Shkaktoi aksidentin ku mbetën viktimë dy motrat Dhimaku/ Gjykata e Sarandës lë në burg Kevi Norrën

Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Kevin Norra, 23 vjeç, i akuzuar për aksidentin tragjik ku humbën jetën dy motrat Dhimaku, pasi u konstatua në gjendje të dehur pas përplasjes.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi vendosjen e masës së arrestit me burg për të riun, kërkesë e cila u pranua nga trupa gjykuese.Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi disa ditë më parë në Sarandë dhe rezultoi fatale për dy të rejat, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e aksidentit.

Fier/Finalizohet operacioni policor “Liquid”, goditet kontrabanda e hidrokarbureve

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Liquid”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Në pranga kanë rënë 2 shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër, pasi magazinonin dhe transportonin lëndë hidrokarbure të dyshuara kontrabandë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ndaluan në aksin rrugor Fier-Mbrostar një autobot me drejtues shtetasin B. D., 49 vjeç, banues në Patos, i cili transportonte lëndë hidrokarbure pa dokumentacionin përkatës.

Nga hetimet rezultoi se lënda hidrokarbure ishte ngarkuar në një ambient në pronësi të M. M., 58 vjeç, banues në Fier, dhe do të magazinohej në një ambient tjetër në pronësi të E. R., 34 vjeç, banues në Fier, i cili është shpallur në kërkim.

Në përfundim të operacionit:

  • u arrestuan në flagrancë B. D. dhe M. M.;
  • u shpall në kërkim E. R.;
  • autoboti dhe lënda hidrokarbure u sekuestruan si prova materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprat penale:

  • “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”;
  • “Ruajtja dhe magazinimi i mallrave kontrabandë”;
  • “Fshehja e të ardhurave”.

Rama:“Do të kemi së shpejt flotën tonë të avionëve zjarrfikës”

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare, ku u shpërndanë medalje për forcat që u angazhuan në operacionet e shpëtimit dhe përballimit të zjarreve gjatë kësaj vere. Në fjalën e tij, Rama vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e strukturave të angazhuara dhe theksoi domosdoshmërinë për të investuar më shumë në parandalim dhe pajisje.

Rama u ndal te përmasat dramatike të zjarreve që kanë përfshirë vendet e Mesdheut këtë verë: “Nga Spanja te Franca, nga Turqia te Portugalia, Italia e Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë si kurrë më parë. Bilanci është tragjik – qindra mijëra hektarë të djegur, pesë herë më shumë se mesatarja e viteve të fundit. Vetëm BE-ja ka humbur mbi 1 milion hektarë tokë nga zjarret.”

Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e avionëve zjarrfikës në pronësi të Shqipërisë, Rama tha se edhe vendet me kapacitete shumë më të mëdha kanë hasur vështirësi:

“Avionët nuk janë magjistarë. Edhe 22 avionët më të rinj nuk mundën të ndalnin zjarrin në Izmir, ndërsa në SHBA, një vendbanim sa Tirana u dogj nga flakët. Megjithatë, falë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, ndihma ajrore nuk na ka munguar.”

Kryeministri konfirmoi se Shqipëria do të nisë ndërtimin e një flote të vetën, duke filluar me dy avionë zjarrfikës, por theksoi se “magjia është në bashkërendim dhe sakrificë në tokë”.

Ai foli gjithashtu për masat e reja që do të ndërmerren ku do të përfshihen parandalimi më i zgjuar dhe pastrimi i pyjeve, krijimi i korridoreve natyrore, monitorimi me dronë me kamera termike dhe rimbjellje e sipërfaqeve të djegura përmes teknologjisë si edhe investime në qendrat e integruara të kontrollit për reagim të shpejtë.

Rama përfundoi me një apel për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtjen e pyjeve: “Çdo shkollë dhe institucion duhet të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje kombëtare për edukim, ndërgjegjësim dhe ripërtëritje të pyjeve tona.”

Rritet fluksi i daljeve nga Kakavija, mbi 5 mijë qytetarë kalojnë kufirin në 24 orë

Kur gushtit po i vjen fundi, në doganën e Kakavijës po regjistrohet një fluks i shtuar në dalje nga territori shqiptar, ndërsa bashkatdhetarët tanë, pasi kaluan pushimet e verës në vendlindje, po rikthehen në Greqi.

– Advertisement –

Sipas statistikave të Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 5.291 persona dhe 1.941 automjete në sportelet e daljes nga Shqipëria.

Ndërkohë, fluksi i lëvizjes në të dyja anët e kufirit në doganën e Kakavijës mbetet i lartë edhe në këtë fundgushti.

Në 24 orët e fundit kanë lëvizur gjithsej 8.574 persona dhe 3.005 automjete në të dy drejtimet, përfshirë edhe turistë nga vende të ndryshme.

Athinë-Kapet shqiptari i kërkuar për tentativë vr*sje

Policia greke ka arritur të vendosë në pranga një shtetas shqiptar të kërkuar nga Interpol Tirana për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Operacioni është zhvilluar mbrëmjen e 25 gushtit nga skuadra DIAS e policisë greke, në zonën e Kalitheas. Në prangat e policisë greke ka rënë Fatjon Shabanaj, 35 vjeç.

Shabanaj akuzohet për ngjarjen e majit 2021, kur në fshatin Poshnje të Beratit, u plagos me armë zjarri Iljaz Ismailaj, i cili kishte 1 ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga Anglia.

Perfshihet nga zjarri nje pallat trekatësh në qendër të qytetit te Peshkopise

Një zjarr i madh ka përfshirë një pallat trekatësh në qendër të qytetit të Peshkopisë, rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në katin e tretë të godinës dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Zjarri ka shkaktuar panik në mesin e qytetarëve, pasi ndërtesat në zonë ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, duke rritur rrezikun e përhapjes së flakëve. Fatmirësisht është bërë evakuimi në kohë i banorëve dhe nuk raportohet për të lënduar.

Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërkohë që policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave. Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.

Lushnjë! Shp*rthim në katin e parë. Disa persona përfundojnë në spital

Një zjarr ka shpërthyer në katin e parë të një pallati pranë Bulevardit të Palmave në Lushnje, duke shkaktuar panik dhe ankth tek qindra banorë dhe familjarët e tyre. Shkaku i zjarrit ishte djegia e një paneli elektrik në një bllok pallatesh, ndërsa mungesa e energjisë elektrike dhe ndërprerja e punës së ashensorëve e vështirësuan ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe policisë.

Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse, zjarri u shua dhe u vënë nën kontroll brenda pak minutash. Tym i dendur nga plastikat dhe kabujt përcjellës e vështirësoi punën e ekipit të emergjencës, por fatmirësisht nuk pati viktima. Disa persona me probleme frymëmarrjeje u transportuan në spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Aktualisht, energjia elektrike nuk është rikthyer në bllokun e pallateve, por zjarrfikësit konfirmojnë se nuk ka persona në rrezik në apartamentet që u përfshinë nga flakët dhe tymi. Banorët mund të jenë të qetë, pasi situata është nën kontroll dhe ndihma po vazhdon të jetë e pranishme në vendngjarje.

“Boom” emigrantësh në Shqipëri, të huajt nëntëfishohen në 20 vite

nga 2.378 leje qëndrimi në 2005, në mbi 21.900 në 2024

Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka njohur një rritje të fortë përgjatë dy dekadave të fundit. Nga vetëm 2.378 shtetas të huaj në vitin 2005, ky numër ka arritur në mbi 21,9 mijë në vitin 2024, duke reflektuar një transformim të dukshëm të vendit si destinacion pritës për komunitete të ndryshme të huaja.

Ky zhvillim pasqyron jo vetëm ndryshimet ekonomike dhe demografike të Shqipërisë, por edhe rolin e saj në flukset migratore rajonale dhe globale. Nëse në vitet e para dominonte dukshëm Europa, sot tabloja është më e larmishme, me një rikthim të fortë të Azisë dhe një rritje graduale të Afrikës.

Europa – burimi kryesor, por me peshë në rënie

Në vitet 2005–2006, europianët përbënin rreth 74% të të huajve me leje qëndrimi. Megjithëse Europa vijon të mbetet kontinent kryesor, pesha e saj është ulur në 65.5% në vitin 2024. Kjo tregon një diversifikim të qartë të profilit të të huajve që vendosen në Shqipëri.

Azia – rritje e vrullshme pas një dekade rënieje

Në vitin 2005, Azia përfaqësonte 29% të të huajve, por kjo peshë ra në vetëm 10% në vitin 2012. Pas vitit 2015, u regjistrua një rikthim i fortë: në vitet 2016–2018 aziatikët zinin rreth 28% të totalit. Edhe pse pati një rënie në vitin 2022 (14.6%), deri në vitin 2024 shifra u ngjit sërish mbi 20%, duke e bërë Azinë kontinentin e dytë më të rëndësishëm pas Europës.

Afrika – rritje graduale dhe e qëndrueshme

Nga një peshë modeste prej 3–4% në fillim të periudhës, Afrika ka shënuar një ngjitje të qëndrueshme, duke arritur në 6.9% në vitin 2024. Këto prurje lidhen kryesisht me emigracionin ekonomik dhe kërkesat për azil nga Afrika Veriore dhe ajo Subsahariane.

Amerika – prani e qëndrueshme, por në rënie relative

Në vitin 2005, shtetasit nga Amerika përbënin 17% të të huajve në Shqipëri. Sot, kjo peshë ka rënë ndjeshëm, duke u stabilizuar mes 6–7% në vitet 2023–2024. Rënia lidhet me mungesën e një fluksi të ri, ndërkohë që komunitetet ekzistuese mbeten relativisht të qëndrueshme në numër.

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend të hapur për prurje të huaja, jo vetëm nga Europa, por edhe nga Azia dhe Afrika. Ky diversifikim reflekton rolin e vendit si një nyje tranziti e rëndësishme dhe një destinacion me potencial në rajon.