Opozita kërkon shpalljen “Dëshmor i Atdheut” për gjyqtarin Astrit Kalaja

Opozita ka kërkuar zyrtarisht në Konferencën e Kryetarëve që institucionet shtetërore të nisin procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja.

Kërkesa vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ambientet e Gjykatës, ku gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, menjëherë pas shpalljes së një vendimi gjyqësor që nuk ishte në favor të familjarëve të autorit.

Opozita thotë se ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe kërkon që shteti të nderojë figurën e gjyqtarit që humbi jetën në krye të detyrës, duke i dhënë statusin më të lartë të nderimit për shërbimin ndaj vendit.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkoi që në seancën plenare të së enjtes të zhvillohet një debat i posaçëm për gjendjen alarmante të sigurisë në vend, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Blushi e cilësoi ngjarjen si një “akt terrorist që përbën alarm kombëtar për sigurinë e jetës”, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të kufizohet në një minutë heshtje, por duhet ta trajtojë situatën si temë të plotë debati parlamentar.

“Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Vrasja e gjyqtarit është një krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare. Siguria e jetës në Shqipëri duhet të jetë në qendër të diskutimeve të përfaqësuesve të qytetarëve,” – u shpreh Blushi.

Ai tha se qytetarët ndihen më të pasigurt se kurrë, përballë një realiteti ku krimi i organizuar dhe ai ordiner po veprojnë pa ndëshkim.

“Krimi ka marrë yrysh. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar. Kuvendi duhet të përballet me këtë realitet tragjik dhe të reflektojë urgjentisht,” – deklaroi më tej Blushi.

Pasaportat pa vula, BE kalon në sistemin digjital të kufijve

Bashkimi Evropian ka nisur zyrtarisht zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES), duke hequr dorë nga vulosja manuale e pasaportave për shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në zonën Shengen.

Sistemi EES (Entry/Exit System) regjistron të dhënat biometrike, si shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës, si dhe kohën e saktë të hyrjes dhe daljes së udhëtarëve në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë.

Kjo nismë synon të:

  • Përshpejtojë kalimin në kufij dhe të reduktojë radhët;
  • Forcojë sigurinë në hapësirën Shengen;
  • Zëvendësojë vulosjen e pasaportave, e cila shpesh shkaktonte vonesa dhe konfuzion;
  • Monitorojë automatikisht qëndrimet e tejzgjatura të udhëtarëve me vizë ose pa vizë.

Sipas njoftimeve zyrtare, udhëtarët që hyjnë për herë të parë pas zbatimit të sistemit do të duhet të regjistrojnë të dhënat biometrike, një proces që do të kryhet vetëm një herë, në një pikë kufitarwTë gjithë qytetarët joevropianë që udhëtojnë drejt zonës Shengen, e cila përfshin 29 shtete, nga të cilat 25 janë pjesë e BE-së dhe katër të tjera si Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda do të regjistrohen përmes sistemit të ri digjital.

Irlanda dhe Qiproja do të vazhdojnë me procedurat manuale të kontrollit të pasaportave. Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e zonës Shengen.

Në vend të vulave në pasaportë, sistemi EES do të regjistrojë të dhënat biometrike të udhëtarëve si fytyrën dhe gjurmët e gishtërinjve si dhe datat e hyrjes dhe daljes.

“Sistemi EES do të zëvendësojë gradualisht vulosjen e pasaportave me një sistem digjital që regjistron automatikisht hyrjen dhe daljen e udhëtarëve, duke përshpejtuar kontrollin kufitar dhe duke ndihmuar punonjësit të jenë më efikasë”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.Zbatimi i sistemit nis këtë fundjavë, por do të jetë një proces i përshkallëzuar. Pritet që EES të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

Deputetja Brunilda Mersini do të jetë kandidatja e PS për bashkinë e Vlorës

Deputetja aktuale e qarkut të Vlorës, Brunilda Mersini do të jetë kandidatja e PS për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.

Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Blendi Çuçi tha se kryesia e PS vendosi kandidaturën e Mersinit, nisur nga eksperienca e saj e gjatë në politikë, si një drejtuese prej vitesh në bashkinë e Vlorës.

Arrestohet bosi i mafies italiane,në arrati prej 5 vitesh

Një bos i njohur i mafies italiane, i shpallur në kërkim nga autoritetet, është arrestuar mëngjesin e kësaj të marte. Ai ishte prej 5 vitesh në arrati.

Mediat e huaja raportojnë se 39-vjeçari Leonardo Gesualdo nga Foggia, një udhëheqës i organizatës Società Foggiana, ishte në arrati që prej vitit 2020, kur ai arriti të arratisej gjatë një operacioni të madh policor që ishte duke u zhvilluar në atë kohë. Gesualdo ishte dënuar me 12 vjet burg, ndërsa ishte pjesë e listës së të arratisurve më të rrezikshëm.

Për këtë operacion, u lëshuan 44 urdhra të përkohshëm ndalimi – kryesisht për vepra penale të zhvatjes. Në orët e para të së martës, karabinierët nga GIS hynë me forcë në një shtëpi në periferi të Foggia-s, ndërsa kapën mat teksa flinte gjumë 39-vjeçarin. Gjatë kontrollit në banesë, mafiozit iu gjet një pistoletë me gjashtë fishekë në karikator.

Sa kushton të jetosh vetëm në Shqipëri?

Shpenzimet mujore për konsum në Shqipëri janë rritur gjatë vitit 2024 në të gjitha kategoritë e familjeve, duke reflektuar një rritje të lehtë të mirëqenies dhe të fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, por edhe nivelin e çmimeve. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se shpenzimi mesatar mujor për një familje ka arritur në 93,042 lekë, nga 91,675 lekë një vit më parë. Pra rreth 1,300 lekë më shumë.

Nëse vështrimi zhvendoset te madhësia e familjeve, shifrat tregojnë se sa më e madhe NjEF, aq më të larta janë shpenzimet total. Një familje me katër persona shpenzon mesatarisht 111,681 lekë në muaj, ndërsa ajo me pesë ose më shumë persona arrin në 115,729 lekë. Krahasuar me vitin 2023, të gjitha grupet familjare kanë regjistruar rritje të konsumit, nga 2 deri në 12%, me ritme më të larta për familjet me dy dhe tre persona, një shenjë që segmenti i familjeve të vogla po ndien më fort efektet e rritjes së të ardhurave.

Por sa konsumojnë familjet me fëmijë?

Rritja e konsumit vihet re edhe në ndarjen sipas tipologjisë. Familjet me dy të rritur dhe fëmijë shpenzuan 106,042 lekë, nga 92,476 lekë një vit më parë, një rritje mbi 14%. Kjo tipologji familje ka rritjen më të lartë të konsumit. Edhe familjet me tre ose më shumë të rritur me fëmijë kanë rritur konsumin me rreth 6%, duke arritur në 115,654 lekë në muaj. Ky zgjerim tregon një tendencë drejt konsumit më të gjerë, veçanërisht në kategori si ushqimi, transporti, shërbimet dhe arsimimi.

Dy të rritur me fëmijë shpenzojnë rreth 27 mijë lekë më shumë se dy të rritur pa fëmijë. Ndërkohë, nga ana tjetër, një person i vetëm me fëmijë në varësi shpenzon rreth 23 mijë lekë më shumë se një person i vetëm.

Në anën tjetër, personat që jetojnë vetëm mbeten kategoria me shpenzimet më të ulëta, por edhe më të qëndrueshme, me 56,895 lekë në muaj, nga 55,940 lekë në vitin 2023. Për këtë grup, rritja është minimale, çka mund të lidhet me një kufi natyral të konsumit individual dhe me faktin se shumë prej tyre jetojnë me buxhete të kufizuara.

Kategoria më e ekspozuar ndaj kostove të jetesës mbetet ajo e personave të vetëm me fëmijë në varësi, ku shpenzimet mujore janë rritur në 80,257 lekë, nga 74,120 lekë një vit më parë. Kjo rritje reflekton jo vetëm nevojat më të mëdha për konsum në familjet e vogla me fëmijë, por edhe sfidat që hasin prindërit e vetëm në mbulimin e shpenzimeve.

Gjobë 350 euro/m2 për ndërtimet pa leje dhe konfiskim – Fuqizohen masat, nis zbatimi. Kush përfshihet në “Listën e Zezë”

Kushdo që ndërton pa leje, apo në tejkalim të lejeve të ndërtimit, do të penalizohet. Qeveria ka miratuar aktet normative të cilat kanë hyrë në fuqi vendosin rregulla të qarta për zhvillimin e territorit dhe synojnë ti vënë fre urbanizimit të pakontrolluar në vend.

Referuar aktit normativ për ndryshime në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, tashmë do të ngrihet një Regjistër Kombëtar Elektronik i Lejeve  të Zhvillimit/Ndërtimit” e cila do të jetë databaza elektronike kombëtare, pjesë e sistemit e -Leje, ku regjistrohen të gjitha lejet e zhvillimit e të ndërtimit, që lëshohen nga autoritetet e zhvillimit të territorit.”

Ndërsa, në regjistrin e  “Listës së zezë” do të përfshihen gjithë  zhvilluesve, shoqëri ose individë, që shkelin parashikimet ligjore të zhvillimit të territorit,  kontrollit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit,  të cilët përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje, për një periudhë 5-vjeçare

Akti normativ parashikon se në rast se punimet nuk kanë filluar brenda 1 viti  nga data e miratimit të lejes së ndërtimit, atëherë leja  konsiderohet e pavlefshme.

Ndërsa për punimet e filluara dhe të papërfunduara,  për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej  më shumë se 5 vjetësh dhe nuk është kërkuar shtyrja  e afatit,  merren për mënyrën e përfundimit të  punimeve, prishjen apo konfiskimin e ndërtimit.

Akti normativ, përcakton gjithashtu se tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën  tokë, dhe për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij, konfiskohen për  interes publik apo strehim social punimet e kryera pa leje për qëllime fitimi, ose një sipërfaqe ekuivalente me to, brenda objektit, e cila të jetë hapësirë e shfrytëzueshme.

Nga ana tjetër të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes për qëllime  fitimi, mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, konfiskohet, për interes publik apo strehim social, i gjithë objekti apo vendoset prishja e plotë e tij nga organet përgjegjëse.

Ndryshimet e reja ligjore, refuzojnë pajisja me leje ndërtimi  për individët, subjektet, përfshirë administratorët,  ortakët dhe pronarët përfitues, që kanë kryer shkelje të rënda të standardeve  teknike dhe ligjore në projektet e ndërtimit;  janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së  prerë për vepra penale në fushën e ndërtimit;  kanë shitur njësitë e ndërtuara për të njëjtën  sipërfaqe më shumë se një herë;  kur ndërtimet e kryera prej tyre janë objekt  konfiskimi apo prishjeje, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.  

Sa i takon masave administrative, mosdeklarimi i punimeve nga ana e qytetarëve, që përjashtohen nga detyrimi i pajisjes me leje,  dënohet me gjobë nga 50.000 lekë deri në 150.000 lekë, si dhe me vendim prishjeje. Nëse kryhen brenda zonës së brezit bregdetar, pavarësisht natyrës së ndërhyrjeve, të cilat janë objekt i një lejeje ndërtimi të miratuar nga KKTU-ja,  gjoba është jo më pak se 35 mijë lekë për m2 dhe vendim prishjeje.

Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, sipas preventivit përkatës të depozituar pranë autoriteteve përgjegjëse, por, në çdo rast, jo më pak se 35 mijë lekë/ m2 kur ndërtimi bëhet për qëllime fitimi dhe me konfiskim për interes publik apo strehim social të punimeve të kryera pa leje kur ndërtimi pa leje është mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë; prishje apo konfiskim për interes publik, për të gjithë objektin, kur ndërtesa është e qëndrueshme, në rastet kur: ndërtimi rezulton pa leje, mbi dhe nën tokë; ndërtimi pa leje tejkalon masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë.

Kryerja e punimeve pa leje brenda brezit bregdetar, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat e mbrojtura apo në zonën kufizuese të një monumenti kulture, dënohet edhe me gjobë në masën 10% të vlerës së preventivit.

Ndërsa në aktin normativ që sjell ndryshime në ligjin për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit,  parashikohet forcim i rregullave për monitorimin e territorit nga institucionet përgjegjëse si dhe masa administrative në rast të shkeljeve të konstatuara.

Pasi kreu vr*sjen brenda gjykatës,Elvis Shkambi me duar në xhepa , i thërret vetë policëve

Pamje tronditëse dalin nga vrasja e ndodhur ditën e djeshme brenda gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja.Elvis Shkambi, pasi vrau gjyqtarin doli në ambientet e jashtme të gjykatës, me duar në xhepa dhe gjakftohtë.

Pasi forcat e rendit mbërritën në vendin e ngjarjes, ai i thërret vetë policëve dhe iu thotë se vrasjen e kreu ai.Menjëherë pas kësaj, forca të shumta policie e arrestojnë atë dhe xhaxhanë e tij.

Bardhi: As mafia italiane nuk ka guxuar të vrasë në sallë gjyqi

Bardhi: Është bërë si han pa porta Apeli, pasi s’di kush hyn e del dhe në këtë fazë, dje vërtet ndodhi ajo ngjarje e rëndë, por akoma me rëndë ishte reagimi i Ministrisë së Brendshme, që s’ka rol në sigurinë e gjykatave.

Reagimi i Kryeministrit më skandaloz. KM tha se është përgjegjësi, një gjyqtar që është i pasigurt në zyrën e tij dhe sallën e gjyqit, se e nxirrni veten ‘injorante të ligjit’…s’është i mundur të japë drejtësi. Duke mos pasur siguri për veten, vendimi ndikohet nga frika e vrasjes. Gjyqtari të ndihet i sigurt në gjyq, pa qenë i sulmuar.Policia ka shumë rol, sipas nenit 49 është Këshilli i Ministrave, është ai që përcakton rregullat e sigurisë në gjykata dhe më 2020. Policët ‘si kemi për gjyqtarë e prokurorë po për të sulmuar qytetarët në pronat e tyre.

Hoqi policinë nga ruajtja e sigurisë në gjykata e prokurori, ndaj kjo bëri të hynë individë më armë në brez e gjyqtarët të jenë të pambrojtur në sallën e gjyqit. Është çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

S’mund të thotë Min.Brendshëm se arrestuam qytetarin, qytetari priti Policinë duke thënë se shkoni se e vrava, kaq qesharake është bërë policia, se e keni nxjerrë jashtë rolit. Nëse s’ju intereson e shqetëson vrasja e gjyqtarit, ne na shqetëson, s’është rastësi që qytetari bën vetëgjyqësi në gjyq, ndërsa kemi parë edhe KM që japin vendime.

Ata që ka sulmuar Rama janë ndër të më mirët në sistem. Kur qytetari shikon KM kur është palë në proces, që bën vetëgjyqësi e shpall të paligjshëm vendimin e  gjykatës dhe do bëjnë vetëgjyqësi në sallë. S’ka ndodhur as mafia në Itali, t’i vrasë në sallën e gjyqit.

Ky është realiteti i Shqipërisë më 2025. Kur qytetarët shikojnë atë që kontrollon shtetin të bëjnë vetëgjyqësi nxiten dhe ata të bëjnë vetëgjyqësi. KLGJ reagon vetëm kur vriten gjyqtarët e jo kur sulmohen. Siç i vret kryeministri me fjalë, hesht KLGJ.