Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e policisë në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, ku u analizua situata e rendit dhe sigurisë publike, si dhe u përcaktuan prioritetet e punës për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin dhe zbardhjen në kohë të ngjarjeve kriminale, si dhe trajtimin me përgjegjësi të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët.
Ai urdhëroi rritjen e prezencës së policisë në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik, forcimin e masave për sigurinë rrugore dhe garantimin e reagimit të shpejtë ndaj çdo situate që prek qytetarët dhe turistët.
Një tjetër fokus i takimit ishte lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi intensifikimin e kontrolleve për zbulimin e parcelave dhe ambienteve të mbyllura ku kultivohen bimë narkotike, si edhe goditjen pa kompromis të rrjeteve të shpërndarjes së drogës.
Po ashtu, Hita kërkoi vijimin me intensitet të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme dhe luftën ndaj krimeve mjedisore.
Në kushtet e situatës së zjarreve në vend, ai urdhëroi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të çdo rasti zjarrvënieje, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që drejtuesit e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në terren dhe të forcojnë bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin.










