Falsifikimi i monedhave mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri, ndërsa gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje e procedimeve penale për këtë vepër.
Sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme, procedimet për veprat penale “Falsifikimi i monedhave dhe letrave me vlerë” u rritën nga 37 në vitin 2024 në 38 gjatë vitit 2025. Po ashtu është rritur edhe numri i çështjeve të dërguara në gjykatë, nga 10 në 13 procedime.
Të dhënat tregojnë se, megjithëse ka pasur rritje të procedimeve, numri i të pandehurve të regjistruar ka rënë nga 15 në 12. Ndërkohë është rritur ndjeshëm numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë, nga 11 në 21, si edhe numri i të dënuarve nga gjykata, nga 7 në 18 persona.
Sipas profilit të të pandehurve, pjesa dërrmuese janë meshkuj madhorë, që përbëjnë 95,8% të totalit, ndërsa femrat 4,2%. Përsa i përket arsimit, 52,2% kanë arsim të mesëm, 30,4% deri në 9-vjeçare dhe 17,4% arsim të lartë.
Nga ana e punësimit, 46,7% e të pandehurve rezultojnë të punësuar në sektorin privat, 26,6% në sektorin shtetëror dhe 26,6% të papunë. Po ashtu, 95,6% e tyre rezultojnë të padënuar më parë.
Tirana kryeson për numrin e procedimeve të regjistruara për falsifikim monedhash dhe letrash me vlerë, me 45% të totalit. Pas saj renditen Vlora me 18% dhe Fieri me 10% të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.
Ndërkohë, në prokuroritë e Dibrës, Durrësit, Kukësit dhe Beratit nuk është regjistruar asnjë procedim penal për këtë kategori veprash gjatë vitit 2025










