Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një ndërtese në kryqëzimin e rrugëve Lysikratous dhe Vasilissis Amalias, në qendër të Athinës. Pas shembjes, në rrënojat e ndërtesës ka shpërthyer edhe një zjarr, ndërsa dyshohet se shkak i incidentit mund të ketë qenë një rrjedhje gazi natyror. Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar në vendngjarje, ndërsa Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, konfirmoi se tre persona kanë mbetur të plagosur lehtë.
Sipas ministrit, një prej të plagosurve ishte një këmbësor, i cili u godit nga rrënojat e ndërtesës, ndërsa dy persona të tjerë u shpëtuan nga një ndërtesë ngjitur. Chrysochoidis tha se operacioni i kërkim-shpëtimit vijon dhe se autoritetet nuk kanë ende informacion nëse mund të ketë persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
“Operacioni është në kulmin e tij”, deklaroi ministri për radion SKAI, duke shtuar se nga pamjet e dërguara nga ekipet në terren duket se “nuk ka më nivele të ndërtesës”. Qendra Operacionale e Departamentit të Zjarrfikësve u njoftua për incidentin rreth orës 07:45 të mëngjesit të 25 shtatorit 2026. Në vendngjarje u dërguan 16 zjarrfikës, gjashtë automjete dhe një automjet special shpëtimi i EMAK-ut të Parë. Edhe Bashkia e Athinës është mobilizuar për të ndihmuar ekipet e ndërhyrjes me makineri të rënda. Ndërkohë, Ekipi i Hetimit të Krimit të Zjarrvënies në Athinë ka nisur punën për përcaktimin e shkaqeve të shpërthimit.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në zonën përreth. Xhamat e ndërtesave fqinje janë thyer, ndërsa disa automjete të parkuara në rrugën Lysikratous kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Policia ka vendosur kufizime dhe masa për menaxhimin e trafikut në zonë, e cila ndodhet në një pikë të rëndësishme të qendrës së Athinës, përballë Kolonave të Zeusit Olimpik.









