Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri,39-vjeçari kërkuar në Fier e Tirane

Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Fier, përplasen 2 makina, të plagosurit dërgohen në spitalin Memorial

Një aksident rrugor është regjistruar mbremjen e sotme ne rrugen e spitalit Memorialit në Fier. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Mercedes “dhe një “Mitsubishi.” Si pasojë e përplasjes, njëra prej makinave ka përfunduar në kanal, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme.
Dy persona kane mbetur të lënduar, dhe jane derguar per mjekim ne spitalin rajonal Fier Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Shkarkohen nga detyra prefekti Fierit dhe i Vlorës

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka vendosur për shkarkimin nga detyra të prefektit të Qarkut Fier, Arben Çuko.

Çuko do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Anduel Xhindi.

Po ashtu, qeveria liroi nga detyra edhe prefektin e Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, duke e zëvendësuar me ish-deputetin socialist Evis Allushin.

V E N D I M PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të  ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Z. Arben Çuko, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
  2. Z. Anduel Xhindi emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të  ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Z. Plator Nesturi, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.
  2. Znj. Evis Allushi emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

PD kërkon shkarkimin nga detyra të Presidentit Begaj

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së sotme e konsideroi të papranueshëm ekzekutimin e mekanizmave parlamentarë të kontrollit nga ana e mazhorancës socialiste.

Me anë të një njoftimi për shtyp, grupi parlamentar i PD thekson se vetëm në këtë javë, mazhoranca në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ka refuzuar 3 mocione me debat, 1 kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin dhe 1 kërkesë për seancë dëgjimore në Komision me Ministren e Arsimit.

“Mocionet me debat lidheshin me çështje të rëndësishme në interes të publikut: Prioritetet e Qeverisë në programin e Qeverisë që përparojnë agjendën europiane të Shqipërisë; Dënimin e gjenocidit serb të kryer në Kosovë, në vijim të kërkesës së Presidentes së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani si dhe gjetjen e mekanizmave ligjorë që ofrojnë siguri për Bashkimin Europian që të hiqet bllokimi i vendosur ndaj 112 milionë euro ndihmë për fermerët shqiptarë nga programi IPARD 3.

Për këtë qëllim, ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, vijon njoftimi, pas paraqitjes së gjetjeve të ekspertëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi që të nisë procedurën parlamentare për propozimin e shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Në vijim të diskutimeve të mëparshme, grupi parlamentar i PD miratoi dorëzimin e dy kërkesave, për ngritjen e Komisionit Hetimor për parregullësitë në farsën zgjedhore të 11 Majit 2025 dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor mbi bashkëpunimin e provuar nga drejtësia amerikane midis Kryeministrit Edi Rama dhe ish-agjentit të dënuar në SHBA Charls McGonigal.

Lidhur me kërkesat e grupit parlamentar të PS për ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme Parlamentare, lidhur me Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, grupi parlamentar i PD vlerëson se pjesëmarrja e opozitës në këto Komisione do të mundësohet vetëm nëse puna në to ndërtohet mbi bazën e garancive të barazisë pozitë-opozitë, të konsensusit në vendimmarrje në Komision dhe në seancë plenare, të respektimit të parimit të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, si dhe të angazhimit në proces sipas fushave që mbulojnë të ekspertëve të OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës, të Komisionit të Venecias dhe të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Gjithashtu, vijon grupi parlamentar i PD, Kuvendi i Shqipërisë duhet të respektojë dhe të presë me qëllim bërjen pjesë të punës së tij edhe Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

PD bojkoton komisionin e Territoriales dhe Reformës Zgjedhore, Berisha: Nuk futemi derisa të vijnë ekspertët e huaj

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në dy komisionet e posaçme që pritet të ngrejë Kuvendi për Reformën Administrative Territoriale dhe atë të Reformës Zgjedhore.Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se opozita nuk do të jetë e pranishme derisa komisionit ti bashkohen ekspertët ndërkombëtarë për të dyja këto çështje.

“Asnjë komision pa kongresin e autoriteteve territoriale për Komisionin e Reformën Administrative dhe pa ODIHR për Reformën Zgjedhore nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare, të marrim specialistët nga Venecia dhe ne jemi të hapur të zbatojmë rekomandimet. Por me Fatmir Xhafën, me Gjiknurin që duhet të ishte në burg prej kohësh, nënës së tij i vodhën 6 milionë euro, nuk bëhet reformë, nuk kanë interes reformash. Duan të shkatërrojnë çdo gjë që është në mënyrë që të qëndrojnë në pushtet”, deklaroi Berisha.

Zbulohet mesazhi që la Rama në homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja

Në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, u mbajtën sot homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pas një sulmi me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ndodhej në krye të detyrës.I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili la edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve për gjyqtarin e ndjerë.

Kreu i qeverisë shkruan se vrasja e gjyqtarit të Apelit është një tragjedi e madhe jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për shtetin.Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin, u prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjithnjë. Edi Rama”.

Fier – Procedime të reja për dr*gë, dh*në në familje, ndotje dhe përndjekje online

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. P., 35 vjeç, banues në Fier pasi posedonte doza Cannabisi.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., banues në Fier, pasi ka kallëzuar një punonjëse e sektorit që drejton ky shtetas, se nuk i është shënuar për disa ditë, prania në punë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase, në rrjete sociale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen I. L., 35 vjeçe, banuese në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të saj, 12 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. L., 56 vjeç, banues në Ballsh, pasi dyshohet se ka ndotur ajrin, duke djegur një objekt në banesën e tij;
-K. Rr., banues në fshatin Drenovë, pasi dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ka ndezur për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Homazhe për gjyqtarin Astrit Kalaja, i pranishëm kryeministri Rama

Në Pallatin e Kongreseve janë mbajtur homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u vra 2 ditë më parë në sallën e gjyqit.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, por edhe kolegë të gjyqtarit të ndjerë, prokurorë e gjyqtarë.

Pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, Rama refuzoi të jepte një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë me gjithë insistimin e mediave të shumta të pranishme.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën dhe solli reagime të shumta nga sistemi i drejtësisë, politika por edhe opinioni publik.

Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin Astrit Kalaja menjëherë sapo dha vendimin në disfavor të tij për një çështje prone duke i shkaktuar vdekje.

31-vjeçari qëlloi me armë zjarri edhe ndaj 2 personave të tjerë në sallën e gjyqit, me të cilët ishte në konflikt pronësie duke i lënë të plagosur.

Pas arrestimit të autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, në pranga lidhur me ngjarjen e rëndë janë vënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë i Gjykatës së Apelit Tiranë, Banush Koxhaj.