Fier – Nesër pritet emërimi i nënkryetarëve të rinj të Bashkisë

Pas miratimit të strukturës së re organizative të Bashkisë Fier në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, në ditën e nesërme pritet të bëhet zyrtarisht emërimi i nënkryetarëve të rinj.

Sipas burimeve pranë bashkisë, Nusret Avdullai, Erald Qirjo, Mirela Pitushi dhe Mariglen Hoxha do të jenë katër nënkryetarët e rinj, në përputhje me strukturën e re të miratuar.

Ndërkohë, Niko Neco pritet të emërohet Drejtor i Përgjithshëm në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Fier.

Prezantimi i emrave të rinj do të bëhet nesër nga Drejtuesja Politike e PS për Qarkun Fier, znj. Belinda Balluku, në një takim me stafin drejtues dhe administratën vendore.

Ky ndryshim në drejtimin e bashkisë vjen pas zgjedhjeve vendore të 11 majit dhe në zbatim të udhëzimit të kryeministrit Edi Rama për riformatimin e strukturave të bashkive, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.

Nafta falas për bujqësinë – 1277 fermerë përfitojnë në fazën e parë, deri në 186 euro për hektar

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listën me 1277 përfituesit e parë të skemës së naftës për punime të mekanizuara në bujqësi.

Sipas aplikimeve të dorëzuara nëpërmjet platformës e-Albania, fermerët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose ato që planifikojnë të mbjellin, duke përfshirë të gjitha parcelat sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit.

Sipas vendimit të qeverisë, mbështetja financiare arrin deri në 186 euro për hektar, në varësi të kulturës së mbjellë:

Kultura pranverore (misër, fasule, luledielli, sojë) – 18,582 lekë/ha

Drithëra dhe bimë të lashta (grurë, elb, foragjerë) – 12,714 lekë/ha

Bimë aromatike dhe foragjerë shumëvjeçarë – 8,802 lekë/ha

Mollë – 18,582 lekë/ha, ndërsa ullinj, agrume e vreshta – 15,648 lekë/ha

Arra, bajame, lajthi e gështenja – 13,692 lekë/ha

Perime fushe – 14,670 lekë/ha, dhe perime sere – 16,626 lekë/ha

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës së mbështetjes për sipërfaqe deri në 10 hektarë, ndërsa për sipërfaqet mbi këtë kufi, mbështetja ulet me 50%, përjashtuar grupet e fermerëve dhe SHBB-të.

AZHBR thekson se të gjitha aplikimet fituese janë verifikuar administrativisht për saktësinë e deklarimeve. Vitin e kaluar, nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në mbarë vendin.

Trump dërgon 300 trupa të Gardës Kombëtare në Çikago mes tensioneve dhe protestave

Presidenti Donald Trump ka autorizuar vendosjen e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago, duke përmendur “krimin jashtë kontrollit” dhe tensionet në rritje në qytet si arsyet pas këtij vendimi. Ky vendim vjen pas përplasjes së autoriteteve të imigracionit me protestues të armatosur, përfshirë një grua e cila u qëllua nga agjentët federalë pasi protestuesit goditën automjetet e zbatimit të ligjit.

Lëvizja është pritur me kritika të ashpra nga udhëheqësit lokalë dhe shtetërorë. Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, e quajti ndërhyrjen federale “një përpjekje për të krijuar krizë artificiale”, ndërsa zyrtarë të tjerë lokalë e cilësuan atë si abuzim me pushtetin ekzekutiv.

Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, tha se trupat po dislokohen për të “mbrojtur oficerët federalë dhe asetet”, duke shtuar se “Presidenti Trump nuk do të qëndrojë duarkryq përballë mungesës së ligjit në qytetet amerikane”.

Ndërkohë, tensionet ligjore për këtë qasje janë në rritje. Një gjyqtar federal në Portland ka bllokuar përkohësisht vendosjen e trupave të ngjashme atje, duke argumentuar se ky veprim shkel Kushtetutën dhe cenon sovranitetin e shteteve.

Shp*rthim me tr*tol në Sarandë, shkatërrohet plotësisht automjeti – humb jetën një person

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3, ku një automjet tip fuoristradë është shkatërruar plotësisht, duke i marrë jetën drejtuesit të tij, Iusuf Jace.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në bizneset përreth dhe në një mjet tjetër të parkuar pranë. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes, që dyshohet të jetë e qëllimshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të këtij shpërthimi që ka tronditur Sarandën në orët e mbrëmjes.

Sarandë

Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

PD nuk shpall emra, Berisha: Mbështesim kandidatët e pavarur në Tiranë dhe 5 bashkitë e tjera. Jo figura politike!

PD nuk do të shpallë kandidat nga radhët e saj për Tiranën. Ky ka qenë vendimi i marrë nga Kryesia e PD e cila u mblodh këtë pasdite me rend dite zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit. Kryetari i PD, Sali Berisha tha në një prononcim për mediat se opozita do të mbështesë kandidatët e pavarur për bashkinë e kryeqytetit dhe jo një figurë politike.

I njëjti model, tha Berisha, do të ndiqet edhe me 5 bashkitë e tjera.

Lideri i opozitës ftoi intelektualët dhe ekspertët që duan të kandidojnë në zgjedhjet e pjesshme, të paraqesin interesin e tyre pranë PD, për të hyrë në garën elektorale të muajit të ardhshëm.

“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës por edhe në bashkitë e tjera. Ata që janë të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës të masin forcat në garë në interesin më të mirë”, tha Berisha.

Ceshtja e ‘Bankers Petroleum’, i kalon SPAK-ut

Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë për dosjen ‘Bankers Petroleum’, e cila i ka kaluar SPAK-ut. Vendimi u mor për shkak se gjatë hetimeve kanë rezultuar të përfshirë edhe zyrtarë të lartë dhe për rrjedhojë dosja i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme. 

Në burg për këtë çështje ndodhet CEO i Bankers Petroleum’, shtetasi kinez Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo, të dy të akuzuar për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal. Çobo dyshohet gjithashtu edhe për pastrim parash.

Sipas prokurorisë, për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Kujtojmë se aksioni në “Bankers Petrolium Albania” u krye nga Prokuroria e Fierit më 2 korrik, e cila ekzekutoi 10 masa sigurie ndërsa në kërkim mbeten ende 4 persona të huaj. Dyshohet se kompania ka bërë deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë të mëdha. 

Gjatë periudhës 2004–2024 kompania kineze akuzohet se ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë. 

Dy persona ndalohen në Fier, akuzohen për “vepra të turpshme” në prezencë të fëmijëve

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas denoncimit të bërë nga emisioni “Piranjat”, se dy shtetas kanë kryer vepra të turpshme në prezencë të fëmijëve të mitur, kanë bërë ndalimin e shtetasve V. Y., 40 vjeç dhe A. Gj., 40 vjeçe, të dy banues në Grecalli, për veprën penale “Vepra të turpshme”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi V. Y dhe shtetasja A. Gj., kanë kryer marrëdhënie seksuale në prezencë të 3 fëmijëve të mitur të vëllait të shtetases A. Gj..

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 21 vjeç, banues në Çermë Sektor, pasi posedonte doza Cannabisi.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 72 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetin nën efektin e alkolit, është përplasur me një automjet tjetër ku janë shkaktuar dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, banues në Karbunarë,pasi me automjetin që drejtonte pa leje, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik për të ndaluar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Rama: Për 30 vite nuk do të ketë leje ndërtimi në ato toka që digjen

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë një kapitull të ri për Mbrojtjen Civile në Shqipëri, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Farkë.

– Advertisement –

Në prani të ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Rama njoftoi masa të reja për forcimin e reagimit ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se një nga pikat kyçe të këtij kapitulli të ri do të jetë ndalimi i ndërtimit në zonat e prekura nga zjarret.

“Për 30 vite nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi në tokat që digjen.”-tha Rama, duke e cilësuar këtë si një masë parandaluese për të ndaluar shfrytëzimin e zjarreve për interesa ndërtimi.