Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj thirrjeve të opozitës dhe kritikëve që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke iu përgjigjur me ironi dhe tone sfiduese.
Në postimin e tij, Rama publikoi një mesazh ku renditen arsyet pse, sipas tij, nuk ka vend për dorëheqje, duke përmendur transformimet urbane e rurale, zhvillimin e aeroporteve, rritjen e turizmit, avancimin e negociatave me Bashkimin Europian dhe përmirësimet në ekonomi.
Kryeministri theksoi gjithashtu rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm, investimet në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, ndërsa vuri në dukje se protestat në vend zhvillohen paqësisht.
“Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht. Ose mendoje kështu: Dorëhiqu… në 2030!”, shkroi Rama.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen në një kohë tensionesh politike, teksa protestat vijojnë dhe opozita shton presionin për largimin e tij nga drejtimi i vendit.










