Sekuestrohet hoteli 5-katësh në Ksamil, një person në ‘arrest shtëpie’; Prokuroria heton për ndërtim të paligjshëm

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka urdhëruar sekuestrimin e një hoteli pesëkatësh në Ksamil, të identifikuar si “Central Park Premium Hotel”, si dhe të një objekti tjetër njëkatësh pranë tij, të dyshuar si ndërtime të realizuara pa leje.

Në kuadër të të njëjtit hetim, me vendim gjykate është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasin me iniciale K.P.

Masat janë ndërmarrë në kuadër të procedimit penal nr. 522/2025, i regjistruar për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”. Sipas organit të akuzës, objekti kryesor i sekuestruar është një hotel me pesë kate, ndërsa objekti i dytë është një godinë njëkatëshe me sipërfaqe 52.2 metra katrorë.

Prokuroria e Sarandës bën me dije se hetimet janë në vijim dhe synojnë të zbardhin të gjitha rrethanat e rastit, si dhe të identifikojnë përgjegjësit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.