Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhbllokuar llogaritë bankare të kompanisë nga Katari e angazhuar në projektin turistik të Zvërnecit, vetëm 24 orë pasi ato u bllokuan në kuadër të një hetimi për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në zonë.
Sipas informacioneve, llogaritë i përkasin kompanisë së vëllezërve miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat. Raportohet se vendimi për zhbllokimin është marrë për të shmangur një përballje të mundshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndërsa hetimet për ligjshmërinë e pronësisë së tokave vijojnë.
Ky zhvillim vjen pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi SPAK-ut të mos pengojë investitorët e huaj përmes bllokimeve financiare, por të vazhdojë verifikimet mbi çështjet e pronësisë.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”. Gjithashtu, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll ndaj administratorit Redi Struga, si pjesë e veprimeve hetimore që lidhen me këtë dosje.










