Komisioni Europian publikoi raportin për sundimin e ligjit në Shqipëri për vitin 2026, ku vlerëson përparimin në zbatimin e reformës në drejtësi dhe rezultatet e SPAK në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, ndërsa evidenton se vendi përballet ende me sfida të rëndësishme.
Raporti konfirmon përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se ai ka forcuar pavarësinë, integritetin dhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë. Megjithatë, BE thekson se mbeten problematika në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë përpjekjet për ndikim ndaj institucioneve të drejtësisë, mungesën e inspektorëve magjistratë dhe vonesat në vlerësimin e gjyqtarëve.
Komisioni vlerëson pozitivisht punën e SPAK, duke theksuar se institucioni ka ndërtuar një histori të qëndrueshme hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Nga ana tjetër, raporti nënvizon se korrupsioni mbetet i pranishëm në Policinë e Shtetit, prokurimet publike dhe sektorë të tjerë me rrezik të lartë, ndërsa koordinimi mes institucioneve përgjegjëse konsiderohet ende i pamjaftueshëm.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet medias. Komisioni Europian shpreh shqetësime për pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik, përqendrimin e pronësisë mediatike, ndikimin e interesave politike dhe mungesën e transparencës në shpërndarjen e reklamave shtetërore. Raporti evidenton gjithashtu raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mangësi në aksesin ndaj informacionit.
Sa i përket procesit ligjvënës, BE vëren se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e Kuvendit dhe kritikon cilësinë e konsultimeve publike. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese vlerësohet për rolin e saj në garantimin e kontrollit dhe balancës institucionale, ndërsa shoqëria civile konsiderohet e lirë në veprimtarinë e saj, por përballet me sfida që lidhen me konsultimet, transparencën dhe financimin.










