Fier – Arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe procedim për dëmtim prone

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit O. B., 28 vjeç, banues në Lushnjë dhe E. Ç., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. H., banues në Fier, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka dëmtuar me sende të forta, banesën e një shtetaseje.

Dje, kallëzoi shtetasja R. M., 67 vjeçe, banuese në Lushnjë, se prej 2 javësh, ishte larguar nga banesa, vajza e saj, shtetasja A. M., 43 vjeçe, e cila sipas deklarimit të 67-vjeçares, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e 43-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Fier – Balluku: “Riorganizimi i Bashkisë Fier, hap drejt shërbimeve më cilësore dhe më transparente për qytetarët”

Pas zyrtarizimit të katër nënkryetarëve të rinj të Bashkisë Fier, zv/kryeministrja dhe drejtoresha politike e PS për Qarkun Fier, Belinda Balluku, në një prononcim për mediat deklaroi se procesi i riorganizimit ka nisur disa muaj më parë, me synimin për të ndërtuar një administratë vendore më efikase dhe më afër qytetarit.

“Ky proces ka nisur prej muajsh dhe synon një riorganizim të mirëfilltë të Bashkisë Fier, për të garantuar shërbime më cilësore dhe më transparente për qytetarët. Po vendosim theksin te ndarja e qartë e detyrave, dixhitalizimi i shërbimeve dhe mbi të gjitha transparenca,” – u shpreh Balluku.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, theksoi se ky është një proces që do të shtrihet në të gjitha institucionet vendore.

“Ky është vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdojë në nivel institucionesh. Brenda dy-tre muajve të ardhshëm, struktura e bashkisë do të pësojë ndryshime të plota, në përputhje me statusin e nënpunësit civil për çdo punonjës,” – deklaroi Subashi.

Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme që pritet të zhvillohen në disa bashki të vendit, Balluku shprehu bindjen se Partia Socialiste do të ruajë të njëjtin rezultat pozitiv si në zgjedhjet e 11 majit, jo vetëm në Fier, por në mbarë vendin.

Berisha akuza nga SPAK: Si po urdhërohet drejtuesi i Prokurorisë që të fshehë dosjen e Arubës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, ndërsa sulmoi ashpër kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin. 

Ai tha para GJKKO-së se Dumani është urdhëruar që të fshihet dosja “Aruba”. 

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, këtu takova Altin Troplinin, i cili po pinte një kafe me McGonigalin. Dhe McGonigali po e përgëzonte, po i jepte një çmim, atë të armikut të egër të pluralizmit politik. Në duar, McGonigal kishte dosjen e Arubës dhe e urdhëronte që ta fshehësh pafytyrësish siç e ke fshehur gjithë këto vite dhe bënë që qytetarët shqiptarë të mësojnë për një nga aktet më kriminale në historinë e një shteti, takimin në Aruba të qeveritarëve shqiptarë. Bënë që shqiptarët të mësojnë për Arubën nga prokuroria italiane. Bënë që të mësojnë për Arubën nga gjykata belge. Kurse ky llum njerëzor, që ka integritetin e një krimineli, fsheh një nga skandalet më të mëdha në historinë e një shteti. Natyrisht ky është një peng i parave të krimit që i ka larë dhe shndërruar në pronat e tij dhe nuk i justifikon. Por këto kisha për sot për Altin Troplinin.”, tha Berisha. 

Po ashtu Berisha u ndal dhe te akuzat ndaj Irena Gjokës. Berisha nxori një dokument që pretendon se Gjoka është përzënë nga territori grek.

“Tani do t’u njoh me dokumente të reja. Avokati i Irena Gjokës, Altin Troplini, që e mban me çdo kusht këtë delinkuente, këtë kriminele në drejtësi, imagjinoni ju dosjen e ish-presidentit të Republikës, e ish-kryeministrit, e ish-kryetarit të parlamentit, e gjykon një delinkuente, një falsifikatore, një mashtruese që mbahet në detyrë nga i ngjashmi me të, nga sivëllau i saj, Altin Troplini. Kam sjellë këtu dokumente që dëshmojnë se çfarë përfaqëson Irena me 5 mbiemra dhe që Troplini, për ta mbrojtur, i ka hapur dosje penale pa emër. Ky llum ligjor, ky llum njerëzor, shkelmon mbi ligje, mbi fakte, mbi prova, vetëm e vetëm për qëllimet e tij politike. Për të zgjatur jetën e Edi Ramës në pushtet dhe pushtetin e tij. Tani unë kam sjellë këtu certifikatën e datës 24.11.2002, me të cilën policia greke vërteton se e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash. Pra, Irena Gjoka është futur në Greqi duke falsifikuar vizën. Këtu e keni greqisht dhe shqip.
Mbrapa kësaj, prisni, keni dy gjëra të rëndësishme. Mbrapa kësaj keni përkthimin në shqip.Kjo është gjykatësja që gjykon dosjen e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të parlamentit. Këta janë, llumi fyhet po të përdorësh fjalën llum. Ka të tillë në botë? mund të ndodhë kund? Se vetëm kjo peng, kjo delinkuente zbaton urdhra politikë. Kanë këta një standard? Ky është standardi i Troplinit.”, shtoi Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë në dosjen “Aruba” në Belgjikë. 

Ai u shpreh se një nga pjesëmarrësit e hetuar nga drejtësia belge, ka deklaruar se ka pasur dakordësi më kryeministrin Rama që të paratë e tij të investoheshin në vendin tonë. 

Sali Berisha: Nuk e kam nga gazetari italjan. Të parët që kanë bërë publik dosjen Aruba është gjykata belge ku ka dalë emri i Edi Ramës. Di 100 për qind të sigurt që një nga pjesëmarrësit ka deklaruar që janë marrë vesh me kryeministrin dhe i ka premtuar se do të investojë paratë në Shqipëri. 

Klodiana Lala: A keni dokumente për këtë që thoni? 

Sali Berisha: Konfirmimim të plotë nga miqtë e mi kam por dokumente nuk kam ende.

Aksidenti i trefishtë në autostradën Lezhë–Laç, humb jetën motoristi

Njoftimi:

“Në aksin rrugor “Milot–Lezhë”, automjeti me drejtuese shtetasen Xh. N. është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin V. K. dhe me një automjet të ndaluar jashtë rruge.

Si pasojë e aksidentit është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, shtetasi V. K., 75 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.

Shtetasja Xh. N. u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit“-njofton policia.

Fier – Nesër pritet emërimi i nënkryetarëve të rinj të Bashkisë

Pas miratimit të strukturës së re organizative të Bashkisë Fier në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, në ditën e nesërme pritet të bëhet zyrtarisht emërimi i nënkryetarëve të rinj.

Sipas burimeve pranë bashkisë, Nusret Avdullai, Erald Qirjo, Mirela Pitushi dhe Mariglen Hoxha do të jenë katër nënkryetarët e rinj, në përputhje me strukturën e re të miratuar.

Ndërkohë, Niko Neco pritet të emërohet Drejtor i Përgjithshëm në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Fier.

Prezantimi i emrave të rinj do të bëhet nesër nga Drejtuesja Politike e PS për Qarkun Fier, znj. Belinda Balluku, në një takim me stafin drejtues dhe administratën vendore.

Ky ndryshim në drejtimin e bashkisë vjen pas zgjedhjeve vendore të 11 majit dhe në zbatim të udhëzimit të kryeministrit Edi Rama për riformatimin e strukturave të bashkive, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.

Nafta falas për bujqësinë – 1277 fermerë përfitojnë në fazën e parë, deri në 186 euro për hektar

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listën me 1277 përfituesit e parë të skemës së naftës për punime të mekanizuara në bujqësi.

Sipas aplikimeve të dorëzuara nëpërmjet platformës e-Albania, fermerët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose ato që planifikojnë të mbjellin, duke përfshirë të gjitha parcelat sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit.

Sipas vendimit të qeverisë, mbështetja financiare arrin deri në 186 euro për hektar, në varësi të kulturës së mbjellë:

Kultura pranverore (misër, fasule, luledielli, sojë) – 18,582 lekë/ha

Drithëra dhe bimë të lashta (grurë, elb, foragjerë) – 12,714 lekë/ha

Bimë aromatike dhe foragjerë shumëvjeçarë – 8,802 lekë/ha

Mollë – 18,582 lekë/ha, ndërsa ullinj, agrume e vreshta – 15,648 lekë/ha

Arra, bajame, lajthi e gështenja – 13,692 lekë/ha

Perime fushe – 14,670 lekë/ha, dhe perime sere – 16,626 lekë/ha

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës së mbështetjes për sipërfaqe deri në 10 hektarë, ndërsa për sipërfaqet mbi këtë kufi, mbështetja ulet me 50%, përjashtuar grupet e fermerëve dhe SHBB-të.

AZHBR thekson se të gjitha aplikimet fituese janë verifikuar administrativisht për saktësinë e deklarimeve. Vitin e kaluar, nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në mbarë vendin.

Trump dërgon 300 trupa të Gardës Kombëtare në Çikago mes tensioneve dhe protestave

Presidenti Donald Trump ka autorizuar vendosjen e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago, duke përmendur “krimin jashtë kontrollit” dhe tensionet në rritje në qytet si arsyet pas këtij vendimi. Ky vendim vjen pas përplasjes së autoriteteve të imigracionit me protestues të armatosur, përfshirë një grua e cila u qëllua nga agjentët federalë pasi protestuesit goditën automjetet e zbatimit të ligjit.

Lëvizja është pritur me kritika të ashpra nga udhëheqësit lokalë dhe shtetërorë. Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, e quajti ndërhyrjen federale “një përpjekje për të krijuar krizë artificiale”, ndërsa zyrtarë të tjerë lokalë e cilësuan atë si abuzim me pushtetin ekzekutiv.

Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, tha se trupat po dislokohen për të “mbrojtur oficerët federalë dhe asetet”, duke shtuar se “Presidenti Trump nuk do të qëndrojë duarkryq përballë mungesës së ligjit në qytetet amerikane”.

Ndërkohë, tensionet ligjore për këtë qasje janë në rritje. Një gjyqtar federal në Portland ka bllokuar përkohësisht vendosjen e trupave të ngjashme atje, duke argumentuar se ky veprim shkel Kushtetutën dhe cenon sovranitetin e shteteve.

Shp*rthim me tr*tol në Sarandë, shkatërrohet plotësisht automjeti – humb jetën një person

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3, ku një automjet tip fuoristradë është shkatërruar plotësisht, duke i marrë jetën drejtuesit të tij, Iusuf Jace.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në bizneset përreth dhe në një mjet tjetër të parkuar pranë. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes, që dyshohet të jetë e qëllimshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të këtij shpërthimi që ka tronditur Sarandën në orët e mbrëmjes.

Sarandë

Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.