Rama: Sazani nuk shitet, ende s’ka marrëveshje dhe as projekt të miratuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi se për ishullin e Sazanit nuk ekziston ende një projekt i miratuar, pasi negociatat me investitorët vijojnë prej rreth dy vitesh dhe ende nuk është arritur një marrëveshje.

Gjatë një konference për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, Rama theksoi se ishulli nuk është në shitje dhe se asnjëherë nuk është marrë në konsideratë mundësia e shitjes së tij.

Sipas kreut të qeverisë, diskutimet kanë të bëjnë me një sipërmarrje të përbashkët mes investitorit dhe shtetit shqiptar, ndërsa pronësia e ishullit mbetet e Republikës së Shqipërisë.

Ishulli i Sazanit nuk ka nevojë për një projekt pikë së pari, ka nevojë për një marrëveshje. S’kemi marrëveshje për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë prej 2 vitesh. Kurrë s’kanë kërkuar ta blejnë ishullin. Edhe po të kërkonin, kurrë nuk na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend alternativa për të shitur ishullin”, u shpreh Rama.

Kryeministri kritikoi gjithashtu publikimet dhe komentet që, sipas tij, kanë krijuar perceptimin se në ishull do të ndërtohen projekte të ngjashme me “kulla Trump”, duke sqaruar se investitorët nuk kanë paraqitur ende asnjë skicë zyrtare.

Për ishullin nuk kanë ende asnjë skicë të paraqitur sepse nuk kanë asnjë marrëveshje”, tha Rama, duke shtuar se shteti shqiptar synon të përfitojë nga investimi i mundshëm pa cenuar pronësinë publike të ishullit.