Në ditën më të nxehtë të parashikuar, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 42°C, Instituti i Shëndetit Publik u bën apel qytetarëve të marrin masa mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme dhe valës së të nxehtit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ISHP këshillon qytetarët të përdorin syze dielli dhe kapele, të veshin rroba të lehta e pambuku dhe të konsumojnë rregullisht ujë, edhe kur nuk ndiejnë etje.
Për të shmangur pasojat e temperaturave të larta, rekomandohet freskimi me dush ose peshqirë të lagur, si dhe qëndrimi sa më shumë në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar.
ISHP thekson gjithashtu rëndësinë e marrjes së ilaçeve sipas rekomandimit të mjekut. Për personat që jetojnë vetëm, këshillohet që një familjar ose fqinj t’i kontaktojë të paktën dy herë në ditë.
Një apel i veçantë u drejtohet prindërve dhe kujdestarëve që të mos lënë fëmijë apo kafshë shtëpiake në automjete, qoftë edhe për pak minuta.
ISHP u bën thirrje qytetarëve të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse shfaqen dhimbje të forta koke, marramendje, të përziera ose të vjella dhe konfuzion.
“Mbrohuni nga nxehtësia, kujdesi në kohë mund të shpëtojë jetë”, apelon Instituti i Shëndetit Publik.










