Shqipëria nis përgatitjet ligjore për euron, projektligji i ri i Bankës së Shqipërisë përafron vendin me standardet e BE-së
Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e euros, përmes projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është publikuar për konsultim publik. Për herë të parë, drafti përfshin një kapitull të posaçëm që rregullon funksionimin e Bankës së Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë.
Projektligji parashikon që euro të bëhet monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë vetëm pasi vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të përmbushë kriteret ekonomike të konvergjencës për hyrjen në Eurozonë. Deri atëherë, dispozitat mbeten pjesë e përgatitjeve ligjore dhe nuk nënkuptojnë një kalim të afërt te monedha evropiane.
Sipas draftit, Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave e monedhave euro, si edhe për përcaktimin e dizajnit të monedhave metalike shqiptare euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Përveç përgatitjeve për euron, projektligji sjell një reformë të gjerë të kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Ai forcon pavarësinë institucionale, funksionale dhe financiare të bankës qendrore, duke ndaluar që ajo të marrë udhëzime nga qeveria ose institucione të tjera shtetërore.
Drafti sanksionon si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, zgjeron kompetencat për mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe krijon për herë të parë një kuadër të posaçëm për politikën makroprudenciale, me synim identifikimin dhe kufizimin e rreziqeve për sistemin financiar.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në qeverisjen e Bankës së Shqipërisë, krijimin e Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar, si dhe rritjen e kapitalit të nënshkruar të institucionit nga 2.5 miliardë në 6 miliardë lekë, në funksion të forcimit të pavarësisë financiare dhe përafrimit të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.










