Rritet sasia e parave në qarkullim, arrin në 546 miliardë lekë

Më shumë para po qarkullojnë në ekonominë shqiptare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të korrikut, paratë në qarkullim arritën në rreth 546 miliardë lekë, nga rreth 501 miliardë lekë që ishin në janar.

Bëhet fjalë për një rritje prej rreth 45 miliardë lekësh në vetëm shtatë muaj, ose afërsisht 9% më shumë. Rritja ka qenë veçanërisht e dukshme gjatë muajit korrik, kur paratë në qarkullim u shtuan me rreth 18 miliardë lekë krahasuar me qershorin.

Por çfarë nënkupton kjo për qytetarët?

Kur flitet për “para në qarkullim”, bëhet fjalë kryesisht për kartëmonedhat dhe monedhat fizike që ndodhen në duart e qytetarëve dhe bizneseve dhe përdoren për pagesa, blerje dhe transaksione të përditshme.

Rritja e sasisë së parasë fizike në qarkullim mund të lidhet me aktivitetin më të lartë ekonomik dhe me nevojën e qytetarëve dhe bizneseve për më shumë likuiditet. Në periudha me më shumë konsum, shpenzime apo aktivitet tregtar, kërkesa për para në dorë mund të rritet.

Megjithatë, më shumë para në qarkullim nuk do të thotë domosdoshmërisht se shqiptarët janë bërë më të pasur. Treguesi pasqyron sasinë e parasë fizike që qarkullon në ekonomi dhe jo drejtpërdrejt rritjen e pasurisë apo të të ardhurave të qytetarëve.

Kjo rritje vjen në një kohë kur përdorimi i pagesave elektronike po zgjerohet, ndërsa njëkohësisht ekonomia shqiptare vijon të ketë një përdorim të konsiderueshëm të parasë cash.