Shqipëria ka nisur zyrtarisht zbatimin e programit “Smart City”, një projekt teknologjik për monitorimin dhe menaxhimin e sigurisë publike me përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas prezantimit të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, sistemi përfshin kamera inteligjente, radarë me precizion të lartë dhe sensorë zhurmash të vendosur në 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe, në fazën e parë, në 20 shkolla të Tiranës.
Të gjitha të dhënat përpunohen në një qendër të re komande dhe kontrolli, ku softueri i bazuar në inteligjencën artificiale analizon në kohë reale imazhe, audio dhe informacione nga 873 lokacione operative.
Sistemi synon të identifikojë automatikisht shkeljet e rregullave të qarkullimit, mbajtjen e armëve në vende publike, si dhe praninë e personave të kërkuar ose që konsiderohen me rrezik të lartë pranë kufijve dhe institucioneve arsimore. Në rast konstatimi të një situate të dyshimtë, gjenerohen alarme të menjëhershme për patrullat më të afërta të Policisë së Shtetit.
Faza e parë e projektit është përqendruar në 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit, me synimin për të rritur sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.
Autoritetet e kanë cilësuar “Smart City” si një hap të rëndësishëm në modernizimin e sigurisë publike, duke theksuar se zbatimi i tij vjen pas një procesi të gjatë përgatitor dhe synon afrimin e vendit me standardet evropiane në këtë fushë.










