“The Times”: Mafia shqiptare përdor zhytës ushtarakë për të fshehur dr*gën poshtë anijeve

Gazeta britanike prestigjioze „The Times“ publikon një raport mbi metodat gjithnjë e më të sofistikuara të shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës

Sipas artikullit, gjashtë shqiptarë u kapën në Norvegji duke veshur kostume zhytjeje, ndërsa përpiqeshin të nxirrnin 150 kilogramë kokainë nga pjesa e poshtme e një anijeje që vinte nga Brazili, një skenë që, siç e përshkruan gazeta, “dukej sikur kishte dalë nga një film James Bond.”

Hetuesit e Europol-it thonë se kjo është vetëm një nga “detyrat e reja” që shqiptarët kanë marrë në zinxhirin global të trafikut të drogës.

Gjashtë shqiptarët, të cilët mbërritën në portin e vogël Husnes, në bregun perëndimor të Norvegjisë, ishin të pajisur me kostume zhytjeje dhe akrepa nënujore, si të ishin dalë nga një film James Bond, por që aty nuk kishin ardhur për pushime nën ujë. Pesë burra dhe një grua kishin ardhur për të takuar një anije mallrash që vinte nga Brazili.

Kur anija Nordloire mbërriti në port, ata prisnin natën, dhe më pas një prej tyre u zhyt për të nxjerrë më shumë se 150 kilogramë kokainë, të fshehur në një kanal uji nën vijën e ujit të anijes.

“Në këto operacione, ekuipazhi i anijes shpesh nuk ka asnjë ide që mjeti i tyre po përdoret si një ‘taksi falas’ nga trafikantët e drogës,” tha Leonardo Landi, një oficer italian i policisë që ndihmoi në kapjen e zhytësve në vitin 2023.

“Ajo që kemi vënë re është se zhytësit që fshehin kokainë në këto anije në Amerikën e Jugut dhe më pas e nxjerrin drejt Evropës janë gjithnjë e më shumë shqiptarë, ndoshta me përgatitje ushtarake,” shtoi Landi.

Kjo përfaqëson një tjetër detyrë në trafikun e drogës që shqiptarët kanë marrë përsipër, të cilët tani janë të përfshirë në gjithçka — nga prodhimi i kokainës në Amerikën Latine, te ndërmjetësimi i transportit përmes Ekuadorit, deri te organizimi i shitjeve në rrugët e Evropës.

Duke menaxhuar çdo hallkë të biznesit, shqiptarët kanë arritur të ulën kostot dhe të eliminojnë konkurrencën.

“Tani ata ofrojnë çdo shërbim të lidhur me trafikun e drogës,” tha Landi, kolonel në policinë tatimore italiane dhe oficer lidhës për narkotikët në agjencinë Europol.

Kjo metodë trafikimi, e quajtur “parazit”, përdor anijet mallrash dhe po rritet sepse shmang nevojën për të paguar ryshfete ekuipazhit apo zyrtarëve të doganës. E gjithë ajo që nevojitet është një zhytës për të çmontuar grilën që mbulon hapësirën nën vijën e ujit, ku pompohen uji i ftohjes — dhe për të vendosur qese të papërshkueshme nga uji, që mund të përmbajnë deri në 400 kg kokainë, së bashku me Apple AirTags për të gjurmuar anijen.

 Fier – Procedime të reja penale për shkelje të ndryshme ligjore

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë referuar në Prokurori disa materiale procedurale, për vepra penale të ndryshme.

  • Narkotikë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë proceduar në gjendje të lirë shtetasin A. O., 31 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke poseduar doza kokaine.
  • Qarkullimi Rrugor –
    • F. H., 62 vjeç, banues në Fier, është proceduar pasi drejtonte motomjetin pa leje drejtimi;
    • K. K., 64 vjeç, banues në Poloni, është proceduar pasi në aksin “Lushnjë–Berat” humbi kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtuan lehtë tre pasagjerë.
  • Krime të tjera –
    • L. Z., 33 vjeçe, banuese në fshatin Adë, u procedua pasi ka kanosur për motive të dobëta një 79-vjeçar;
    • E. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, u procedua pasi nuk iu bind urdhrit të Policisë për t’u paraqitur në Komisariat;
    • Një 17-vjeçar u procedua pasi është konfliktuar fizikisht me një 14-vjeçar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

Punonjësit e naftes se “BANKERS” neser ne grevë, përplasje me kompanine për pagat

Sindikata e Sektorit të Hidrokarbur ka njoftuar sot zhvillimin e një greve të përgjithshme pas dështimit të negociatave me kompaninë “Bankers Petroleum Albania” për çështjen e pagave, të përcaktuara në pikën 9 të nenit 23 të Kontratës Kolektive të Punës.

Në njoftimin zyrtar, sindikata thekson se vendimi për grevë është marrë në përputhje me Kodin e Punës dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që garanton të drejtën e punonjësve për veprime sindikale.

Greva do të zhvillohet në dy faza:

  • Më 15 tetor 2025, nga ora 07:00 deri në 10:00;
  • Nga 16 tetori 2025, duke filluar në orën 07:00 dhe pa afat, deri në realizimin e marrëveshjes.
  • Vendi i zhvillimit:

Në ambientet e punës, përpara zyrave të shoqërisë në Marinëz.

Gjithashtu, Kryesia dhe anëtarët e Këshillit Sindikal kanë vendosur të hyjnë në grevë urie që prej 15 tetorit, ora 10:00, deri në zgjidhjen e konfliktit.

Në deklaratë theksohet se protesta do të jetë paqësore dhe ligjore, pa dëmtuar pronën apo procesin teknik të punës, ndërsa qëllimi mbetet zbatimi i marrëveshjes kolektive dhe rritja e pagave.

Sindikata apelon për dialog të hapur dhe zgjidhje të drejtë të konfliktit, duke theksuar se mbetet e gatshme për bisedime në çdo moment.

“Ne do t’ia dalim! Bashkë jemi më të fortë!” – përfundon njoftimi i sindikatës.

Nuk lironin pronën, 60-vjeçarja sh*mbi ndërtesën, 3 karabinerë humben jetën

Tre karabinierë humbën jetën nga një shpërthim që ndodhi mëngjesin e sotëm në Castel D’Azzano, një fshat afër Veronës, në veri të Italisë.
Karabinierët, së bashku me kolegë të tjerë dhe policë, kishin shkuar në zonë për të realizuar një nxjerrje nga një ndërtesë dykatëshe, ku ndodheshin tre persona që kishin zaptuar pronën.

Shpërthimi, që e shkaktoi një grua 60-vjeçare, shembi ndërtesën dhe ku tre karabinerët mbetën nën rënoja.Dëmtime pësuan edhe 11 policë të tjerë, të cilët u dërguan në spital, por sipas mjekëve, ata nuk janë në rrezik për jetën.
Shpërthimi dyshohet se u shkaktua nga shishe gazi dhe u ndje në një rreze prej pesë kilometrash. Brenda shtëpisë u gjetën të paktën pesë shishe gazi që ishin të hapura, si dhe bomba molotov.

Gruaja që shkaktoi shpërthimin dhe një nga burrat që jetonin me të, u dërguan gjithashtu në spital me lëndime.Vëllai i saj, që po jetonte gjithashtu në shtëpinë dykatëshe, e braktisi zonën dhe është shpallur në kërkim.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e quajti këtë një ngjarje dramatike.

“Shpërthimi duket se ka ndodhur për shkak të një rrjedhjeje të qëllimshme gazi. Ata nuk donin të largoheshin nga shtëpia që kishin pushtuar, por askush nuk priste një zhvillim kaq ekstrem.”, tha ai.

Vjelja e ullirit në 2025 nis me prodhim më të ulët, pritet deri në 50% më pak në disa zona

Në disa zona të Beratit ka nisur vjelja e ullirit, ndërsa pritet të fillojë së shpejti edhe në fshatra të tjerë. Në Elbasan vjelja pritet të nisë nga fillimi i muajit nëntor. Megjithatë, kjo fazë e parë e sezonit shoqërohet me sinjalizime për një ulje të ndjeshme të prodhimit, krahasuar me vitin e kaluar.

Grumbullues dhe përpunues të ullirit në zonat e Beratit dhe Elbasanit pohojnë se prodhimi i ullirit si kokërr për konsum të drejtpërdrejtë, ashtu edhe për përpunim në vaj, rezulton më i ulët se në vitin 2024. Deri në fund të sezonit, pritet që sasia e grumbulluar të jetë 30 deri 40% më pak.

Kastrijot Çuedari, përpunues nga Berati, thotë se kjo rënie vjen si pasojë e temperaturave të larta gjatë verës, të cilat u shtrinë edhe në vjeshtë, duke ndikuar negativisht në zhvillimin e fryteve.

Në zonën e Cakranit, Taulant Musaraj pohon se prodhimi mund të jetë 40 deri në 50% më i ulët krahasuar me sezonin tetor-nëntor 2024, për të njëjtat arsye klimaterike. Disa fermerë në këtë zonë kanë nisur vjeljen e prodhimit sipas tij.

Agron Çakalli, nga Federata Bujqësore Elbasan, shton se ndikim kanë pasur edhe cikli biologjik natyror i ullirit, ulja e shërbimeve agroteknike për shkak të mungesës së mjeteve financiare, si dhe pakësimi i numrit të fermerëve, për shkak të emigracionit.

Silvana Subashi thotë se pavarësisht sasisë më të pakët që pritet sivjet cilësia dhe rendimenti pritet të jetë më i mirë sesa vjet, duke ofruar një mundësi më të mirë për prodhimin e vajit ekstra të virgjër.

Por në 26 vite, sipas të dhënave të INSTAT nga 1998 deri në 2024 rezulton se ulliri ka pasur luhatje të ndjeshme si në prodhim dhe në rendiment.

Në harkun e 3 dekadave sasia më e lartë e prodhuar u arrit në 2022. Në këtë vit u prodhuan 157,7 mijë ton ullinj me rritje 43% krahasuar me vitin paraardhës. Rendimenti i prodhimit ishte 17.2 kv/ha apo 4.7 kv për ha më shumë sesa në 2022.

Përveç 2022 sasia e lartë e prodhimit të ullinjve është arritur edhe në 2012, sidomos pas masave për subvencione të marra nga qeveria nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në 2012 u prodhuan 108 mijë ton ullinj, me rritje 65% krahasuar me 2011.

Në 2023 sasia e prodhuar e ullinjve arriti në 117,6 ton ullinj. Krahasuar me 2022 prodhimi i ullinjve ra 25%. Rënie shënoi edhe rendimenti i prodhimit me 4.8 kv për ha në 2023 në raport me vitin 2022.

Në 2024 sipas të dhënave të INSTAT u prodhuan 146,7 mijë ton ullinj. Krahasuar me 2023 sasi e prodhimit u rrit rreth 25%.

Në 2024 rendimenti i prodhimit të ullirit arriti 15.2 kv/ha. Në raport me 2023 rendimenti ishte me rënie 2.8 kv/ha./ Monitor

Mbyllja e rruges Tiranë–Durrës shkakton trafik të rënduar, policia apel qytetarëve

Qarkullimi rrugor në Tiranë dhe në zonat hyrëse e dalëse të saj është rënduar ndjeshëm ditët e fundit, pas mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes të ndërmarra nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Ky bllokim, që prek një nga akset më të frekuentuara të vendit, ka shkaktuar trafik të dendur dhe vonesa të gjata në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, si dhe në segmentet lidhëse me zonat periferike.

Për të menaxhuar situatën, Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar prezencën në terren, duke vendosur patrulla në pikat më problematike dhe duke koordiuar qarkullimin për të shmangur bllokimet totale.

Në një njoftim për mediat, policia u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë durim dhe kujdes, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e efektivëve në terren, si dhe të përdorin rrugë alternative kur është e mundur.

Demokratët depozitojnë kërkesën për hetim parlamentar mbi çështjen McGonigal

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depoziton në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Komisioni kërkohet që të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (I) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin Charles McGonigal; (II) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, korrektësisë dhe ndershmërisë në raportet e zyrtarëve shqiptar me zyrtarët e huaj.

Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me një afat veprimtarie prej 6 muajsh.

Bashkëlidhur kërkesa e plotë e dorëzuar zyrtarisht nga deputetët e opozitës. Sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.

Jetesa në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, Tirana mbetet qyteti më i shtrenjtë në vend

Sipas INSTAT, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për shpenzimet bazë; në Tiranë, mbi 108 mijë lekë.

Jetesa në Shqipëri po rëndohet ndjeshëm, teksa kostot bazë për familjet shqiptare janë rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit të fundit.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), një familjeje mesatare në vend i duhen rreth 93 mijë lekë në muaj për të mbuluar nevojat bazë të jetesës.

Në kryeqytet, kjo shumë arrin në rreth 108 mijë lekë, duke e bërë Tiranën qytetin më të shtrenjtë në vend.

Raporti i INSTAT analizon gjithashtu lidhjen midis nivelit arsimor të kryefamiljarit dhe strukturës së shpenzimeve. Gjatë vitit 2024, familjet me kryefamiljar me arsim të lartë kanë shpenzuar më pak se një vit më parë, çka tregon një menaxhim më të kujdesshëm të buxhetit.

Në të kundërt, familjet me nivel arsimor më të ulët kanë shënuar rritje të ndjeshme të shpenzimeve, duke reflektuar presionin e çmimeve në produktet bazë.

Sipas ekspertëve, këto të dhëna sugjerojnë se niveli i arsimimit ndikon jo drejtpërdrejt në shumën e shpenzuar, por në aftësinë për kursim dhe planifikim financiar.

Në krahasim me qytetet e tjera, Tirana mbetet më e papërballueshme për familjet me të ardhura të vetme, për shkak të rritjes së shpejtë të qirave, çmimeve të ushqimeve dhe kostove të shërbimeve.

Ndërkohë, taksimi i të dypunësuarve në kryeqytet po shihet nga shumë vëzhgues si një politikë e diskutueshme, që shton barrën ekonomike dhe ndikon negativisht në standardin e jetesës së qytetarëve.