Rriten rastet e problemeve të shëndetit mendor në Fier, alarm për përfshirjen e të rinjve

Problemet e shëndetit mendor po shfaqen gjithnjë e më shumë në Fier, ndërsa mjekët neurologë dhe neuropsikiatër flasin për një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve, veçanërisht në moshat e reja.

Sipas specialistëve, vitet e fundit është vënë re një shtim i rasteve që paraqesin shqetësime emocionale dhe psikologjike, duke nisur nga ankthi, stresi dhe pasiguria, deri te çrregullime më të rënda të sistemit nervor dhe shëndetit mendor.

Mjekët e lidhin këtë situatë me presionin e vazhdueshëm social dhe ekonomik me të cilin përballen qytetarët. Vështirësitë financiare, papunësia, humbja e vendit të punës, konfliktet familjare, ndarjet në çift, por edhe izolimi social dhe vetmia, sidomos tek të moshuarit, po ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen psikologjike të individëve.

Shqetësim mbetet fakti se fenomeni po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, të cilët përballen me pasiguri për të ardhmen, mungesë stabiliteti ekonomik dhe presion të lartë emocional. Specialistët theksojnë se shoqëria shqiptare po kalon një periudhë të ngarkuar emocionalisht, ku stresi dhe pasiguria janë kthyer në pjesë të përditshmërisë.

Mjekët apelojnë për më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor dhe kërkim të ndihmës profesionale në kohë, duke theksuar se trajtimi dhe mbështetja e hershme janë thelbësore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes