Roskovec/ Vr*sja e ish-vjehrrit, autori i dyshuar gjendet i pajetë në automjet pas negociatave me RENEA-n

Pas disa orësh negociata me forcat RENEA dhe Policinë e Fierit, 35-vjeçari R. B., i dyshuar për vrasjen e babait të ish-të dashurës së tij dhe plagosjen e nënës së saj në fshatin Vidhisht të Roskovecit, është gjetur i pajetë brenda automjetit ku ishte rrethuar.

Sipas Policisë, pas lirimit të pengut, ish-të dashurës së tij R. P., ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin për ta bindur që të dorëzohej dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme prej orëve të para të mëngjesit, ai nuk iu bind thirrjeve të Policisë. Rreth orës 16:35, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka humbur jetën pasi ka përdorur armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë që tronditi Roskovecin.