Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se negociatat për projektin turistik prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit, i mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, po vazhdojnë pavarësisht protestave dhe kritikave që janë ngritur ndaj tij.
Në një intervistë për MSNOW, Rama i cilësoi kundërshtimet ndaj projektit si “budallallëqe ideologjike”, duke theksuar se bisedimet për investimin kishin nisur shumë përpara rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Kur Jared Kushner dhe Ivanka erdhën këtu dhe filluam të punojmë së bashku, nuk ishte e qartë nëse Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh Rama, duke iu referuar proceseve ligjore me të cilat u përball Donald Trump përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Kreu i qeverisë mohoi që projekti të ketë lidhje me administratën amerikane dhe argumentoi se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik, vende pune dhe të ardhura për Shqipërinë.
Sipas Ramës, marrëveshja nuk përfshin vetëm kompaninë e Kushnerit, por edhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë. Ai vlerësoi ekipin e investitorëve si “të jashtëzakonshëm”, duke shtuar se synimi i tyre është zhvillimi i zonës dhe jo dëmtimi i saj.
“Mos eja këtu për t’u grindur me Trumpin. Nuk është grindja jote”, tha Rama, ndërsa kritikoi interesimin e mediave dhe komentuesve amerikanë për projektin në Sazan. “Doni që unë të besoj se papritmas mediat amerikane, ndikuesit amerikanë, bota amerikane po interesohen për disa flamingo në Shqipëri?”, deklaroi ai.
Projekti i propozuar për ishullin e Sazanit ka shkaktuar debate të forta në Shqipëri, me kundërshtarët që shprehin shqetësime për ndikimin mjedisor dhe transparencën e procesit, ndërsa qeveria e konsideron atë një investim strategjik për zhvillimin e turizmit elitar në vend.










