Megjithëse burimet financiare të bashkive janë rritur gjatë dekadës së fundit, një pjesë e madhe e buxheteve vijon të shkojë për paga dhe shpenzime operative, ndërsa investimet mbeten në nivele të ulëta. Ky është përfundimi i Raportit të Financave Vendore për vitin 2025.
Sipas raportit, bashkitë shpenzuan gjithsej 92.4 miliardë lekë gjatë vitit 2025, nga të cilat 40 miliardë lekë për paga dhe sigurime shoqërore, 29.1 miliardë lekë për shpenzime operative dhe vetëm 23.2 miliardë lekë për investime kapitale.
Të dhënat tregojnë se aktualisht vetëm 18-20% e shpenzimeve vendore përdoren për investime, ndërsa pjesa tjetër shkon për mbulimin e kostove të funksionimit të administratës vendore. Në shumë bashki të vogla dhe të mesme, shpenzimet për paga dhe operim përbëjnë mbi 60% të buxhetit.
Raporti evidenton se bashkitë e mëdha paraqesin një nivel më të lartë investimesh. Në Bashkinë e Tiranës, rreth 40% e buxhetit është përdorur për investime, ndërsa në bashki si Durrësi dhe Elbasani ky tregues arrin rreth 30%.
Investimet nga burimet e veta janë rritur nga 12 miliardë lekë në vitin 2015 në 23.2 miliardë lekë në vitin 2025, duke u përqendruar kryesisht në infrastrukturën rrugore, ujitje-kullim, menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin urban.
Sipas raportit, rritja e shpenzimeve për paga dhe operative lidhet me zgjerimin e shërbimeve pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2015, administrimin e një territori më të madh nga bashkitë, si dhe transferimin e funksioneve dhe stafit nga ministritë drejt pushtetit vendor.










