Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot një takim në Kuç, në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.
Takimi pritet të mbahet rreth mesditës dhe, sipas burimeve të Euronews Albania, në të do të marrin pjesë kryebashkiakë të bashkive që preken nga propozimi i ri për riorganizimin e territorit, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në takim pritet të jenë Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, dhe kreu i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë edhe e ardhmja e Bashkisë Selenicë, e cila është përfshirë në konsultimet për hartën e re territoriale. Në draftin e Partisë Socialiste, të paraqitur në fund të korrikut, parashikohet reduktimi i numrit të bashkive në 46, ndërsa Selenica propozohet të riorganizohet dhe të bashkohet me Bashkinë Vlorë.
Ky propozim është kundërshtuar nga kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka kërkuar që Selenica të vijojë të funksionojë si bashki më vete. Në favor të këtij qëndrimi është shprehur edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka zhvilluar konsultime edhe në qarkun Vlorë, ku përfshihen bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Delvinë.
Takimi i sotëm në Kuç pritet të japë më shumë qartësi mbi propozimet për riorganizimin e bashkive dhe veçanërisht mbi të ardhmen administrative të Selenicës.










