Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median greke “Kathimerini”, në prag të pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik të Delfit (22–25 prill), ku ka folur për raportet greko-shqiptare, zhvillimin ekonomik dhe çështje të ndjeshme si pronat në Himarë dhe debatet mbi identitetin.
Rama theksoi se Shqipëria ka pësuar një transformim të rëndësishëm, duke u kthyer në një destinacion turistik dhe duke kapërcyer paragjykimet e së kaluarës, ndërsa rritja ekonomike mbetet rreth 4%. Ai pranoi sfidat me ekonominë informale dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se qeveria po punon për formalizimin e ekonomisë dhe forcimin e institucioneve.
Sa i përket deklaratës së tij për grekët, që shkaktoi reagime në Greqi, Rama u shpreh se ishte një koment me tone provokuese dhe humoristike, por që u interpretua gabim. Ai nënvizoi respektin për historinë dhe kulturën greke, duke kritikuar njëkohësisht reagimet nacionaliste.
Në lidhje me akuzat për origjinën dhe arsimin, Rama mohoi të ketë rrënjë greke dhe sqaroi se nuk ka studiuar në Harvard, duke i cilësuar këto si dezinformata.
Për çështjen e pronave, ai theksoi se problematika nuk lidhet vetëm me pakicën greke, por është një trashëgimi e gjerë historike në gjithë vendin. Sipas tij, procesi i kadastrës po avancon dhe shumë qytetarë në jug, përfshirë Himarën, po pajisen me tituj pronësie.
Duke folur për zhvillimin e Himarës, Rama deklaroi se zona po përfiton ndjeshëm nga turizmi dhe investimet, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për diskriminim ndaj banorëve greqishtfolës.
Në planin ndërkombëtar, kryeministri reagoi ashpër ndaj deklaratave të liderit iranian Ali Khamenei, duke theksuar se Shqipëria nuk i druhet kërcënimeve dhe se strehimi i opozitarëve iranianë bëhet për arsye humanitare.
Në fund, Rama u shpreh se Shqipëria ka ende shumë për të mësuar nga Greqia në zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi se zyrtarët shqiptarë duhet të promovojnë vendin duke pushuar brenda tij.
/Kathemerini/










