Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama theksoi se ndryshimi i qeverisë në një demokraci bëhet përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës.
I pyetur për kërkesat e protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës, kreu i qeverisë pranoi se shqetësimet e të rinjve janë të vlefshme dhe kërkojnë përgjigje konkrete.
“Shqetësimet e tyre lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të vlefshme dhe kërkojnë përgjigje thelbësore”, u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se buxheti i vitit 2027, i cili pritet të paraqitet së shpejti, do të përfshijë masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Gjithashtu, përsëriti ftesën për studentët dhe pedagogët që të përfshihen në një dialog të hapur me qeverinë.
Megjithatë, Rama bëri dallimin mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të protestuesve që, sipas tij, përdorin dhunën dhe sulmojnë institucionet publike.
Ai akuzoi një pjesë të protestuesve se po përdorin molotovët dhe dëmtimin e pronës për të ushtruar presion politik, ndërsa disa prej tyre i lidhi me lëvizjen “Antifa”.
“Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë. Ajo nuk është puna e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë”, deklaroi kryeministri.
I pyetur drejtpërdrejt nëse do të japë dorëheqjen, Rama u përgjigj negativisht, duke argumentuar se qeveria ka marrë një mandat nga qytetarët në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Çdokush është i lirë të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë”, tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se do të vijojë punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se nuk do të tërhiqet nga përgjegjësitë e tij për shkak të protestave.
“Nuk do të shmangem nga kjo detyrë thjesht, sepse një pakicë beson se t’i vësh flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, përfundoi Rama.










