Vazhdon të zgjerohet kundërshtimi ndaj propozimit të Komisionit për Reformën Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier.
Kryetari i Këshillit Bashkiak Patos, Armand Ahmetaj, ka bërë publike një deklaratë ku shpreh mbështetjen për qëndrimin e qytetarëve që kundërshtojnë këtë propozim, duke theksuar se çdo vendimmarrje duhet të bazohet në një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor.
Ahmetaj vlerëson se propozimi nuk pasqyron interesin më të mirë të qytetarëve të Patosit dhe se, në cilësinë e përfaqësuesit të zgjedhur, e konsideron detyrim institucional dhe moral mbrojtjen e interesave të bashkisë, identitetit të saj administrativ, historik dhe shoqëror, si dhe të drejtës së banorëve për t’u dëgjuar.
Deklaratës së Kryetarit të Këshillit Bashkiak i janë bashkuar edhe disa anëtarë të Këshillit, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për kundërshtimin e reformës territoriale dhe për ruajtjen e Bashkisë Patos si njësi më vete e vetëqeverisjes vendore.
Në deklaratë u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që, përpara marrjes së çdo vendimi përfundimtar, të dëgjojnë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Patosit, duke theksuar se çdo reformë territoriale duhet të mbështetet në parimet e demokracisë vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut.










