Automjetet elektrike po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar për herë të parë 4.939 mjete plotësisht elektrike (All-Electric), duke shënuar një rritje prej 197% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Këto mjete përbëjnë 45.7% të totalit të automjeteve me 0 kilometra të regjistruara në vend, ose 104% më shumë se në periudhën janar-maj të vitit të kaluar.
Sipas DPSHTRR-së, rritja e përdorimit të automjeteve elektrike ka sjellë edhe përfitime të rëndësishme për mjedisin. Konkretisht, është arritur një reduktim prej 6.519.480 kilogramësh dioksid karboni në vit, ekuivalent me 217.316 “mushkëri ambientale” më të pastra.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 82.7% e autoveturave të regjistruara për herë të parë i përkasin kategorisë mjedisore Euro 5 e sipër, me një rritje prej 13% krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2025 dhe 24% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rritje ka shënuar edhe segmenti i automjeteve Electric Hybrid Plug-in. Sipas DPSHTRR-së, 77% e autoveturave me 0 kilometra të regjistruara gjatë kësaj periudhe i përkasin kësaj kategorie, duke reflektuar një rritje prej 28.7% në raport me vitin e kaluar.
Këto shifra tregojnë një orientim në rritje të qytetarëve shqiptarë drejt automjeteve më miqësore me mjedisin, duke kontribuar në uljen e ndotjes dhe modernizimin e parkut automobilistik në vend.










