Rritja e kostove te jetes, familjet shqiptare ne kufijte e mbijeteses

Rritja e kostos së jetesës po e bën gjithnjë e më të vështirë menaxhimin e financave për familjet shqiptare. Qiratë, kreditë dhe shpenzimet bazë po marrin pjesën më të madhe të të ardhurave mujore, ndërsa kursimi mbetet një nga sfidat kryesore.

Ekspertët e financave personale vlerësojnë se kursimi nuk duhet të lihet në fund të muajit, por duhet të nisë menjëherë sapo paga kalon në llogari bankare. Sipas tyre, krijimi i një rutine financiare dhe ndarja paraprake e një pjese të të ardhurave për kursim është mënyra më efikase për të shmangur vështirësitë ekonomike.

Ata theksojnë se shumë familje përballen me pamundësi reale për të kursyer, për shkak të rritjes së çmimeve dhe detyrimeve mujore, por paralajmërojnë se mungesa e planifikimit financiar sjell pasoja afatgjata.

Një tjetër problem që evidentohet nga ekspertët janë edhe blerjet impulsive, të nxitura shpesh nga rrjetet sociale dhe dëshira për të ndjekur modele luksi apo stile jetese që nuk përputhen me të ardhurat reale. Sipas tyre, ky presion prek veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh përfundojnë në borxhe për të ruajtur një imazh në internet.

Referuar statistikave, një familje shqiptare shpenzon mesatarisht rreth 49 mijë lekë në muaj për jetesën bazë, duke lënë pak hapësirë për kursime, arsim, kulturë apo argëtim.