Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po forcohet më tej edhe në fushën e mbrojtjes. Shqipëria do të përfitojë një hua direkte prej 302 milionë dollarësh nga SHBA, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF).
Lajmi është bërë publik nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes, e cila thekson se ky financim pasqyron angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e aleancave dhe partneriteteve strategjike, të bazuara në respekt reciprok, investime të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta të sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi marrëveshjen si një dëshmi të besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe rolit të saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Konfirmim edhe një herë i SHBA-së i besimit të tyre te Shqipëria, te Aleanca jonë dhe te rruga që kemi zgjedhur për modernizimin e Forcave të Armatosura. Marrëveshja për huanë direkte në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak është një investim i rëndësishëm në kapacitetet tona mbrojtëse dhe në aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe më shumë në sigurinë e përbashkët të NATO-s”, shkruan Nufi.
Sipas tij, Shqipëria po e shndërron në kapacitete konkrete vizionin e saj për mbrojtjen, në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.
Huaja prej 302 milionë dollarësh pritet të përdoret për investime në sektorin e mbrojtjes dhe për modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, duke rritur kapacitetet operacionale dhe kontributin e vendit në sigurinë rajonale dhe aleate.










