80% e të punësuarve në bujqësi pa sigurime, rrezik për sistemin e pensioneve

Sektori i bujqësisë është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend me 37% të totalit në vitin 2024. Ai mban të punësuar 432 mijë individë, por 80% e tyre nuk paguajnë sigurime shoqërore.

Janë mbi 340 mijë punonjës të përjashtuar nga çdo mbrojtje ligjore dhe sociale dhe së shpejti do të bëhen barrë për pjesë tjetër të shoqërisë.

Sipas INSTAT një person konsiderohet i punësuar në bujqësi nëse gjatë javës së referencës ka punuar të paktën 1 orë në aktivitete bujqësore me qëllim fitimi, pra për të siguruar të ardhura ose mallra për treg.

Vitin e kaluar numri i vet-punësuarve në bujqësi që paguan sigurime arriti në rreth 90 mijë me rritje vjetore 15 për qind, mirëpo ende pjesa ma e madhe e fermerëve rreth 80 për qind e tyre punojnë pa sigurime.

Mos-përfshirja në sigurime e kësaj kategorie përbën një rrezik afatgjatë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Nëse gati një e treta e forcës punëtore nuk kontribuon në skemë, kjo krijon presion mbi buxhetin e shtetit dhe rrit pabarazitë në mbrojtjen sociale ka vënë në dukje Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO në raportet e mëparshme për Shqipërinë.

Rama kryen ndryshime në qeveri

Screenshot

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave janë bërë disa ndryshime në përbërjen e institucioneve:

Znj. Vilma Premti emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Znj. Elona Hoxha emërohet zëvendësministër i Drejtësisë;
Z. Besjan Kadiu emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Z. Fatmir Guri emërohet zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Znj. Silda Çepe, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë;
Znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë;
Z. Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.

Paradite është President, pasdite punon mjek”, Bardhi: Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private mjekësore

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se Presidenti i Republikës Bajram Begaj përveç detyrës së tij si kreu i Shtetit rezulton i punësuar në një klinikë mjekësore private.

Ai u shpreh se Begaj punon “paradite si President dhe pasdite si mjek”.

Bardhi theksoi ndalimin ligjor për Presidentin e Republikës që të ushtrojë detyra të tjera veç asaj të Kreut të Shtetit.

Fier – Procedime penale për falsifikim dhe konflikte pronësie

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. Xh., 52 vjeçe, banuese në Roskovec, pasi dyshohet se ka falsifikuar nënshkrimin e vëllait të saj, në një certifikatë pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. B., 80 vjeç, banues në fshatin Rreth Libofshë, pasi dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij;
-H. R., 59 vjeç dhe S. R., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Hamil, pasi dyshohet se në tokat bujqësore në fshatin Sektor Seman, janë konfliktuar me punonjësit e një firme ndërtimi, për të mos i lejuar të kryejnë punime, me pretendimin se toka është pronë e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Arrest me burg” për 38-vjeçarin e kapur me arsenal armësh në Fier

Screenshot

Gjykata e Fierit ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin M. R., 38 vjeç, i arrestuar disa ditë më parë pasi u kap me armë zjarri pa leje dhe i cili mbante një arsenal armësh në një banesë të pabanuar në lagjen “Kastriot”.

Vendimi është marrë pas seancës gjyqësore të zhvilluar paraditen e sotme, ku Prokuroria kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke argumentuar se i arrestuari përbën rrezik për rendin publik dhe mund të ndikojë në hetime në rast se lirohet.

Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se 38-vjeçari përdorte një banesë si bazë kriminale, ku policia gjeti dhe sekuestroi 13 armë zjarri, përfshirë 10 automatikë (3 me shënjestër optike dhe filet për silenciator), 2 pistoleta, 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak.

Arrestimi i tij erdhi pas një sinjalizimi nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”, të cilët informuan policinë për posedimin e një arme zjarri pa leje.

Pas ndalimit në automjet, ku iu gjet një pistoletë dhe 3 500 euro, hetimet çuan në zbulimin e bazës së armëve në Fier.

Policia dhe Prokuroria e Fierit vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe për origjinën e armëve të sekuestruara, që dyshohet se do të shiteshin te grupe kriminale për kryerjen e krimeve kundër personit.

Punonjësit e Bankers pezullojnë punën nesër në orën 07:00 – paralajmërojnë grevë urie nëse kërkesat nuk plotësohen

Tensionet mes punonjësve dhe kompanisë “Bankers Petroleum” kanë arritur kulmin. Sindikata e Punonjësve ka njoftuar se nesër, në orën 07:00, të gjithë punonjësit do të pezullojnë punën, duke nisur grevën e përgjithshme përballë zyrave të kompanisë në Marinëz.

Vendimi vjen pas dështimit të negociatave me kompaninë, që sipas Sindikatës, ka refuzuar të pranojë kërkesat për rritjen e fondit të përgjithshëm të pagave me 9% dhe për uljen e pabarazisë mes pagave të larta dhe të ulëta.

Në njoftimin publik, Sindikata akuzon kompaninë se po përpiqet të manipulojë opinionin dhe të përçajë punonjësit, duke përhapur pretendime të pavërteta rreth një “rritjeje për disa individë”.

“Kërkesa jonë është e qartë: rritje e fondit total të pagave dhe shpërndarje e drejtë për punonjësit me paga të ulëta. Nuk kërkojmë përfitime për ata që marrin mijëra euro, por dinjitet për ata që mbajnë mbi shpinë punën më të rëndë,” – thuhet në deklaratën e Sindikatës.

Përfaqësuesit sindikalë paralajmërojnë se, nëse kërkesat nuk merren parasysh, pas pezullimit të punës do të ndërmerret greva e urisë, si formë e fundit e protestës.

“Kauza jonë është e drejtë dhe e ligjshme. Nëse nuk dëgjohen zërat tanë, do të vijojmë me grevë urie, derisa të realizohen kërkesat për paga dinjitoze dhe barazi,” – thuhet në njoftim.

Sipas Sindikatës, oferta e kompanisë për 4200 lekë shtesë në muaj për dietën ushqimore është konsideruar “fyese” dhe “larg realitetit të kostos së jetesës”.

Punonjësit shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa greva do të nisë nesër në mëngjes në Marinëz, ku pritet pjesëmarrje masive e punonjësve të sektorëve të ndryshëm.

Raporti vjetor i SPAK, Dumani: 10 zyrtarë të dënuar, 33 të proceduar. 854 procedime penale

Gjatë raportimit të raportit vjetor të SPAK në Komisionin e Ligjeve, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, bëri me dije se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, ndërsa janë hetuar 854 procedime penale.

“Krahasuar me vitin 2023, numri i çështjeve në hetim për trafik droge është rritur me 3.3 përqind. Kjo ka sjellë edhe një shtim të bashkëpunimeve ndërkombëtare, kryesisht përmes Eurojust”, deklaroi Dumani.

Sipas tij, gjatë vitit janë ekzekutuar 46 vendime gjykate, ndërsa janë proceduar 33 zyrtarë të lartë, nga të cilët 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Sa i përket çështjeve të terrorizmit, Dumani tha se në vitin 2024 janë regjistruar 9 raste të reja. Ndërkohë, vlera e pasurive të konfiskuara arrin në 66.5 milionë euro, nga të cilat 43.8 përqind janë pasuri të sekuestruara, dhe 56.2 përqind janë konfiskuara përfundimisht.

“Rreth 45.8 përqind e këtyre pasurive u përkasin zyrtarëve publikë”, theksoi kreu i SPAK, duke nënvizuar se hetimet për korrupsion dhe pastrim parash kanë njohur rritje me 13 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Deputeti i PD Qarkut FIER , Saimir Korreshi, ironizon kryeprokurorin Olsjan Cela në Komisionin e Ligjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, nuk i kursente ironitë gjatë raportimit të kryeprokurorit Olsjan Cela në Komisionin e Ligjeve. Ai e krahasoi kryeprokurorin me një “magazines pa mall”, duke vënë në dyshim rolin dhe kompetencat e tij.

“Do ta nis nga Fieri, se aty ke transferuar hartën e re. I nderuar zoti prokuror, dukesh si magazinier pa magazinë. Duket sikur inventarizon, por nuk mund të kontrollosh hyrje e dalje,” tha Korreshi.

Deputeti theksoi se perceptimi i qytetarëve për reformën në drejtësi lidhet kryesisht me SPAK, por sipas tij, reforma ka dështuar. “Ka më shumë të dënuar për vepra penale dhe kundërvajtje, duke prekur drejtpërdrejt jetën e të rinjve,” shtoi ai.

Korreshi ngriti pyetje për ligjin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke sugjeruar nevojën për një balancim të kompetencave: “A duhet të ndërhyjmë për të pasur një kontroll efektiv mbi prokurorët e niveleve më të ulëta, pa kthyer kompetencat aty ku ishin më parë? Sot duket sikur kryeprokurori ka humbur fuqinë e tij.”

Gjatë fjalës së tij, deputeti solli shembuj të rasteve që sipas tij reflektojnë padrejtësi, nga dhuna në familje deri te penalizimet për sasi të vogla droge. Ai ironizoi kontrastin mes rasteve: “Njeri dënohet për një cigare hashash, tjetri për një ton del nga burgu. Çfarë logjike ka kjo?”

Fjala e tij u prit me të qeshura në sallë, ndërsa ai iu drejtua edhe prokurorëve të pranishëm: “Zoti Ulsi, mos u mërzisni. Nuk mërzitem unë që jam hero, jo ti që je armik. Kaq kisha.”