Një konflikt mes disa të burgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier, ku dy persona kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në dhomën e ajrimit, ndërsa situata është neutralizuar menjëherë nga forcat e sigurisë së institucionit.
Sipas burimeve nga Spitali Rajonal i Fierit dhe institucioni i vuajtjes së dënimit, gjatë konfliktit dy të burgosur dyshohet se janë goditur me mjete të improvizuara, mes tyre edhe brisqe rroje.
Pas nisjes së sherrit, forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë duke neutralizuar situatën dhe duke rikthyer të burgosurit në qelitë e tyre.
Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga burgu i Fierit bëjnë me dije se njëri prej të plagosurve ka qenë në paraburgim. Ndërkohë, stafi drejtues i institucionit është thirrur me urgjencë për të shqyrtuar rrethanat dhe shkaqet e konfliktit.










