Pas serisë së ngjarjeve të rënda kriminale që kanë goditur Sarandën gjatë vitit të fundit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar ngritjen e një Task-Force të posaçme për rivlerësimin e plotë të situatës së rendit dhe sigurisë në qytetin bregdetar.
Vendimi vjen menjëherë pas atentatit të ndodhur më 20 shtator, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Murtaj, ndërsa u plagos rëndë edhe një kalimtar i rastit. Ngjarja e fundit i shtohet një zinxhiri atentatesh, plagosjesh dhe dëmtimesh prone të regjistruara në Sarandë gjatë muajve të fundit, me bilanc dy viktima dhe tre të plagosur.
Sipas Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm do të përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike, të cilët do të analizojnë në detaje situatën kriminale, veprimet e strukturave vendore dhe masat që duhen ndërmarrë për goditjen e grupeve kriminale dhe rritjen e sigurisë.
Zhvillimet kanë sjellë reagim edhe në nivelet më të larta të qeverisë. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë një takimi me drejtuesit e policisë në qarqe, ka kërkuar masa të forta pas ngjarjeve në Sarandë. Burime bëjnë me dije se ai ka kërkuar shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar.
Task-Forca e ngritur nga Policia e Shtetit pritet të nisë menjëherë punën në terren, ndërsa Saranda mbetet në qendër të vëmendjes së strukturave ligjzbatuese pas përshkallëzimit të ngjarjeve kriminale.










