Shtyhet kontrata e markimit të karburanteve, rreth 8 mln euro do paguhen...

Shtyhet kontrata e markimit të karburanteve, rreth 8 mln euro do paguhen në çmimin e naftës

109
SHPËRNDAJE

Qeveria ka shtyrë edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve.

Në Fletoren e fundit Zyrtare, është publikuar vendimi për “Miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G”, miratuar me vendimin nr.200, datë 13.3.2013, të Këshillit të Ministrave”.

Sipas vendimit, kontrata e koncesionit është 11 vjet, duke filluar nga data efektive. Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar.

Vendimi nuk i jep arsyet e e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.

Kontrata duhet të përfundonte më 1 gusht 2023, por edhe pas kësaj date kompanitë kanë vijuar të paguajnë, përndryshe nuk u bëhej zhdoganimi.

Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.

Një argument i ngjashëm u përdor edhe për shtyrjen e koncesionit të pullave fiskale, pasi nuk ishte zbatuar pjesa e kontratës për pullat e barnave.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë kundër kësaj shtyrje. Shoqata tha se megjithë këmbënguljen për t’u ballafaquar me përfaqësues të institucioneve përkatëse se pse duhet shtyrë, apo duhet të vazhdohet të paguhet ky koncesion, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Sipas tyre ky koncesion nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo ajo që nuk paguan akcizë.

Për këtë kontratë koncensionare që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve që rezulton i paefektshëm sipas kompanive importuese janë paguar për 9 vite rreth 30 mln euro. Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Shtyrja e tij e mundshme edhe për një vit do të rëndojë në çmimin e naftës dhe me 7-8 milionë euro të tjera, aq sa është pagesa që operatorët e naftës bëjnë në vit për këtë koncesion. Ky i fundit ndërkohë deklaroi një normë fitimi prej 39% në vitin 2022./ Monitor

S'KA KOMENTE