Shtyhet sërish Censi i Bujqësisë, numërimi i fermave dhe blegtorisë në vitin 2027

Censi i Bujqësisë nuk do të zhvillohet gjatë vitit 2026, por është shtyrë për në vjeshtën e vitit 2027. Burime pranë INSTAT bëjnë me dije se procesi i numërimit të tokës bujqësore, fermave dhe blegtorisë do të realizohet vitin e ardhshëm, pas pamundësisë për të përmbyllur në kohë përgatitjet e nevojshme.

Procesi ishte planifikuar të niste në muajin tetor të këtij viti, por miratimi i projektligjit përkatës në Kuvend vetëm në korrik 2026 ka ngushtuar afatet për organizimin teknik dhe logjistik të operacionit.

Censi i ri pritet të zgjasë rreth katër javë dhe do të përfshijë angazhimin e rreth 3,400 anketuesve në të gjithë vendin. Ata do të mbledhin të dhëna mbi sipërfaqet e mbjella, kulturat bujqësore, fermat, bagëtitë, makineritë bujqësore dhe fuqinë punëtore të sektorit.

Ky proces konsiderohet thelbësor për krijimin e një panorame të përditësuar të bujqësisë shqiptare, pasi Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2012. Fillimisht, Censi i ri ishte planifikuar për vitin 2022, por është shtyrë disa herë.

Sipas të dhënave paraprake, kostoja e realizimit të këtij procesi llogaritet në rreth 1.08 miliardë lekë, ose afërsisht 11.7 milionë euro.

Me këtë shtyrje, pasqyra e re statistikore e bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare do të duhet të presë edhe një vit, deri në zhvillimin e Censit në vjeshtën e vitit 2027.