Rekord karburantesh në gusht, mbi 80 mijë ton u zhdoganuan – nafta vijon të shitet me 219 lekë/litër

Mbi 80 mijë ton karburante u zhdoganuan gjatë muajit gusht në Shqipëri, duke shënuar nivelin më të lartë mujor të regjistruar deri më tani. Rritja e sasive të karburanteve të importuara ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në arkëtimet doganore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të ardhurat doganore arritën në 22.8 miliardë lekë gjatë gushtit, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Karburantet rezultojnë ndër faktorët kryesorë pas kësaj performance. Vetëm nga akciza, të ardhurat e lidhura me karburantet u rritën me 264 milionë lekë, ndërsa në total arkëtimet neto nga akciza u shtuan me 502 milionë lekë.

Ndërkohë, rritja e importeve të karburanteve vjen në një kohë kur konsumatorët shqiptarë vijojnë të përballen me çmime të larta në treg. Nafta ka pësuar rritje gjatë të paktën dy muajve të fundit dhe aktualisht çmimi ka arritur deri në 219 lekë për litër.

Çmimi i lartë i karburantit vijon të rëndojë kostot e transportit, bizneset dhe buxhetet e familjeve, ndërsa rritja e sasive të importuara ka sjellë njëkohësisht më shumë të ardhura për arkën e shtetit.Pra, ndërsa arkëtimet e shtetit rriten nga karburantet, kostoja e kësaj situate reflektohet çdo ditë në xhepat e konsumatorëve dhe në shpenzimet e transportit.

Ndikimi i karburanteve është veçanërisht i dukshëm edhe në TVSH-në e mbledhur në import. Sipas Doganave, të ardhurat nga ky zë u rritën me 1.1 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit 2025, ku 741 milionë lekë shtesë erdhën vetëm nga karburantet e importuara.

Në rritjen e TVSH-së ndikuan gjithashtu produktet e tjera të importit me 161 milionë lekë më shumë, si dhe autoveturat e përdorura, me një kontribut shtesë prej 146 milionë lekësh.