Rekord i të huajve të punësuar në Shqipëri, mbi 22 700 me leje pune deri në qershor

Numri i shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri ka arritur një rekord të ri. Deri në muajin qershor 2026, mbi 22 700 të huaj janë pajisur me leje pune, në rritje të ndjeshme krahasuar me fundin e vitit 2025, kur ky numër ishte rreth 18 mijë.

Sipas të dhënave, listën e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti, të cilët së bashku zotërojnë rreth 10 300 leje unike pune, ose afro 50% të totalit të të huajve të punësuar në vend.

Filipinet renditen të parët me rreth 3 600 të punësuar, ose 16% të totalit, të ndjekur nga India me 3 400 punëmarrës, që përbëjnë 15%. Më pas vijnë shtetasit nga Egjipti, Turqia dhe Italia.

Punonjësit e huaj janë të angazhuar kryesisht në sektorët e hoteleri-turizmit, industrisë, transportit dhe bujqësisë. Në bare dhe restorante ata punojnë si kamarierë, kuzhinierë dhe pastrues, ndërsa fabrikat kanë rritur punësimin e inxhinierëve nga India. Shtetasit egjiptianë janë më të përqendruar në transport, blegtori dhe agroturizëm.

Në rritje është edhe punësimi i të huajve në familje, ku shtetase nga Filipinet angazhohen për kujdesin ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe mirëmbajtjen e banesave. Ndërkohë, italianët dhe shtetasit e Kosovës vijojnë të kryesojnë në kategorinë e të vetëpunësuarve.