Pas më shumë se një ore ka përfunduar këtë të mërkurë mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të qarqeve, e cila nisi pak pas orës 08:30.
Gjatë takimit, Rama ka kërkuar nga drejtuesit politikë dhe ministrat që të jenë më pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre. Ai është ndalur edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, duke i cilësuar si pjesë të një “lufte digjitale”, përballë së cilës kërkoi angazhim më të madh.
Kreu i qeverisë u ka kërkuar drejtuesve politikë dhe ministrave të jenë më aktivë në rrjetet sociale, duke theksuar se protesta tashmë ka hyrë në një fazë të re komunikimi dhe përballjeje online.
Menjëherë pas mbledhjes, burimet bëjnë me dije se sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ka zhvilluar një takim me ekipin digjital të partisë në seli.
Pas takimit, Rama u largua nga selia e PS i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, pa dhënë deklarata për mediat. Ndërkohë, axhenda e tij vijon me një tjetër mbledhje me kryebashkiakët, e planifikuar në ish-hotel “Dajti” në Tiranë.
Kjo mbledhje zhvillohet në një moment të ndjeshëm politik, teksa prej më shumë se tre javësh në kryeqytet po mbahen protesta ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit.










