit. Aksioni ka nisur prej disa muajsh vazhdon në zonën e Lungomares ndërsa tashme po vijon edhe në rrugët dytësore në qytet por edhe në brendësi të zonave të banuara.

Java mbyllet me të kuqe – Rënie e përgjithshme në tregun valutor!

Dollari amerikan sikurse edhe valutat e tjera kryesore e ka mbyllur këtë javë negativisht duke regjistruar zbritje nga një ditë më parë teksa është blerë sot me 82.4 lekë dhe është shitur me 83.7 lekë.

Sipas kursit të këmbimit lokal edhe monedha europiane  ka shënuar një zbritje të kuotës mëngjesin e sotëm duke u blerë me 96.4 lekë dhe duke u shitur me 97.4 lekë në raport me një ditë më parë.

Franga zvicerane gjithashtu ka pësuar zbritje të vlerës duke e mbyllur edhe ajo në rënie këtë javë teksa është blerë këtë të premte me 102.2 lekë dhe është shitur me 103.3 lekë në raport me ditën e djeshme.

Paundi britanik nuk bën përjashtim pasi referuar tregut të brendshëm valutor edhe ai ka humbur pikë këtë mëngjes duke u blerë sot me 110.6 lekë dhe duke u shitur me 112 lekë krahasuar me një ditë më parë.

Përplasen 2 automjete ne Vlore. 4 të pla*osur transportohen në spital

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 01:00 në fshatin Dukat Fushë, ku janë përfshirë dy automjete, një Audi dhe një mjet tip Fiat. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur 4 persona, prej të cilëve 2 ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime dhe po marrin ndihmën e parë mjekësore

Ambulanca e parë ka mbërritur në vendngjarje duke transportuar me urgjencë të lënduarit drejt spitalit. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se përplasja ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga një prej drejtuesve të automjeteve, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.