Pothuajse shtatë nga çdo dhjetë litra ujë që prodhohen nga Ujësjellës Kanalizime Rajonale Fier nuk sjellin asnjë të ardhur për kompaninë. Ky është përfundimi i një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ngre shqetësime serioze mbi mënyrën se si administrohet sistemi i furnizimit me ujë në qark.
Sipas të dhënave të raportit, vetëm 30.41 për qind e ujit të prodhuar arrin të faturohet, ndërsa pjesa tjetër, 69.59 për qind, humbet në rrjet ose nuk regjistrohet si e ardhur. Audituesit e konsiderojnë këtë një problem të rëndë financiar dhe operacional, sidomos në një kohë kur po diskutohet ndryshimi i tarifave për konsumatorët.
Raporti evidenton se humbjet nuk lidhen vetëm me amortizimin e rrjetit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre vjen nga faktorë administrativë, si lidhjet e paligjshme dhe nënfaturimi, ndërsa pjesa tjetër lidhet me defektet teknike dhe rrjedhjet në infrastrukturë.
Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e matjes së plotë të ujit të prodhuar. Nga afro 21 milionë metra kub ujë që prodhohen gjatë vitit, vetëm rreth dy të tretat monitorohen me matje reale, ndërsa pjesa tjetër llogaritet me vlerësime. Sipas KLSH-së, kjo situatë e bën të vështirë përcaktimin e saktë të humbjeve dhe të ardhurave që duhet të arkëtojë shoqëria.
Shifrat bëhen edhe më domethënëse kur analizohen në raport me popullsinë. Për çdo banor prodhohen mesatarisht 513 litra ujë në ditë, por vetëm 156 litra rezultojnë të faturuara. Diferenca prej 357 litrash për person çdo ditë përfaqëson sasinë që humbet ose nuk gjeneron të ardhura për sistemin.
Në këto kushte, auditimi ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e rritjes së tarifave si zgjidhje për problemet financiare të sektorit. Sipas raportit, përpara çdo rishikimi të çmimeve duhet të ketë masa konkrete për matjen e plotë të prodhimit, goditjen e lidhjeve të paligjshme, uljen e nënfaturimit dhe reduktimin e humbjeve në rrjet.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e rendit Fierin ndër zonat më problematike në vend për treguesin e “Ujit Pa të Ardhura”, duke paralajmëruar se pa reforma të prekshme ekziston rreziku që kostot e joeficiencës të përballohen nga abonentët që paguajnë rregullisht faturat e tyre.










