Skandali i pronave në Fier/ Falsifikuan dokumentet për 6 pasuri me vlerë miliona euro, në burg ish-drejtori i ASHK-së dhe përfituesi i tokave

Një tjetër skandal me pronat në qarkun e Fierit ka çuar në pranga një ish-drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe një përfitues pronash, ndërsa një ish-hartograf është lënë në masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit E.S., ish-Drejtor i ASHK-së Fier, dhe E.H., përfitues i pronave të dyshuara si të regjistruara me dokumente të falsifikuara. Ndërsa për E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier, gjykata ka vendosur masën “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.

Hetimet lidhen me procedimin penal nr. 1715 të vitit 2025, ku po hetohen veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se nëpërmjet dokumentacionit të falsifikuar janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme 6 pasuri në zonën kadastrale të Levanit, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë. Për krahasim, kjo sipërfaqe është sa rreth 100 fusha standarde futbolli.

Në dosje përmendet një vendim i vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Njëri prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., kishte marrë më herët edhe kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Megjithatë, sipas hetimeve, në vitin 2023 ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive duke iu referuar të njëjtit vendim, pavarësisht kompensimit të përfituar më parë.

Prokuroria thotë se hetimet kanë zbuluar edhe rolin e ish-drejtorit të ASHK-së Fier dhe ish-hartografit në trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit që u përdor për regjistrimin e këtyre pasurive.

Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 715.976 euro të depozituara në një llogari bankare të E.H., si dhe dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që do t’i nënshtrohen ekspertimeve të mëtejshme.

Prokuroria e Fierit njofton se hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në skemë, si dhe për të dokumentuar rrugën e parave të përfituara nga transaksionet e dyshuara.