Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, Fieri ndër qarqet më të moshuara në vend

Popullsia shqiptare po përballet me një proces të përshpejtuar plakjeje, ndërsa të dhënat më të fundit të INSTAT për vitin 2025 tregojnë se mosha mediane e popullsisë është rritur ndjeshëm në vetëm një vit.

Sipas statistikave, mosha mediane në shkallë vendi ka arritur në 44.3 vjeç, nga 43.5 vjeç që ishte në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 0.8 vitesh.

Qarku i Gjirokastrës mbetet zona me popullsinë më të moshuar në Shqipëri, me një moshë mediane prej 54.3 vjeç, një vit më shumë se një vit më parë. Pas saj renditen Vlora me 51.0 vjeç dhe Fieri me 50.9 vjeç, duke e pozicionuar këtë të fundit mes qarqeve më të prekura nga plakja demografike.

Në grupin e qarqeve me popullsi më të moshuar përfshihen gjithashtu Berati me 49.4 vjeç dhe Korça me 48.8 vjeç.

Në krahun tjetër qëndrojnë qarqet me popullsinë më të re. Kukësi rezulton me moshën mediane më të ulët në vend, 38.5 vjeç, i ndjekur nga Tirana me 39.1 vjeç, Dibra me 41.9 vjeç dhe Durrësi me 42.4 vjeç.

Diferenca mes Gjirokastrës dhe Kukësit arrin në 15.8 vite, një tregues që nxjerr në pah pabarazitë e mëdha demografike mes rajoneve të vendit dhe ritmet e ndryshme të plakjes së popullsisë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se gratë kanë moshë mediane më të lartë se burrat në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Në nivel kombëtar, mosha mediane e burrave është 43.1 vjeç, ndërsa ajo e grave 45.4 vjeç.

Dallimi është më i theksuar në Gjirokastër, ku burrat kanë një moshë mediane prej 53 vjeç, ndërsa gratë 55.3 vjeç. Në Vlorë ky tregues është 50 vjeç për burrat dhe 52 vjeç për gratë, ndërsa në Fier 49.6 vjeç për burrat dhe 51.9 vjeç për gratë.

Sa i përket ndryshimeve vjetore, rritja më e madhe e moshës mediane është regjistruar në qarkun e Lezhës, ku treguesi u rrit nga 44.7 në 45.8 vjeç. Ndërkohë, në Fier dhe Gjirokastër mosha mediane u rrit me nga një vit, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të plakjes së popullsisë në këto qarqe.